1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dua të flas mbi vlerat njerëzore" - Intervistë me Dalai Lamën

Hans Jürgen Mayer24 Korrik 2007

Dalai Lama mbajti 1 javë rresht fjalime mbi budizmin dhe rëndësinë e tij. Qëllimi i kësaj feje është forcimi i tolerancës dhe harmonisë.

https://p.dw.com/p/BLdJ
Udhëheqësi shpirtëror i budistëve, Dalai LamaFotografi: AP

Një grup i vogël me gazetarë kohët e fundit pati mundësinë të bisedonte me Dalai Lamën mbi problemet aktuale të atdheut të tij si edhe mbi rëndësinë e fesë budiste. Hans Jürgen Mayer i redaksisë gjermane të Deutsche Welle-s bisedoi me Dalai Lamën dhe e pyeti fillimisht si është situata në Tibet.


Dalai Lama: "Situata e të drejtave të njeriut aty është shqetësuese. Përpara pak kohësh takova një tibetan që kishte kaluar 8 vite në burg. Ai kishte kryer krimin në Lhasa, që t´u shprehte të tjerëve ndjenjat e tij. Forcat kineze të policisë e arrestuan menjëherë. Ata nuk përdorën mënyra konvencionale torturimi, por një instrumet të posaçëm që të qëron lëkurën nga gishtërinjtë. Më pas ata arrestuan dhe torturuan edhe një të njohur të këtij burri. Pra situata aty është vërte alarmuese. Por edhe situata e burgjeve është katastrofale. Kriminelët trajtohen më mirë se të burgosurit politikë. Në të gjitha vendet e botës, përveç Kinës, të burgosurit politikë trajtohen më mirë. Vetëm në Kinë jo.

DW: A ju habiti reagimi i ashpër kinez pasi nënshkruat librin e artë të qytetit të Hamburgut?

Dalai Lama: "Aspak, mua kinezët më kritikojnë edhe kur hesht. Ata më mallkojnë gjithë kohës. Është sikur përdorin gjithmonë të njëjtën kasetë."

DW: Si e vlerësoni qëndrimin e qeverisë gjermane kundrejt Tibetit? Kancelarja gjermane Angela Merkel reagon menjëherë kur shkelen të drejtat e njeriut. Mendoni se Gjermania angazhohet sa duhet për Tibetin?

Dalai Lama: "Qeveria gjermane angazhohet ashtu si qeveri të tjera. Ajo ka shprehur simpati për ne dhe ka shfaqur shqetësimin e saj. Por kjo nuk mjafton. Pyetja vendimtare është: Çfarë duhet të bëjnë qeveritë? SHBA-të për shembull kanë shpallur një koordinator për çështjen e Tibetit. Qeveria amerikane angazhohet në mënyrë aktive për Tibetin. Kur një shtet e shpreh hapur shqetësimin e tij për Tibetin, atëherë ne mendojmë se ky është një reagim i domosdoshëm dhe që na ndihmon, ndonëse deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt."

DW: Si e vlerësoni angazhimin e personaliteteve publike të vendeve perëndimore për çështjen e Tibetit?

Dalai Lama: "Kam vizituar shumë vende dhe kam takuar shumë njerëz. Qëllimi dhe motivi im kryesor gjatë këtyre vizitave nuk ka qënë çështja e Tibetit. Unë dua të flas mbi vlerat njerëzore që njerëzit dhe familjet e tyre të jetojnë të lumtur në një bashkësi. Unë dua që njerëzit në përgjithësi të jenë të lumtur. Dhe këtu shoh edhe rolin tim. Sipas mendimit tim çdo njeri mban përgjegjësi për një botë më të mirë. Unë dua që të ndikoj gjitaashtu për më shumë harmoni edhe gjatë qëndrimit tim në Hamburg. Por kur pyetem për Tibetin jam i detyruar që të shpjegoj situatën aty. Dhe jo vetëm Perëndimi ka interes tek Tibeti. Edhe në Kinë ka njerëz që u intereson budizmi tibetan. Madje disa e praktikojnë këtë fe. Dihet se në rast se këta njerëz e vlerësojnë budizmin si diçka pozitive, atëherë edhe qëndrimi i tyre kundrejt Tibetit do të bëhet pozitiv. Shpesh herë kinezët e mbajën Tibetin për të prapambetur. Ata mendojnë se falë çlirimit të kinezëve, në Tibet hyri qytetërimi. Por fatmirësisht ky qëndrim po ndryshon. Gjatë viteve të fundit kanë ardhur shpesh edhe kinezë në fjalimet që mbaj rregullisht në Indi. Nganjëherë qeveria kineze përpiqet të mos i lejojë qytetarët e saj, që të më vizitojnë. Disa kinezë më kanë thënë se pasi kanë parë me sytë e tyre se si funksionon jeta në Tibet dhe si mendon Dalai Lama, ata vënë re diskrepancën e thellë që kanë këto imazhe me ato që dëgjojnë ata në Kinë mbi Tibetin. Pra ka efekt pozitiv."