1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Droga për trurin kundër presionit në punë

Shumë njerëz marrin mjete stimuluese, në mënyrë që të përmbushin kërkesat e vendit të punës. Rezultati paradoksal është se mungesat në punë shtohen. BE-ja vlerëson se punëdhënësit janë të detyruar të bëjnë diçka.

Para se të vdiste ai kishte punuar tri netë pa ndërprerje. Pastaj E. Moritz u gjet i pajetë në dushin e dhomës së një hoteli në Londër. Ai ishte 21 vjeç, kur vdiq. Sipas informacioneve të mediave praktikanti i një banke investimi vuante nga epilepsia dhe duhej të ishte stërmunduar nga puna. Raste si ky e vënë në gjendje alarmi edhe Komisionin Evropian në Bruksel. Të rinjtë nuk duhet të shfrytëzohen, me qëllim që kompanitë të shtojnë fitimet, mendon eurodeputetja socialdemokrate Jutta Steinruck.

Më shumë mungesa në punë

Kështu e sheh këtë çështje edhe sigurimi shëndetësor AOK, i cili javën e kaluar publikoi raportin për kohët e mungesës në punë. Sipas tij shumë gjermanë marrin mjete stimuluese për të përballuar kërkesat në punë. Për të përballuar situatat stresante në punë pesë përqind e punonjësve në dymbëdhjetë muajt e fundit kanë marrë ilaçe të tilla, si psikofarmaka, apo amfitamina për të rritur rendimentin e tyre në punë", thotë zëvendësdrejtori i Institutit Shkencor të AOK (WIdO), Helmut Schrëder, për Deutsche Wellen. Sidomos punonjësit e rinj janë të rrezikuar që të marrin hapa stimulues për të shtuar rendimentin. Këto medikamente ndihmojnë kundër lodhjes dhe rënies së përqëndrimit. Tek personat nën 30-vjeç një në dymbëdhjetë vetë janë të prekur prej kësaj.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Problemi është se stimuluesit mund të shkaktojnë dhimbje koke dhe të vjella, të krijojnë varësi dhe të dëmtojnë organet. Në mes viteve 2002 dhe 2012, sipas raportit mbi mungesat në punë, numri i ditëve të paaftësisë për punë është rritur rreth 17 për qind nga marrja e substancave stimuluese.

Të prekur sidomos punonjësit me sens të lartë përgjegjësie


Nga ky problem, thotë eurodeputetja Steinruck në një intervistë me DW, nuk është e prekur vetëm Gjermania, por të gjitha vendet e industrializuara. Edhe gjatë studimit shumë studentë jepen pas medikamenteve, që rrisin rendimentin. "Nëse shohim SHBA për shembull, ka universitete, ku 25 për qind e nxënësve marrin mjete stimuluese." Në Gjermani pesë për qind e nxënësve marrin rregullisht mjete të tilla. "Kjo është një shenjë alarmi, në qoftë se të rinjtë të ndihen nën një trysni kaq të madhe", thotë Steinruck.

"Stresi i madh dhe ngarkesat shumë të larta në punë mund të shkaktojnë sëmundje psiqike dhe varësi", bën të ditur Shoqata e Sindikatave Gjermane (DGB) e pyetur nga DW. Kjo ka të bëjë në rradhë të parë me konfliktet me eprorët dhe mobing. Por edhe orët shumë të gjata të punës çojnë në depresion dhe në ndjeshmëri më të lartë ndaj varësive. "Kjo prek veçanërisht punonjësit, të cilët angazhohen me një sens të lartë përgjegjësie në punë", shpjegon Helmut Schrëder i institutit WIdO. Ata janë shpesh nervozë dhe marrin më shpesh pilula dhe alkool. "Sipërmarrësit duhet t'i ndihmojnë ata të mbrohen nga vetja", thotë Shrëder.

Kompanitë të detyruara të veprojnë

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Shoqata e Sindikatave gjermane mendon se punëdhënësit duhet të bëjnë diçka. "Kushtet e mira të punës janë për mendimin tonë parandalimi më i mirë i varësisë. Shtimi alarmant i varësive në Gjermani është një tjetër arsye, për të përmirësuar vlerësimin e punës me pagesa të mjaftueshme, organizimin e mirë të punës dhe sigurinë e vendeve të punës", bën të ditur DGB për DW. "Këshillat e ndërmarrjeve dhe të kuadrit përpiqen që të zbulojnë streset psikologjike në ndërmarrje dhe të luftojnë trysninë e madhe dhe stresin, por angazhimi i punëdhënësve kundër këtyre faktorëve është shumë i ulët."

Një kompani mund të ndikojë mbi shëndetin e punonjësve edhe me anë të kurseve përkatëse, thotë drejtori menaxhues i Qendrës gjermane për Çështjet e Varësisë. "Në to mund të ofrohet meditim, apo relaksim dhe sport. Këto kurse mund të zhvillohen ose në kohën e punës, ose të bashkëfinancohen nga punëdhënësi", tha ai për radion Berlin-Brandenburg

Një çështje për politikën

Për eurodeputeteten Steinruck është e qartë se politika duhet të veprojë, në mënyrë që marrja e mjeteve stimuluese të vështirësohet. "Ne duhet të kufizojmë mjetet stimuluese, që tregtohen lirshëm në internet." Por politika duhet të punojë kryesisht në drejtim të parandalimit. Këtu bën pjesë kontrolli ligjor i orëve të punës dhe përcaktim i pagave, që të jenë të mjaftueshme për të jetuar.

"Puna e përkohshme, mobiliteti i detyruar, veprimtaria private fiktive duhet të limitohen gjithashtu me ligj. Kjo do t'i shpëtonte punonjësit nga presioni."