1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

DSK - Rënia e thellë e një ylli politik

Ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominique Strauss-Kahn ndodhet sërish në gjyq. Atë e akuzojnë për favorizim ilegal të prostitucionit. Ky nuk është i pari skandal seksual i tij.

Për gatër katër vjet e drejtoi ai njërin nga institucionet më të rëndësishme të botës, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Më parë ai ka qenë "super-minister" në Francë për ekonominë dhe financat. Edhe vetë posti i presidentit të vendit dukej i arritshëm në 2011 për presidentin francez. Profesori i ekonomisë që flet shumë gjuhë u bë i famshëm si politikan popullor dhe në kuadër të krizës financiare botërore "si mjek i ekonomisë botërore"- duke këshilluar qeveritë në të gjithë botën.

Por herë pas here karrierën e tij meteorike e shoqëronin edhe skandale. Që në vitin 2008, në fillim të punës së tij si drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar një aferë me një nga bashkëpunëtoret e tij tërhoqi vëmendjen. Gruaja pas kësaj u largua me marrëveshje dypalëshe nga institucioni dhe Dominique Strauss-Kahn, i njohur në Francë si DSK fitoi një reputacion të shkëlqyer në FMN dhe konsiderohet shpejt njëri nga burrat më me ndikim në botë.

Pas kësaj, në maj 2011 erdhi goditja e parë e rëndë. Policia e Nju Jorkut e arrestoi Strauss-Kahn-in kur ai ndodhej tashmë në avionin që do të nisej për në Francë dhe e nxjori pak më vonë me pranga në duar para shtypit. Fotografia e Strauss-Kahnit të akuzuar qarkullon nëpër botë.

Nafissatou Diallo, pastruese në hotelin luksoz "Sofitel" e akuzoi Strauss-Kahn-in se e kishte detyruar për seks oral dhe marrëdhënie seksuale. Drejtorin e atëhershëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar e marrin në paraburgim. Pak ditë më vonë ai jep dorëheqjen nga kreu i FMN, por duke theksuar pafajësinë e tij.

Megjithatë hetimet vazhduan dhe Strauss-Kahnit nuk i lejohej të largohej nga SHBA. Gjashtë javë ai i kalon në arrest në një apartament të Nju Jorkut, ku e çuan pasi pagoi një depozitë për garanci. Procesi penal ndërpritet për shkak të dyshimeve në besueshmërinë e dëshmitares. Procesin civil, Strauss-Kahn-i e mbyll në vitin 2012 me një dakordim jashtë gjyqit me Diallo-n.

Newsweek Cover DSK Strauss-Kahn Magazin quer

Kopertina e Newsweek kur pati publikuar artikullin mbi aferën Strauss-Kahn - Diallo më 2011

Në shtator 2011 DSK kthehet për herë të parë në Francë. Reputacioni i tij duket i vënë në vend. Disa madje kërkojnë që Strauss-Kahni të konkurrojë për t'u emëruar si kandidat për president në zgjedhjet presidenciale. Por sapo mbërriti në Francë, sërish dëgjohen akuza për ngacmim seksual, nga një gazetare e re. Ajo thotë se Strauss-Kahni e ka ngacmuar atë gjatë një interviste në vitin 2002.

Pak pas kësaj, prokuroria franceze nis hetimet në një rast tjetër. Orgji seksuale dhe sigurimi i prostitutave janë në qendër të aktakuzës. Menaxherin dhe të ngarkuarin e hotelit luksoz "Carlton" e akuzojnë se kanë organizuar prostituta për klientët e tyre. Edhe emri i Strauss-Kahnit përmendet në hetime. Zbulohet një rrjet evenimentesh për të bërë seks, midis të tjerave në Paris dhe në Lille të Francës veriore.

Në mars 2012 nis kundër tij një proces hetimor. Hetuesit besojnë se Strauss-Kahni edhe kur ka qenë në postin e Shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka luajtur rol qendror në takimet, ku ai ka qenë "mbreti i mbrëmjes". Ai akuzohet edhe se ka marrë pjesë në organizimin e takimeve. Strauss Kahn pranon që ka marrë pjesë në takime, por se nuk e dinte që gratë kanë qenë prostituta.

Në vitin 2013 prokuroria kërkon ta ndërpresë procesin. Por gjykatësit megjithatë nuk pranojnë, sepse kanë dyshime nëse DSK thotë të vërtetën. Krahas ish-politikanit, me të janë akuzuar 13 persona të tjerë. Në të njëjtin vit gruaja e tretë e Strauss-Kahn-it, Anne Sinclair divorcohet prej tij. Procesi që nisi të hënën (02.02.2015) është caktuar të vazhdojë tri javë.