1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Drejtësia gjermane gjykon për gjenocidin në Ruandë

I akuzuari nga Ruanda jeton në Gjermani dhe gjenocidi mund të ndiqet penalisht kudo në botë. Por ky proces lidhet me mjaft probleme.

Në sallën e thjeshtë të Gjykatës së Frankfurtit dëshmitarë nga Ruanda treguan në mënyrë të detajuar për tmerrin e 11 prillit 1994, kur milicët hutu vranë 1.200 vetë që ishin strehuar në kishën e fshatit Kiziguro. Sot më 18.02.2014 merret vendimi për gjenocidin në Ruandë, ku në vitin 1994 brenda njëqind ditësh milicë të radikalizuar hutu vranë tri të katërtat e popullsisë së minoritetit tutsi.

Onesphore Rwabukombe, që është sot në bankën e të akuzuarve në Frankfurt ishte asokohe kryetar bashkie dhe politikan i popullsisë huti dhe është përgjegjës për masakrën në Kiziguro.

Padija mbështetet tek dëshmitarët

Gjenocidi mund të ndiqet penalisht kudo në botë. Ai është një nga krimet për të cilat aplikohet i ashtuquajturi parim i juridiksionit universal. 56-vjeçari Rwabukombe jeton që nga viti 2002 në Gjermani, dhe gjendet nga viti 2010 në paraburgim. Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm. Avokati i të afërmve të viktimave Dieter Magsam thotë: "Ka 15 dëshmitarë që vërtetojnë praninë e të akuzuarit në masakër. Ai ka marrë pjesë në të ai ka çuar me makinën e tij milicët tek kisha."

Shumë dëshmitarë erdhën në Gjermani me shpenzimet e gjykatës për të dëshmuar në proces. Disa të tjerë që gjenden në burg në Ruandë, u morën në pyetje me videofon. Avokatja e Rwabukombes, Natalie von Wistinghausen thotë se dëshmitarë e akuzojnë atë meqë në atë kohë ishte kryetar bashkie dhe kërkon pafajësinë e tij.

Eksperti i Ruandës, Gerd Hankel, thotë se në Ruandë është e zakonshme që personat që ishin në pushtet në kohën e maskrave janë dënuar për gjenocid vetëm sepse i takonin elitës politike të vendit dhe për këtë konsideroheshin si nxitës të gjenocidit.

Terren i ri për drejtësinë gjermane

A mund të gjykojë një gjykatë gjermane në mënyrë neutrale për krimet në Ruandë? Problemi kryesor është mungesa e njohurive të gjyqtarëve gjermanë për mentalitetin e ruandezëve, kontekstin historik të vendit, problemet me përkthimin e kështu me radhë, thotë Gerd Hankel.

Po ashtu gjati procesit pati dyshime se dëshmitarët që erdhën nga Ruanda kanë qenë nën ndikimin e qeverisë dhe presidenti i tanishëm i vendit, Paul Kagame, është tutsi. Ushtria e tij rebele i dha fund në korrik 1994 gjenocidit dhe erdhi në pushtet. Kangame drejton në mënyrë autoritare dhe kush vë në dyshim politikën dhe qëndrimin zyrtar, rrezikon burgun.

Si organi i akuzës dhe avokatët janë të paktën në një pikë të një mendjeje, që Gjermania nuk është vendi i përshtatshëm për të gjykuar për krime që kanë ndodhur në Ruandë, sepse sistemit gjerman të drejtësisë i mungon përvoja me raste të tilla, megjithë përpjekjet e mëdha për ta sqaruar rastin sa me pastër.

Avokatja e Rwabukombes Natalie von Wistinghausen mendon se më e përshtatshme do të ishte që çështja të gjykohej prej Gjykatës ndërkombëtare për Ruandën e cila është ngritur në vendin fqinjë, në Tanzani. Kjo është një gjykatë e specializuar për gjenocidin.

Kurse Gerd Hankel beson se drejtësia gjermane është në gjendje të gjykojë për çështje të tilla, por sipas tij do të qe mirë që gjyqtarët dhe gjyqtaret të kishin shkruar në Ruandë për t'u takuar aty drejtpërdrejt me njerëzit dhe për të këqyrur vendin e krimit.

Përvojat e procesi të Frankfurtit mund të shërbejnë si shembull për gjykatat e Shtutgartit dhe Dyseldorfit, ku gjithashtu po zhvillohen procese ndaj disa ekstremistëve të dyshuar të fisit hutu dhe mbështetësve të tyre.