1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Drews: Në Kosovë kanë mbetur vetëm barrikadat mbi Ibër

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Drews, mbajti në Prishtinë takimin e fundit me gazetarë, para dorëzimit të postit. Ai bëri një bilanc të punës njëvjeçare në krye të trupës paqeruajtëse.

Barrikadat janë larguar nga të gjitha pjesët e tjera të veriut, me përjashtim të atyre që ndajnë pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës, theksoi komandanti Erhard Drews. Ai shtoi se barrikadat mbi urën e lumit Ibër mund të shihen edhe si shenjë e rezistencës dhe si domosdoshmëri për vazhdimin e procesit politik në Kosovë.

Ndër sukeset më të mëdha të tij dhe të KFOR-it gjatë një viti sa ishte në krye të trupave ndërkombëtare, ai i vlerësoi tejkalimet e situatave problematike dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës.

KFOR largon barrikadat e serbëve në Kosovë

KFOR largon barrikadat e serbëve në Kosovë

"Qëllimi im ka qenë që të dëshmojmë vendosmëri dhe profesionalizëm dhe që të mos tregohemi si forca pushtuese", theksoi gjenerali Drews. Ai shprehu nderim të veçantë për personat e plagosur gjatë aksioneve të këtij viti.

"Përparime mbresëlënëse!"

Drews përmendi edhe suksese të tjera. Një prej tyre është operacioni për siguri në kohën e zgjedhjeve të Serbisë, në maj të këtij viti. Këto zgjedhje u organizuan edhe në Kosovë, së bashku me misionin e Bashkimit Evropian EULEX dhe OSBE-në.

"Në Kosovë janë shënuar përparime mbresëlënëse", theksoi komandanti i KFOR-it. Megjithatë para Kosovës gjenden disa sfida shumë të mëdha. Ndër to janë vazhdimi i procesit politik dhe përmirësimi i gjendjes sociale, por këto nuk janë detyrë e KFOR-it.

Ndërrimi i komandantëve të KFOR-it në Kosovë bëhet me 7 shtator. Në vend të gjeneralit Drews është emëruar gjenerali tjetër gjerman, Volker Halbauer.