1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Drama në malin K 2 - 11 alpinistë gjejnë vdekjen prej ortekut të akullit

K 2, ose Kaytu, siç e quajnë vendasit malin e dytë për nga lartësia në Tokë është një ndër më të rezikshmit me lartësinë mbi tetë mijë metra. Fat apo gabim njerëzor?

default

Mali K 2

Deri në vitin 2007 281 alpinistë janë ngjitur me sukses në majën e tij, por në përpjekje për t´ia arritur kësaj kanë gjetur vdekjen 66 të tjerë. Ndërsa tani tek "mbreti i maleve", siç e quajnë shumë me respekt malin me formë të bukur në Pakistan, serish ndodhi një aksident.


Në të vërtetë mund të kish qenë një ngjitje perfekte në majën e malit. Nuk pati as stuhi, as mjegull dhe K 2 po prezantonte anën më të mirë të tij. 17 alpinistë kishin marrë rrugën drejt majës më të lartë prej 8611 metrash. Disa mbërritën në majë pasi kish rënë errësira. Gjatë rrugës së kthimit nisi ferri. Në të ashtuquajturën gryka e shishes, një hulli me pjerrësinë 70 gradë shpërthen era e akullt duke i shkaktuar vdekjen një alpinisti. Të tjerët bllokohen në këtë zonë të majës së malit, pasi orteku kish këputur më parë litarin e sigurisë. Ata nuk guxojnë më të vazhdojnë zbritjen. Ralf Dujmovits, është një ndër alpinistët më të sukseshëm të Gjermanisë ai është ngjitur 13 herë në lartësinë e tetë mijë metrave: „Në një kohë të tillë atje është jashtëzakonisht ftohtë. Akulli është mjaft i ashpër. Në rrethana të tilla nuk mund të zbresësh dhe kuptohet që alpinistët janë bllokuar duke pritur mëngjesin. Kjo situatë të raskapit edhe më shumë, duke menduar që edhe një natë tjetër duhet ta përballosh në këtë lartësi. Në rrethana të tilla edhe shanset për të zbritur shëndoshë e mirë pakësohen.“


Kanë qenë shumë të paktë ata që ia kanë dalë të zbresin pa litarin e sigurisë. Qeveria e Pakistanit bën fjalë tani për 11 të vdekur. Kjo konsiderohet si drama me pasojat më të rënda në historinë e ngjitjeve në K 2 qysh nga viti 1986, kur 13 alpinistë gjetën vdekjen në malin e dytë për nga lartësia të botës. Fat apo gabim njerëzor? Një gjë është e qartë, disa pjesëmarrës të ekipit ishin nisur shumë vonë: „Koha normale për kthimin në malin K 2 është më së voni ora 14:00. Unë e konsideroj mjaft të rezikshme të nisësh kthimin pas ores 14:00. Statisktika tregon, që shumica e aksidenteve në K 2 kanë ndodhur pasdite vonë dhe në orët e mbrëmjes, sepse njerëzit kanë qenë të raskapitur dhe u është dashur kohë për të nisur zbritjen në pjerrësi të madhe dhe mjaft të rezikshme.“


Ralf Dujmovits shpreh habinë për atë, që me sa duket asnjëri prej alpinistëve nuk ka pasur një litar të rezervë sigurie: „Nëse ndonjëri do të kishte edhe një litar me vete do të kish mundësuar që më shumë njerëz të kishin vazhduar zbritjen.“


Një bllok akulli që bie përbën një rezik, që është vështirë të parashikohet. Pajisjet e mangëta dhe mosllogaritja e kohës dëshmojnë për mungesën e përvojës që kanë pasur këta alpinistë, ose të paktën një pjesë e të prekurve. Ralf Dujmovits, i cili çdo vit është në udhëtim drejt lartësive tetë mijë metërshe në Himalaja dhe në Karakoram, vëren edhe një tendencë tjetër në këtë rast: „Për fat të keq shumë alpinistë po e humbasin respektin kundrejt këtyre maleve gjigande. Nga nënvleftësimi i rezikut shpesh herë krijohen situata, që janë të papërballueshme nga alpinistët e nivelit mesatar."

  • Data 04.08.2008
  • Autor Stefan Nestler
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EqUW
  • Data 04.08.2008
  • Autor Stefan Nestler
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EqUW