1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Drama e refugjatëve në Lampeduza - BE forcon misionin në Itali

Mijëra refugjatë nga Tunizia kanë vendosur para sfidave të reja Italinë dhe vet Bashkimin Evropian. Në Lampeduza të Italisë gjendja mbetet e tendosur edhe pse të martën nuk arriti asnjë anije tjetër nga Tunizia.

default

Vazhdon gjendja e rëndë në Lampeduza.

"Ne shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë, që evropianët do të na pranojnë, por nuk e dimë ende se ku do të na çojnë tani, në Milano apo në ndonjë qytet tjetër", thotë Isami, i cili të martën në mbrëmje (15.2.) është larguar me avion nga ishulli Lampeduza. Ai ishte futur në listën e refugjatëve që do të dërgoheshin në kampet në Italinë Jugore, në Bari apo Brindizi. Kampet e planifikuara për pranimin e refugjatëve në Sicili nuk janë ende gati, kampet e tjera janë të stërmbushura. Gjendja fillon të shtendoset ngadalë. Rreth 1.800 deri në 2.000 migrantë kanë mbetur në ishull. Për të mërkurën (16.2.) janë planifikuar edhe katër fluturime për 400 persona të tjerë. Kryebashkiaku i Lampeduzës Dino de Rubeis: "Të gjithë kanë marrë një numër, pra 'kartonin' e famshëm dhe atë e bartin me vete. Kush e ka numrin 300 atëherë është në fluturimin e katërt, kush e ka numrin 600 është në fluturimin e shtatë e kështu me radhë."

Zhvendosja me numra

Italien Lampedusa Flüchtling 14.02.2011

Me radhë...

Kush mban numrin afro 2.000 do t'i duhet të durojë edhe ca ditë në Lampeduza. Dhe për dallim prej më herët Lampeduza për herë të parë është kthyer në një ishull të vërtetë refugjatësh. Kjo ndoshta edhe për shkak të punimeve në port. Me një kran lëvizës për ngritjen e peshave të rënda varkat e refugjatëve nxirren nga uji dhe sillen në varrezën e anijeve. Nicola ka nxjerrur nga uji rreth 20 varka vetëm gjatë ditës së djeshme.

"Kur filloi brenda tre ditësh arritën rreth 50 varka, nga 9 deri 20 metra të gjata. Me të vërtetë bëhet fjalë për varka shumë të mira të cilat fatkeqësisht ne nuk guxojmë t'i mbajmë, nuk na lejon qeveria. Ato do të përfundojnë në mbeturina", tha ai.

"Vajzat duhet të kthehen në shtëpi, menjëherë pas shkollës"

Italien Lampedusa Flüchtling Schiff Küste 13.02.2011

Nën përsjellje të forcave të sigurisë.

Në mënyrë që gjendja të jetë sa më e qetë, kryebashkiaku de Rubeis pas disa rasteve të dehjeve si masë paraprake ka ndaluar shitjen e alkoolit tunizianëve. Ai poashtu ka këshilluar prindërit që vajzat e tyre t'i lejojnë të shkojnë vetëm në shkollë dhe menjëherë pastaj të kthehen në shtëpi.

Migrantët nga Tunizia janë kryesisht djem të rinj të cilët nuk kanë çfarë të bëjnë dhe gjatë tërë kohës shestisin rrugëve deri në orët e vona të natës. Klima është ende shumë e mirë, të martën në mbrëmje për shembull u zhvillua një ndeshje spontane miqësore në futboll mes Lampeduzës dhe Tunizisë. Por shtrohet pyetja: edhe sa kohë mund të zgjas kështu?

Autor: Stefan Tröndle/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 16.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Hlu
  • Data 16.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Hlu