1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Drejtësi për viktimat - Procesi ndaj Karaxhiçit dhe përgjegjësia për luftën në Bosnje

Për vite të tëra ai jetonte i fshehur. Me vonesë atë e dërguan tani në Hagë, ku Radovan Karaxhiçi, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, do të përgjigjet për luftën, krimet dhe mizoritë e saj në Bosnjë.

Radovan Karaxhiç

Radovan Karaxhiç

Procesi gjyqësor kundër njërit prej burrave më të kërkuar në botë zgjon kujtimet e një lufte, të cilën Perëndimi thuajse e ka harruar. Të mbijetuarit do të raportojnë për mizoritë e luftës: për milicët serbo-boshnjakë, të cilët hapën zjarr dhe e bombarduan Sarajevën nga malet përreth për më shumë se tri vjet. Për breshërinë e plumbave të snajperëve, viktimë e të cilëve u bënë më shumë se 10.000 fëmijë, gra dhe burra. Për urinë, mungesat dhe frikën për vdekje të njerëzve, të cilët ishin të ekspozuar pa mbrojtje përballë terrorit të snajperëve në këtë qytet - dhe në lokalitete të tjera të mbyllura. Pastaj do të flasin gratë e Srebrenicës: se si u deportuan burrat, bijtë dhe baballarët e tyre për t'u vrarë mizorisht në pyje nga milicët serbo-boshnjakë. Për këtë masakër ndaj 8.000 burrave - më të madhes në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore - Radovan Karaxhiçit do t'i duhet të përgjigjet njësoj si për rrethimin e Sarajevës dhe për shumë të ashtuquajtura "spastrime etnike" të tjera në lokalitete dhe rajone me kombësi dikur të përziera.

Katërmbëdhjetë vjet pas fundit të luftës ky proces do të rihapë plagë të vjetra. Por sa nga këto plagë janë shëruar në këto vite? Të mbijetuarit përgjigjen: kjo varet nga fakti nëse ata kanë përjetuar drejtësi. Sepse shërimi mund të fillojë vetëm atëherë, kur ata të përjetojnë shpagim dhe drejtësi. Pikërisht këtë presin ata prej këtij procesi. Pas vdekjes së papritur nga infarkti në zemër gjatë procesit gjyqësor të manipuluesit më të madh të kësaj lufte, Slobodan Miloseviçit, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç është krimineli i luftës me rang më të lartë që del tani para gjyqit. Edhe nëse nga këndvështrimi i të mbijetuarve për Karaxhiçin nuk duket e mjaftueshme asnjë masë dënimi, vetë fakti që Karaxhiçi konfrontohet para gjyqit me aktet mizore, të cilat i ngarkohen atij, është shpagim për të afërmit e viktimave.

Por përveç kësaj, ky proces gjyqësor do të nxjerrë edhe njëherë në pah faktin se sa pak është përpunuar ky kapitull i historisë midis pjesëmarrësve të luftës.

Deri sot qeveria e Serbisë i përmbahet pohimit se lufta në Bosnjë ishte një luftë civile, me të cilën udhëheqja serbe nën Miloshevicin nuk kishte të bënte fare. Sipas saj në të, të tria palët pjesëmarrëse, kroatët, serbët dhe myslimanët boshnjakë kryen njësoj mizori lufte. Këtë e beson edhe pjesa më e madhe e popullsisë serbe. Kjo në një kohë kur është fakt i njohur, që qeveria e Beogradit i furnizoi gjatë luftës me armë, ushtarë dhe logjistikë shërbimesh të fshehta serbët e Bosnjës. Kur presidenti serb, Boris Tadic e hedh poshtë rolin e vendit të tij si "agresor", siç bëri pak kohë më parë, me këtë veprim ai jo vetëm i vendos në të njëjtën shkallë të tria palët e luftës. Ajo për të cilën druhen në Beograd, është që Karaxhiçi mund të dëshmojë besueshëm se ai ka qenë thjesht zbatues i urdhërave të Beogradit. Nëse Karaxhiçi e konfirmon këtë, atëherë kërcënon një ripërsëritje e akuzës në bazë të së drejtës ndërkombëtare të Bosnjës kundër Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e shoqëruar me një aktakuzë për dëmshpërblim në shuma deri miliardëshe. Hijet e gjata të historisë mund të arrijnë te Serbia.

Që të paktën Radovan Karaxhiçi do të konfrontohet me të kaluarën e tij, kjo është e vendosur për prokurorinë. Sepse ajo është optimiste, se mund t'i vërtetojë atij faj personal në disa krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përndjekësit e tribunalit të Jugosllavisë kanë mësuar nga gabimet e së shkuarës: pika të aktakuzës u fshinë, për të mos e zgjatur pa fund procesin gjyqësor si në rastin e Miloshevicit. Sepse koha që ka mbetur gjithsesi po vjen duke u pakësuar: deri në vitin 2010 duhet të kishin përfunduar të gjitha proceset gjyqësore. Por për t'i shëruar me të vërtetë plagët e luftës, para gjyqit duhet të dalë edhe njëri prej kriminelëve më të njohur të luftës në arrati, Ratko Mladic.

Kjo tashmë nuk duket më kaq pa shanse, sa para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur tribunalin e pajisur me mjete modeste e tallnin si tigër pa dhëmbë. Dhe gjykatësit e Hagës nuk lënë dyshim se edhe në të ardhmen, kriminelët e luftës dhe diktatorët nuk do t'i shpëtojnë përndjekjes. Prandaj të mbijetuarit e viktimave janë të gatshëm që të përballen edhe njëherë me plagët e luftës.

Autor: Verica Spasovska
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 26.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KFI3
  • Data 26.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KFI3