1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Drejtësia greke padit gazetarët

Gazetari grek Kostas Vaxevanis nxirret para gjyqit, sepse ka publikuar emra të persona të dyshuar për mospagim taksash. Vaxevanis e kritikon këtë mënyrë veprimi: autoritetet duan t'i mbyllin gojën shtypit, thotë ai.

Costas Vaxevanis

Costas Vaxevanis

Kostas Vaxevanis, gazetar që ngjall debate, dikur korrespondent lufte dhe aktualisht botues i revistës politike të Athinës "Hot Doc" e bëri në fundjavë lëmsh Greqinë, duke publikuar emrat e personave të dyshuar që kanë xhirollogari në Zvicër. Të gjithë emrat gjenden në famëkeqen "listë të Lagarde-s", që e ka marrë emrin nga Christine Lagarde, ish-ministrja franceze e Financave dhe Shefja e FMN sot, thotë Vaxevanis. Ajo përmban emra dhe të dhëna bankare të personave që kanë llogari rrjedhëse në filialen në Zvicër të Bankës së madhe HSBC (Hongkong and Shanghai Banking Corporation) dhe me sa duket ishte pjesë e të dhënave që qeveria franceze bleu te një punonjës i HSBC-së. Në vitin 2010 Lagarde ia dha listën homologut të saj grek, Giorgios Papakonstantinou.

Në labirintet e burokracisë greke

Pas kësaj, të dhënat bankare u zhdukën në labirintin e burokracisë. Papakonstantinou thotë sot se nuk e mban më mend se kujt ia ka dorëzuar listën. Pasardhësi i tij dhe Kryetari i Partisë PASOK, Evangelos Venizelos, deklaron se e ka pasur listën në një USB-flash dhe pas ndërrimit të fundit të qeverisë ia kishte dërguar atë kryeministrit të ri, Antonis Samaras. Ministri i Financave, Jannis Stournaras thotë se ai nuk di asgjë për këtë dhe ka kërkuar një kopje origjinale të listës nga Franca. "Për këtë temë nuk ka korrespondencë zyrtare midis Greqisë dhe Francës", thotë ministri i Jashtëm konservator grek, Dimitris Avromopoulus.

Pyetje pas pyetjesh

Këtu grekët çuditen: si është e mundur që këtë listë famëkeqe ta gjejë një gazetar i thjeshtë, por që politikanët më të fuqishëm të vendit të mos e gjejnë dot atë? Apo kemi të bëjmë këtu jo me listën e vërtetë të Lagardes, por me një listë të shkurtuar e akoma më keq të manipuluar?

Giannis Stournaras, ministër i Financave të Greqisë

Giannis Stournaras, ministër i Financave të Greqisë

Vaxevanis vetë deklaron se përmendja e emrit të një personi nuk është në vetvete dëshmi për mospagim taksash ose për delikte të ngjashme. Me fjalë të tjera: ai që e ka emrin në listë, është ose ka qenë dikur klient i filiales zvicerane të HSBC-së. Po kjo nuk do të thotë automatikisht se ai ka deponuar para të patatuara në Zvicër. Në fund të fundit, në Greqi ka liri për qarkullimin e kapitalit dhe të gjithë lejohen t'i dërgojnë paratë në Zvicër ose në ndonjë vend tjetër--nëse paratë vijnë nga burime legale dhe tatohen sipas ligjit.

Drejtësi vetjake e një gazetari?

Vaxevanis thotë se megjithatë nuk shkon që një listë e tillë thjesht të fshihet, në një kohë kur çdo gjysheje në Greqi i shkurtohet pensioni. Por prokuroria e sheh me sa duket këtë ndryshe: të dielën (28.10.12) vetëm pak orë pas publikimit të asaj që besohet si "Lista Lagarde", Vaxevanisin e arrestuan përkohësisht dhe tani po e nxjerrin para gjyqit. Atë e akuzojnë për shkelje të mbrojtjes së të dhënave personale si dhe për shkelje të të drejtave të personalitetit të të prekurve. Gazetarin e njohur e mbështet veç avokatëve të tij edhe opozita e majtë. Fakti i mbështetjes prej kësaj opozite shihet në mënyrë kritike në Greqi.