1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Duam rreze diellore dhe jo bërthamore - Jo centralit bërthamor në Shkodër

Qindra banorë të Shkodrës, me parrulla në duar kanë marrë pjesë në një marshim proteste, kundër ideve për ndërtimin e një centrali bërthamor në rajonin e Shkodrës.

Shkodra

Njoftimet rreth centralit bërthamor, kanë ngjadhur polemika ditët e fundit edhe mes drejtuesve të maxhorancës dhe opozitës.

“Jo centralit bërthamor në Shkodër”, “ Duam rreze diellore dhe jo bërthamore”, ishin disa nga parrullat me të cilat protestuesit marshuan përgjatë rrugëve kryesore të qytetit. Organizatorët e këtij tubimi, që mbështetej nga disa organizata ambjentale, si dhe nga partitë politike opozitare, thanë se Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, ka burime të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik, pa patur nevojën e ndërtimit të një vepre të tillë, që sipas specialistëve të mjedisit, do të ishte me pasoja shkatërrimtare për ekosistemin e të gjithë rajonit verior të vendit.

Deputeti, Gilman Bakalli bën thirrje që: " Ne i bëjmë thirrje klasës politike, që na qeveris sot edhe asaj që mund të na qeverisë nesër, t`i thotë jo centralit bërthamor në Shkodër."

Reagimet gati dy javore të banorëve të Shkodrës, pas njoftimeve mediatike për arritjen e një marëveshjeje të mundshme mes Shqipërisë dhe Kroacisë, lidhur me ndërtimin e një centrali bërthamor në rajonin e Shkodrës, kanë kulmuar me marrshimin e protestës së qindra vetëve në rrugët e këtij qyteti. Protestuesit mbanin në duar parrulla të tilla si “ Jo centralit bërthamor”, “ Duam energji diellore dhe jo bërthamore” etj. Pavarësisht deklaratave të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, që sipas tij nuk ka asnjë marrëveshje për ndërtimin e një centrali të tillë, drejtuesit e lëvizjes qytetare, kundër ndërtimit të centraleve bërthamore, i kanë bërë thirrje qeverisë që të jetë transparente ndaj këtij projekti të shumpërfolur dhe të mos marrë asnjë hap për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje. Mentor Bime, kreu i kësaj lëvizje thotë se zhvillimi i vendit nuk mund të arrihet me ndërtimin e veprave të tilla. "Ne në Shqipëri, nuk e duam centralin bërthamor. Kemi resurse të mjaftueshme që të mos kufizohemi në një central bërthamor për zhvillimin ekonomik. Asht një gja paradoksale për kushtet e Shqipërisë dhe për realitetin shqiptar, që të pretendohet rritja ekonomike me një central bërthamor. Kjo është zgjedhja jonë dhe kjo është thirrja e reagimit qytetar kundër kësaj nisme,” thotë Bime.

Albanien Land und Leute See Shkodra

View of Shkodra Lake. Photo of Mimoza Dhima

Njoftimet mbi mundësinë e ndërtimit të centralit bërthamor, kanë ngjallur reagime kundërshtuese të pjesës më të madhe të opinionit këtu në Shkodër. Jo vetëm specialistët e ambientit, por edhe banorët e thjeshtë, e shohin ndërtimin e këtij impianti si rrezik potencial për këtë zonë. “Shkodra krahas rrisqeve të tjera, ashtë një zonë që ndërtimin e kësaj vepre, e ka të kushtëzume me rrisqe shumë të mëdha. Një vepër e tillë, asht komplet e papranume, si në aspektin teknik edhe në atë ekologjik, që do të bajnë që të shkatërrohet Liqeni i Shkodrës, që të shkatërrohet vija bregdetare. Plus kjo vepër nuk ka edhe ndonjë leverdi ekonomike. Shqipnia do të jetë, thjeshtë një depo që mban venë e pin ujë në ndërtimin e këtyre veprave”.

“Ne në Shkodër kemi një natyrë shumë të pastër, një liqen të mrekullueshëm, njëkohësisht kena mundësi dhe vitalitet, duke qënë se mesatarja e popullësisë është shumë e ultë, që të ndërtojmë turizmin, pse duhet të ndërtojmë centrale atomike ? Kujt i shërbejnë? I shërbejnë popullit, apo një mijë punonjësve që do të punësohen! Për një mijë punonjës, hap dy kompani rrobaqepsijet dhe po i punësojmë”.

Pjesë e lëvizjes qytetare, kundër ndërtimit të centralit bërthamor në Shkodër, është edhe nënshkrimi i një peticioni drejtuar qeverisë. Iniciatori i mbledhjes së firmave të qytetarëve është deputeti i Shkodrës Gilman Bakalli, sipas të cilit, kryeministri Sali Berisha, po e mohon ndërtimin e centralit vetëm për efekt të fushatës elektorale. Deputeti Bakalli thotë se projekte të tilla duhet të jenë transparente dhe të miratohen përmes referendumit. “Mendoj, se të paktën transparencë duhet bërë nga ana e qeverisë, nga zoti Berisha në lidhje me negociatat e tij për këtë problem me homologët e tij në vendet fqinje. Këtë kërkojmë me anë të këtij peticioni.”

Njoftimet rreth centralit bërthamor, kanë ngjadhur polemika ditët e fundit edhe mes drejtuesve të maxhorancës dhe opozitës. Polemikat mes pozitës dhe opozitës, rreth projekteve për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër, mesa duket do të ashpërsohen edhe më shumë gjatë fushatës zgjedhore.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 11.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hnym
  • Data 11.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hnym