1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dritë - hijet e Shqipërisë në vitin 2011

Retrospektiva 2011në Shqipëri: Nën hijen e ngjarjeve të 21 janarit, ritualit të zgjedhjeve të kontestuara dhe notave jo optimiste nga Brukseli.

default

Që në javët e para të këtij viti tensioni politik mes mazhorancës dhe opozitës arriti kulmin. Një protestë antiqeveritare pak metra larg selisë qendrore të qeverisë u përshkallëzua në përplasje fizike dhe dhunë mes protestuesve dhe forcave të shtuara të policisë. Nga përdorimi i armëve të zjarrit 4 protuestues humbën jetën, ndërkohë që dhjetra të tjerë mbetën të lënduar. Kjo ngjarje e 21 janarit 2011 e ktheu edhe një herë Shqipërinë në imazhet e medias ndërkombëtare si në skenat e vitit 1997, gjë që u shoqërua më pas me një ritual protestash nga opozita që kërkonin drejtësi për jetët e humbura.

Tirana Albanien Protest

Pamje nga Tirana më 21.01.2011

Edhe pse me një ndërhyrje energjike të faktorit ndërkombëtar atmosfera e acaruar politike përshkroi dhe fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një kohë që pritej që përfundimi i garës zgjedhore të ishte faktor për çtensionim, përllogaritja e rezultatit për fituesin e bashkisë së Tiranës, mbajti për afër 2 muaj e gjysmë në interpretime të kundërta mes mazhorancës dhe opozitës vlefshëmrinë e shifrave në favor të kandidatit nga rradhët e së djathtës Lulzim Basha dhe rivalit të tij nga e majta, Edi Rama, që është dhe shefi i opozitës. Pas një kalvari shqyrtimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji i Gjykatës së Apelit, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha bën betimin më 18 korrik si kryetari i ri i bashkisë më të madhe në Shqipëri, ndërkohë që sipas opozitës rezultati i votimeve ishte i manipuluar.

Vizitorët nga vendet e BE-së sjellin impulse të reja

Takimi më 9.11.2011 mes parlamentarë shqiptarë dhe atyre të BE-së

Takimi më 9.11.2011 mes parlamentarë shqiptarë dhe atyre të BE-së

Në fillim të gushtit marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë marrin një impuls të ri nga vizita triditore e Dirk Niebel, ministrit federal gjerman të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit. Sektorët strategjikë si energjia, përmirësimi i infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve në zonat e banuara, mjedisi, suporti për arsimin profesional e sipërmarrjet e vogla e të mesme etj., do të mbeten në fokus të mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë. Sipas Niebel "qëllimi ynë kryesor është mbështetja e Shqipërinë në afrimin me BE-në".

Në sezonin e ri parlamentar, në muajin shtator, në Tiranë mbërritën në një vizitë të sinkronizuar nga Brukseli, dy shefat e diplomacisë së fqinjëve të Shqipërisë që janë anëtarë të BE-së, Italisë dhe Greqisë. Franko Fratini dhe Stavros Lambrinidis paralajmëruan pak javë para publikimit të Progres Raportit të Komisionit Europian 2011, për një sërë kritikash në adresë të Shqipërisë dhe për një përgjigje negative ndaj kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. "Mesazhi që ju përcjellim është se ka ardhur koha për një bashkim kombëtar në rrugën europiane të Shqipërisë. Në këtë proces determinant mbetet plotësimi i 12 prioriteteve të njohura. Reforma elektorale, reformat e tjera nga parlamenti, respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, çështjet që lidhen me forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe nxitjen e transparencës, fuksionimi në mënyrë normale i parlamentit përbëjnë pjesë të këtyre prioriteteve të rëndësishme. Ashtu siç ka rëndësi hartimi i ligjeve të përshtatshme dhe të garantohet zbatimi i tyre. Ne në BE mendojmë se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për plotësimin e rekomandimeve të kërkuara", deklaroi mes të tjerave Stavros Lambrinidis, ministër i Jashtëm e Greqisë.

Progres Raporti jo optimist

Të parapërgatitur për një vlerësim jo optimist të zhvillimeve në Shqipëri në procesin e integrimit europian në mbledhjen e Komisionit Europian më 12 tetor 2011 kur do të zyrtarizohej dhe Progres Raporti, forcat kryesore politike shqiptare u angazhuan për reflektim në plotësimin e 12 prioriteve që kërkonte Brukseli. "Sikundër dhe në vite të tjera, Progres Raporti përbën një program të vërtetë pune, për sa u përket reformave të qeverisë sime dhe të çdo agjencie përkatëse. Çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do ta shndërrojë në plan pune"- deklaroi kryeministri Sali Berisha sapo mori në dorë tekstin e përgatitur nga Komisioni Europian. Ndërkohë që nga selia e partisë më të madhe opozitare në një komunikatë zyrtare vlerësohej si analizë e kthjellët edhe se "Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë."

