1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Drejtësia bën hetime kundër gardianëve të Auschwitzit

Dekada pas çlirimit të kampit të përqendrimit të Auschwitz-it zhvillohen hetime kunër 51 ish-rojeve të kampit të Auschwitz-it. Presidenti i i Këshillit Qendror të Hebrenjve flet për një sinjal të rëndësishëm.

"Drejtësia nuk njeh kohë skadimi", për këtë Dieter Graumann, president i Këshillit Qendror të Hebrenjve, është i bindur, siç thekson ai në bisedë për DW. Nga këndvështrimi i tij është një lajm i mirë, që tani, rreth 68 vjet pas çlirimit të Kampit të Auschwitz-Birkenaut, kundër ish-rojeve të kampit më të madh asgjësues nis një proces gjyqësor.

"Instanca qendrore e Administratave të Drejtësisë së Landeve për Sqarimin e Krimeve Nacionalsocialiste" në Ludwigsburg, sipas informacioneve të grupit mediatik WAZ do të nisë parahetime kundër 51 ish-rojeve të kampit. Ky institucion ka emrat dhe të dhënat për vendet e banimit të të dyshuarve, shkruan gazeta e Berlinit, e cila i referohet drejtuesit të institucionit, kryeprokurorit Kurt Schrimm. Të dyshuarit jetojnë kudo nëpër Gjermani dhe janë në moshat 90 vjeç e lart. Ata akuzohen për dhënie ndihme për vrasje.

Numri i të dyshuarve, sipas Schrimmit mund të rritet deri në 80-90 vetë. Sepse qendra e Ludwigsburgut planifikon që të nisë hetime edhe në raste të kampeve të tjera të përqendrimit, i tha drejtuesi i Qendrës radios Deutschlandfunk.

Pse zhvillohen hetime pikërisht tani?

Çlirimi i Auschwitz-Birkenaut më 1945

Çlirimi i Auschwitz-Birkenaut më 1945

Shkas për nisjen e hetimeve është rasti John Demjanjuk. Procesi kundër tij u konsiderua historik, sepse me ukrainasin për herë të parë doli para një gjykate gjermane një roje kampi përqendrimi. Demjanjukun e pati mobilizuar me detyrim një njësi elite SS. Me dënimin e tij në vitin 2011, gjendja e vlerësimit juridik ka ndryshuar.

Kështu, Berliner Morgenpost shkruan se tani mjafton që të ekzistojnë dëshmi se ke qenë anëtar i SS-ve, për të plotësuar kushtet për veprën penale të ndihmës për të vrarë. Këtë gjykatat gjermane e patën parë ndryshe, derisa u hap procesi gjyqësor kundër Demjanjukut. Por "Fakti, që dikush ka qenë roje në kamp nuk na mjafton", i shpjegon Schrimm Deutschlandfunk-ut. "Ne duhet të vërtetojmë që këta njerëz kanë qenë me të vërtetë mbikqyrës"

Është e diskutueshme nëse do të arrihen dënime

Qendra e Ludwigsburgut ndodhet vetëm në fillim të punës së saj. Është e diskutueshme nëse në të ardhmen do të arrihet të shpallen dënime. "Ne duhet të verifikojmë nëse këta njerëz mund të përndiqen akoma", thotë Schrimm. "Po të kenë qenë njëherë para gjyqit dhe të jenë shpallur të pafajshëm, atëherë ne nuk merremi dot më me ta. Askush nuk mund të nxirret sërish para gjyqit për të njëjtën gjë."

Një pikë tjetër e dobët është mosha e madhe e të dyshuarve. Presidenti i Këshillit Qendror të hebrenjve në Gjermani e përfytyron që prej të prekurve të mos kërkohet më dënim me arrest. "Por një proces për të vërtetën, me këtë të dyshuarit mund të ngarkohen", tha Dieter Graumann në intervistë për DW.

Autor: Anna Peters/ Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora