1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dritarja e lirisë është hapur - Shpresë për demokraci në mbarë botën arabe

Ngjarjet në Kajro dhe më parë në Tunizi janë të ngjashme me skenat historike nga Lajpcigu apo Berlini: pushtetmbajtësit u larguan ndërsa njerëzit përqafohen. Populli ka fituar, mendon në komentin e tij Ibrahim Mohamad.

default

Miliona qytetarë arabë nga Mauritania e deri në Bahrein janë të entuziazmuar dhe të elektrizuar nga hapja e dritares së lirisë, sepse të gjithë ata, më pak apo më shumë, vuajnë nga tirania dhe mungesa e lirisë. Edhe ata janë "një popull".

Pushtetmbajtësi i Tunizisë Zine el-Abidine Ben Ali ra me 14 janar, ndërsa "faraoni" i Egjiptit Hosni Mubarak me 11 shkurt. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se këto dy data kanë shkruar një faqe të historisë, sikur 9 nëntori i vitit 1989 që shënoi rënien e Murit të Berlinit dhe fillimin e rënies së regjimeve komuniste në Evropën lindore.

Së pari Tunizia, pastaj Egjipti. Po nesër? Algjeria tani më ka përjetuar disa protesta të ashpra, Jemeni poashtu, Jordania e madje edhe Sudani. Së shpejti mund të jenë në radhë dhe disa vende të tjera, sepse informatat përhapen shumë shpejt përmes rrugëve më të reja të komunikimit si interneti apo programet satelitore. Ngjarjet në Tunizi dhe Egjipt mund të lirojnë kërkesat e kahershme për liri. Shumëkush mendon se ato mund të kenë një efekt domino. Dhuna, cenzura, shtypjet: asgjë më nuk mund të ndalonte popullin. Kjo mund të ndodhë gjithandej dhe askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo.

Natyrisht që ka edhe rreziqe. Kjo mund të shkaktojë valë të re refugjatësh, sikur tani në Lampeduza të Italisë. Këtu mund të ndihmojë rritja ekonomike, me një ndihmë sa më të madhe të mundshme të Evropës. Në shtigje të gjata shtrohet pyetja: Çfarë do të ndodhë me stabilitetin dhe arkiteturën e sigurisë në rajon? Cilat forca do të mbisundojnë? Shqetësimet janë të kutpueshme, por do të ishte një sinjal i gabuar nëse këto gjëra vëhen tani në plan të parë. Stabiliteti dhe siguria në këtë rajon kurrë nuk kanë qenë në nivel dhe këtu pikërisht autokratët e ashtuquajtur "pro-perëndimor", kanë një pjesë të fajit. Në anën tjetër, njerëzit shumë hapur grinden për lirinë dhe pluralizmin, demokracinë dhe barazinë sociale. Ata nuk kanë marrë si bazë veprimi fenë apo elementet tjera përçarëse. Për këtë meritojnë shumë respekt. Për fat të mirë, idelogjitë islamike apo të tjera, deri tani kanë vetëm një rol të vogël.

Historia nuk përsëritet por mund të shërbejë si shkollë. Shpresoj se rënia e Murit të Berlinit dhe rënia e regjimeve komuniste në Evropën lindore do të jenë si mësim për botën arabe. Shpresoj se do të kemi ndryshime revolucionare - pa gjakderdhje. Po, unë ëndërroj për një botë të re arabe me sisteme pluraliste dhe qeveri të zgjedhura me mjete demokratike, me sistem të pavarur juridik, kur respektohen liria e të menduarit dhe ku ka një shoqëri të fuqishme civile. E di që këso ëndërrash kanë dhe shumë njerëz të tjerë: në të gjitha vendet arabe qytetarët synojnë liri dhe barazi. Ata nuk duan që dikush të përzihet në mënyrë direkte nga jashtë. Por duan solidaritet dhe mbështetje.

Autor: Ibrahim Mohamad

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 14.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Gu1
  • Data 14.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Gu1