1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Drogë në vend të qepëve

Shqiptarët luajnë rolin e korrierit në trafikun lëndëve narkotike nëpër Evropë. Edhe në rolin e shitësit i gjen ata dendur. Automjete me targë shqiptare ndalohen shpesh nga policia në BE.

default

Nuk ishte hera e parë që shoferi i kamionit dilte nga Shqipëria për të udhëtuar për në Evropë, por ndoshta dita e 9 marsit do të ishte e fundit. Ishte dita kur ai po përshkonte Bavarinë në drejtim të Holandës, e ku policia doganore do ta ndalte për një kontroll rutinë. Kamioni dukej i zbrazët, veçse mbas një kontrolli më të hollësishëm dogana zbuloi se tek ballina e rimorkios ishin bërë punime.

Kamion në doganë

Kamion në doganë

"Doli që muri ishte i dyfishtë dhe se në të fshiheshin 222 pako me mariuhanë, me një peshë prej gjithsej 232 kg. Vlera afro 750 mijë Euro", thotë për Deutsche Wellen Juergen Thiel nga departamenti bavarez i antidrogës.

Kamioni ishte nisur nga Durrësi për në Bari dhe e kishte marrë rimorkion në Ankonë dhe itinerari përfundimtar ishte Holanda. Pikërisht vendi ku droga të tilla të lehta shpërndahen me licencë shtetërore. "Kjo ka të bëjë me faktin që presioni ndaj plantacioneve ilegale në Holandë kohët e fundit është rritur", shpjegon Thiel më tej, "kështu që një pjesë e mariuhanës merret nga vendet e tjera. Këtu hyn edhe Gjermania ku vihet re një rritje e serrave të bimëve narkotike, por edhe Shqipëria, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm, pasi marihuana e saj është e një cilësie të mirë për shkak të kushteve klimatike në të cilat rritet." Katër javë më parë, një kamion i ngjashëm me mbi afro 150 kg mariuhanë, po me targë shqiptare, u kap në Kroaci.

Marihuanë

Marihuanë

Përveç eksportimit të mariuhanës, shqiptarët në Gjermani kanë rënë në sy edhe për kontrabandën e kokainës. Zëdhënësi i Entit Federal për krimet doganore, me seli në Këln, Wolfgang Schmitz, i thotë Deutsche Welles se bëhet fjalë për "grupime të krimit të organizuar, të cilat dihen që nuk lënë askënd të hyjë në strukturat e tyre, duke filluar që nga iniciatorët e deri tek ndërmjetësuesit, shitësit dhe korrierët që i kthejnë paratë tek shitësi me shumicë." Dëshmi për këtë janë rastet e kapura gjatë gjashtë muajve më të fundit në Duisburg, Essen, Hamburg, Ulm, Frankfurt, ku korrierët që janë kapur kanë pasur me vete sasi kokaine në 1,5 deri 5 kg.

Këmbim më i mirë informatash

Schmitz thotë se kontrabanda me mjete narkotike nuk ka rënë aspak gjatë viteve më të fundit. Kjo vihet re në qëndrueshmërinë e çmimit, i cili nuk është rritur kurrsesi. Por ajo që ka ndryshuar dhe që u jep shpresë nëpunësve në Gjermani është bashkëpunimi ndërmjet shteteve.

Policia maqedonase duke konfiskuar heroinë

Policia maqedonase duke konfiskuar heroinë

"Ne këmbejmë informacione ndërmjet 40 vendeve dhe shumë shpesh janë këto që bëhen shkak për kapje të suksesshme në Ballkan." Një bashkëpunim i tillë tregoi fryte vitin e kaluar kur në Shqipëri ku ndër të tjerash edhe dy shtetas gjermanë u kapën me 40 kg heroinë në Kakavijë. "Falë këmbimit të informatave, ne nuk arrijmë të kapim vetëm korrierët, por edhe ata që qëndrojnë pas tyre", thotë Schmitz.

Ndërsa kamioni që u kap dy javë më parë në Bavari me sa duket ishte thjesht rezultat i "nuhatjes së veçantë" të policëve doganorë ndaj një makine me targë shqiptare. Shoferi 36-vjeçar pretendon se nuk dinte gjë për ngarkesën e veçantë dhe se ishte nisur për në Holandë për të marrë qepë. Por se sa i besueshëm është ky variant, kjo do të dalë në pah nga gjyqi që pritet të zhvillohet mbas tre ose katër muajsh, thotë Thiel.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhYv
  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhYv