1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Drojë për përshkallëzimin e trazirave në Maqedoni

Përgatitja e opozitës për goditjen përfundimtare ndaj qeverisë në demonstratën e së dielës (17.05) rrit shqetësim për demokracinë e brishtë në Maqedoni. Gruevski po mobilizon mbështetësit e tij për kundër-demonstrata.

Tensionet politike në Maqedoni po rriten në valën e përgatitjes së demonstratës së madhe të opozitës kundër qeverisë së kryeministrit Nikola Gruevski. Demonostrata e masive e planifikuar për më 17 maj synon largimin e Gruevskit dhe partisë së tij konservatore VMRO-DPMNE nga pushteti, që ai e mban qysh nga viti 2006. Zoran Zaev, lideri i opozitës socialdemokrate të Maqedonisë, ka shpallur protesta "që do të vazhdojnë derisa qeveria të japë dorëheqjen." Që nga fillimi i muajit mars të këtij viti, Zaev është duke bërë publike bisedat e regjistruara nga përgjime masive, në të cilat bëhet fjalë për korrupsion dhe kontrollin ndaj drejtësisë e mdias prej gruevskit dhe qeverisë së tij. Gruevski mohon çdo akuzë për shkelje dhe pretendon se Zaev është peng në një komplot ndërkombëtar të mbështetur nga shërbimet e huaja të inteligjencës kundër qeverisë së tij.

Në një përpjekje për t'i zbutur tensionet, Gruevski kërkoi dorëheqjen e tre nga bashkëpunëtorët e tij më të besuar: Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska, ministrit të Transportit Mile Janakieski dhe kryetarit të Shërbimit Sekret Sasho Mijalkov. Që të tre këta kanë qenë figurat kryesore të pushtetit të Gruevskit qysh nga viti 2006. Mijalkov, i cili është edhe kushëriri i Gruevskit, konsiderohet si një nga njerëzit më të fuqishëm në vend, ndonëse paraqitjet e tij në publik janë shumë të rralla. "Këto dorëheqje e kanë dëmtuar imazhin e Gruevskit si një lider i fortë që epet ndaj presionit, nuk pranon apelet për dorëheqje", thotë për DW analisti politik dhe ish-diplomati Arsim Zekoli.

"Gruevski duhet të shkojë"

Për opozitën, e cila e ka bojkotuar parlamentin që nga zgjedhjet e fundit në vitin 2014 duke pretenduar se zgjedhjet janë manipuluar, dorëheqjet "nuk janë të mjaftueshme". Ajo kërkon krijimin e një qeverie të përkohshme, që të organizojë zgjedhje të reja, pasi Gruevski të japë dorëheqjen. Ky skenar po gjen gjithnjë e më shumë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kryeministri bullgar Bojko Borisov i bëri thirrje Gruevskit të japë dorëheqjen qysh të dielën më 10 maj. Thirrja e Borisov u mbështet më pas (13.05) edhe nga Alexander Graf Lambsdorff, zëvendës-president i Parlamentit Europian. "Gruevski duhet të japë dorëheqjen, sepse ai është një pengesë për kapërcimin e tensioneve ndëretnike, që janë trazuar përsëri si dhe për t'i hapur rrugën zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen në kushte të rregullta demokratike", tha Lambsdorff në një deklaratë.

Por lëvizjet e fundit të Gruevskit flasin për diçka tjetër. Një ditë pasi ministrat dhanë dorëheqjen, më 12 maj, burime që duan të mbeten anonim, nga radhët e VMRO-DPMNE i thanë DW-së, se Gruevski po planifikon pë rmë 18.05 "demonstrata të mëdha kundër" manifestimit të opozitës. Mediat në Maqedoni raportojnë se "100.000 njerëz janë mobilizuar për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore".
Ndërkohë, mediat pro-qeveritare kanë nisur një fushatë të re propagande përmes një videoje të publikuar në YouTube, ku Zaev akuzohet se ka marrë një ryshfet prej 200.000 €. Zaev e ka mohuar këtë akuzë, duke thënë se burimi i videos në YouTube është ose policia, ose prokuroria.

Edhe pse publikimi i materit të regjistrimeve i hapi një drejtim të ri karrierës politike të Zaevit, ky i fundit nuk është imun për t'u vetëmbrojtur ndaj akuzave të tilla. Në vitin 2008 ai u arrestua nën akuzën për korrupsion që arrinte një shumë prej 5 milionë eurosh. Megjithatë çështja u mbyll, pasi presidenti i atëhershëm Branko Cërvenkovski ish- udhëheqësi i Partisë Socialdemokrate e fali atë.

Mazedonien Abhöraffäre Zoran Zaev SDSM

Kreu i opozites, Zoran Zaev


Skena politike e përçarë


Skena politike e Maqedonisë është e përçarë thellësisht. Dy partitë kryesore rivale janë ajo nacionaliste-konservatore VMRO-DPMNE dhe Partia Socialdemokrate, pasuese e ish-Partisë Komuniste, pas fitores së pavarësisë së Maqedonisë si rrjedhojë e shpërbërjes së Federatës Jugosllave në vitin 1991.
Por informacioni i përhapur nga afera e përgjimeve ka nxitur një lëvizje krejtësisht të re, të pavarur nga të dy blloqet politike. Mijëra njerëz të rinj, të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, dolën në rrugë më 5 maj për të protestuar kundër qeverisë lidhur me rastin e vdekjes së një 22-vjeçari në vitin 2011. Gjatë përleshjeve të dhunshme me policinë, të paktën 30 oficerë u plagosën dhe mbi 40 vetë u arrestuan. Por qysh atëherë protestat nuk kanë të ndalur. "Çdo ditë në orën 18:00" - është motoja e demonstruesve " dhe "derisa qeveria jepë dorëheqjen"- janë parrullat kryesore të protestuesve. Lëvizja e protestës ka bashkuar grupet etnike dhe shoqërinë e përçarë të Maqedonisë, siç i thekson në intervistë për DW Aleksandar Donev, një nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje, misioni i tyre do të vazhdojë edhe pasi një qeveri e re vijë në pushtet.


"Detyra jonë qytetare do të vazhdojë derisa të jenë plotësuar kërkesat tona", thotë Donev. "Ne kurrë nuk duhet të harrojmë të keqen e tanishme dhe ne nuk mund të lejojmë kjo të përsëritet. Ne kemi një përgjegjësi për të pasur një qeveri në vend, e cila të ketë frikë nga populli dhe jo anasjelltas".