1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

Dua të jetoj atje, po aq sa dua të jetoj edhe këtu

Hjahredin Ibrahimi është një sipërmarrës i vogël, biznesi i të cilit është përkthimi shqip gjermanisht e anasjelltas. Por Ibrahimi mëson edhe gjermanët që duan të njohin gjuhën shqipe.

Hajderin Ibraimi

Hajderin Ibraimi

Kur e dëgjon që flet, nuk mund ta kuptosh nga e ka origjinën, nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Por, Hajredin Ibrahimi nuk të lë gjatë të vrasësh mendjen. Ai ka lindur në Korritë, të komunës së Gostivarit në Maqedoni. Rrëfimin e jetës, e nis ngadalë. "Im atë ka punuar në Gjermani që nga viti 1969. Nëna dhe ne fëmijët ishim fillimisht në fshat pastaj në qytet për t'u shkolluar dhe në vitin 1987 erdha pas shërbimit ushtarak në Gjermani për vizitë."

Erdhi për vizitë, 25 vjet më parë, kur shihej se Jugosllavisë po i vinte fundi. Erdhi dhe mbeti këtu. "Së pari bëra një kurs në VHS për të mësuar gjermanishten"- kështu fillon jeta e një migranti. Që vazhdon me fillimin e studimeve në degën e elektroteknikës në Vupertal. "Nuk shkoi shumë kohë njoha dhe nusen, me të cilën u martuam në vitin 1990 dhe fillova të punojë, edhe gjatë semestrave edhe gjatë pushimeve semestrale me përkthime për refugjatët".

Përkthimi e tërheq më shumë dhe fillon të ndjekë seminaret në Institutin Gëte për të marrë diplomën, bën regjistrimin si përkthyes i gjuhës shqipe dhe punon për Entin federativ për refugjatë, institucionet komunale apo administrative. Mijëra vetë kanë njohur firmën e tij të përkthimit. 

***Achtung: Nur zur mit Hajderin Ibraimi abgesprochenen Berichterstattung verwenden!*** Hajderin Ibraimi, Albaner aus Mazedonien, arbeitet als deutsch-albanischer Übersetzer in Wuppertal. *** undatiert, eingestellt Dezember 2011

2011

Në vitin 1999, shumë gjermanë që shkojnë me punë në Kosovë, duhet të zotërojnë gjuhën. Mësimet i marrin nga Hajredin Ibraimi.

Në vitin 2006, ai hap një shkollë të gjemanishtes me të drejtën e dhënies së diplomës së kurseve të gjermanishtes për njerëzit që marrin nënshtetësinë apo lejeqëndrimin në Gjermani. Fillimisht në Vupertal dhe më pas në Dyseldorf.

Për jetën në Gjermani?

"Unë erdha në fillim për vizitë nuk isha dhe aq i kënaqur. Por duke kaluar koha ëndërronim për të përmirësuar jetën. Mua më duket se jam i kënaqur në Gjermani dhe po të kisha mundësinë sot të zgjedh ku do të kisha dashur të jetoj, mund të them se do të doja të jetoja atje, po aq sa do të doja të jetoja edhe këtu. Sepse edhe këtu ka shumë vlera pozitive, të cilat i kam njohur ndërkohë. Është liria abolute që përjeton njeriu si individ, dhe ka njëfarë anonimiteti, që nuk i intereson njeriu për shumë gjëra, mund të jetosh i tërhequr po ta kesh nevojën, por edhe t`i gëzohesh lirisë absolute që ta mundëson shoqëria këtu." Ajo që nuk i pëlqen është rënia e nivelit arsimor dhe rritja e ndikimit të kulturës orientale në radhët e shqiptarëve të Maqedonisë.

Prindërit janë ndërkohë në pension. Me ta Hajredin Ibrahimi shkon një herë në vit në  vendlindje. "Ne jemi bërë gjysmë të këtushëm dhe gjysmë të atjeshëm, sepse p.sh kur jemi me pushime, është mirë që shkojmë po është mirë që edhe kthehemi."

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora