1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Drama e Mesdheut - takim i ministrave të brendshëm të BE-së

Qendra pranimi në Libi? Numër më të lartë refugjatësh për anëtaret lindore e juglindore të BE-së? Shpëtim në det të hapur? Takimi i ministrave të brendshëm të BE-së shtroi shumë pyetje, por nuk dha shumë përgjigje.

BE tenton diçka të re. Në Libi duhet të ngrihet një qendër pranimi për refugjatët me qëllim për të ndalur valën e refugjatëve në rrugëtimin drejt Europës. Nëse dhe si do të funksionojë kjo nuk dihet ende me siguri nga ministrat e Brendshëm të BE-së. Dihet vetëm se duhet vepruar: "Por ne duhet të bëjmë diçka. Presioni po rritet gjithnjë e më shumë", tha një diplomat europian pas takimit të ministrave në Bruksel.

Sipas llogaritjeve të BE-së, rreth 600.000 deri në një milionë vetë presin në Libi në gatishmëri për të marrë rrugën drejt Italisë apo Maltës. Nëse këto të dhëna janë të sakta, atëherë numri i refugjatëve krahasuar me vitin e kaluar do të rritet disa herë më shumë. Deri në maj Komisioni Europian do të paraqesë një strategji të plotë për zbutjen e dramës së refugjatëve. Ministrat e Brendshëm kërkojnë përmirësimin e bashkëpunimit me vendet e origjinës, për luftimin bandave të kontrabandistëve, për një sistem të njësuar azili në Europë dhe një shpërndarjen e drejtë të kontigjentit të refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare. Shumica e refugjatëve që marrin azil për momentin aktualisht vijnë nga Siria.

Thomas de Maziere 09.10.2014

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maziere

"Mare Nostrum" - nxiti kontrabandistët

Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano në Bruksel kërkoi reagim më të shpejtë të BE-së për shkak të krizës së refugjatëve në këtë vend. Italia është pika e parë e mbërritjes së refugjatëve. Përditë marina italiane shpëton refugjatë në det të hapur. BE e mbështet Italinë përmes operacionit Triton. Anija dhe aeropolanë të agjencisë "Frontex" janë vënë dispozicion që nga nëntori i vitit të kaluar për të zbuluar anijet e refugatëve që i afrohen ujërave italiane dhe malteze. Italia ndërkohë i dha fund operacionit "Mare Nostrum" për shpëtimin e refugjatëve. Me nëntë milionë euro në muaj ky operacion ishte shumë i shtrenjtë për ministrin e Brendshëm Alfano.

Nga ana tjetër ministrat e Brendshëm të BE-së, ndër ta edhe ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, kritikojnë aksionet e shpëtimit, sepse ato i kanë aktivizuar më shumë bandat e kontrabandistëve. Numri i refugjatëve që marrin rrugën në gomone me defekte është rritur këtë vit së tepërmi.

AI: Rrezik i rritjes së numrit të viktimave

Organizata "Amnesty International" kërkoi nga ministrat e Brendshëm të zëvendësohet me një program tjetër ai "Mare Nostrum" dhe të fillohet një aksion i zgjeruar për të shpëtuar jetë njerëzish. "Kria humanitare nuk ka mbaruar", thotë drejtoresha e Zyrës së AI për Europën, Iverna Mcgowan në Bruksel. "Kemi të bëjmë me një matematikë të thjeshtë, por alarmuese. Numri i njerëzve që zgjedhin rrugën vrastare të detit po rritet. Ndërsa mjetet financiare për shpëtimin e njerëzve në nevojë në det të hapur po reduktohen. Pra do të kemi më shumë viktima."

Qendrat e pranimit

Ministrat e Brendshëm premtojnë prej muajsh se do të krijohen rrugë legale për të imigruar në Bashkimin Europian. Deri më tani azilkërkuesit duhet të hyjnë ilegalisht për të kontrolluar të drejtën e tyre për azil. Këtij paradoksi do t'i japë fund ministri i Brendshëm gjerman përmes "qendrave të pranimit". Në to do t'u sqaroheshin refugjatëve shanset e tyre për pranim në Europë. Ende nuk dihet nëse nga ana ligjore këta refugjatë mund ta bëjnë kërkesën për azil edhe në këto vende. "Ka një sërë çështjesh që duhen sqaruar, tha një diplomat i BE-së. Në Libi sipas KE-së nuk ka struktura funksionale shtetërore dhe gjendja e sigurisë ësht e vështirë në një vend ku sundon lufta qytetare. Por ministri i Brendshëm gjerman i qëndron idesë së qendrave të pranimit edhe me synimin për t'u hequr mundësitë kontrabandistëve.

Eurodeputetja e të Gjelbërve, Brbara Lochbihker i kritikon këto plane. Ajo ka udhëtuar në Marok dhe Tunizi, dhe thotë se madje as në këto vende nuk është i garantuar as shteti i së drejtës dhe një procedimi i duhur për azilantët.

Ndërsa lidhur me shpërndarjen e kontigjentit të refugjatëve në mënrë të drejtë mes vendeve të BE-së nuk u mor asnjë vendim në këtë takim. Ministrat e Brendshëm e shtynë këtë temë pas gjashtë muajsh. Gjermania dhe Suedia që pranojnë më shumë refugjatë kërkojnë një pjesëmarrje më të fortë të vendeve lindore dhe juglindore, anëtare të BE-së. Por kundërshtimet nga lindja dhe juglindja janë shumë të forta.