Rritje e abuzimeve një vit pas liberalizimit të vizave

Liberalisierung der EU-Visa für Albanien Tirana Feierlichkeiten

Një vit pas aplikimit për qytetarët shqiptarë të lëvizjes pa viza për në zonën Shengen të BE-së kanë dalë në pah dhe disa shqetësime të shteteve anëtare për rritjen e rasteve të kërkesave për azilim nga persona të veçantë. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme në Tiranë pjesa më e madhe e azilkërkuesve ka nxjerrë si shkak mbrojtjen nga fenomeni i gjakmarrjes, por autoritetet shqiptare kanë informacione se bëhet fjalë për abuzime dhe përdorim të dokumenteve të fallsifikuara, që janë lëshuar kundrejt pagesës së ryshfetit 50 deri në 100 euro. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në një intervistë për Deutsche Welle-n në mes të muajit tetor u shpreh se "jemi duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e institucioneve të këtyre vendeve, ku Ministria e Brendshme në Tiranë ka bërë të qartë se të gjithë qytetarët shqiptarë që janë paraqitur për të kërkuar azil në mënyrë të paargumentuar dhe me dokumente të fallsifikuara do të kthehen menjëherë në Shqipëri. Gjithashtu po shikojmë nëse këtu kemi të bëjmë dhe me elementë të veprimtarisë kriminale. Nuk do të mund prishin imazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët treguan me procesin e regjimit të vizave për zonën Schengen se janë bashkëpunues dhe të gatshëm për të respektuar sistemin e rregullave për udhëtimin pa viza."

Sinjale pozitive bashkëpunimi pozitë-opozitë

Në muajin e fundit të vitit 2011 nga klasa politike shqiptare erdhën sinjale pozitive për frymën e bashkëpunimit dhe për përpjekje për konsensus në realizmin e reformave thelbësore. Pas dështimit të tre raundeve të mëparshme në bisedimet BE – Shqipëri të komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin, mazhoranca dhe opozita miratuan më 9 dhjetor një rezolutë të përbashkët. Në prezencën dhe të përfaqësuesve të Delegacioni për Marrëdhëniet me Europën Juglindore në Parlamentin Europian, të dyja palët u angazhuan për konsensus politik në procesin e kryerjes së reformave në përmbushje të kërkesave të BE-së. Reforma zgjedhore, adaptimi i rregullores së punës së parlamentit shqiptar, miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, fuqizimi i luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit etj., ishin pjesë e rezolutës. Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, menjëherë pas miratimit të rezolutës tha për Deutsche Welle-n se besonte që kjo "nuk është thjesht një show politik, një pauzë që ju duhet palëve për t'ja nisur një acarimi tjetër. Debati mes mazhorancës dhje opozitës nuk do të thotë se u shua, por gjithçka të vendoset në 'shtratin' e konsensusit për integrimin europian. Këtë presin qytetarët shqiptarë nga klasa e tyre politike, këtë pret dhe Brukseli dhe të gjitha vendet anëtare. Askush nuk mendon dhe vlerëson se hapat e duhur janë vetëm si tregues për të marrë ok e statusit të vendit kandidat, apo për të avancuar në çdo fazë të procesit që shkon drejt antarësimit të vendit në BE."

Ambasadorja e RFGJ-së në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper

Ambasadorja e RFGJ-së në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper

Ky akord mes mazhorancës dhe opozitës u komentua dhe nga ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper gjatë një interviste për Deutsche Welle-n për bilancin e këtij viti: "Unë mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive. Qeveria dhe opozita kanë arritur të bien dakord mbi hapat që do të ndjekin për përmirësimin e rregullores së punës së parlamentit, gjithashtu kanë vendosur të punojnë për reformën elektorale dhe kanë arritur të bëjnë një plan veprimi në përputhje me frymën dhe rekomandimet e Progres Raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deri më tani ka dhe hapa konkretë, p.sh. zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Kombëtare apo dhe për Avokatin e Popullit, ku janë realizuar procedura tejet transparente, në bazë të konkurueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kandidaturave. Na mbetet të shpresojmë në vijim që edhe postet e tjera me të njëtën përgjegjesi të mund të përzgjidhen dhe të përcaktohen me të njëjtën transparencë."

Për Shqipërinë kalendari i vitit 2012 ka ngjarje të shënuara, siç është 100 vjetori i krijimit të shtetit shqiptar apo 25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora