1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drama e buxhetit të BE-së

Bernd Riegert /PP 24 Nëntor 2012

Qëndrimet për buxhetin e BE-së deri në fund të dekadës janë mjaft larg. Nga pikëpamja strukturore, buxheti i BE-së është shndërruar vitet e fundit nga subvencionet e pastra drejt stimujve për më shumë investime.

https://p.dw.com/p/16oyv
EU Gipfel Fahnen. Detailaufnahme von Flaggen europäischer Mitgliedsstaaten am Eingang des EU-Ratsgebäudes, Rue de la Loi, Brüssel. Ganz rechts an den Rand gedrängt Großbritannien. Aufgenommen 23.11.2012, Foto: Bernd Riegert, DW
Fotografi: DW

Pas një natë thuajse pa gjumë Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy paraqiti në Bruksel një propozim të ri për buxhetin e BE-së deri në fund të dekadës. Vëllimi mbetet rreth 1 bilion € për vitet 2014-2020, por Van Rumpoy përmbushi disi kërkesat e përfituesive të subvencioneve bujqësore dhe programeve mbështetëse për zonat rurale. Van Rompuy hoqi nga lista projektet e mëdha infrastrukturore. Por shtetet që paguajnë për buxhetin, kërkojnë kursime të mëtejshme.

Faza e ardhshme në janar?

Drama e ardhshme e buxhetit duket e programuar ndoshta për në janar 2013. Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq t'i ulte pritshmëritë ndaj takimit të tanishëm në Bruksel. Ende nuk është arritur një qëndrim unanim tha Merkel. Vetoja e një prej 27 vendeve anëtare do të jetë e mjaftueshme për ta plasur përfundimisht takimin. Qëndrimet janë mjaft larg. Nga delegacioni gjerman u theksua se qëndrimet e 27 vendeve anëtare janë të papajtueshme, sidomos Britania e Madhe ndihet e lënë në qoshe.

EU Gipfel Haushalt Belgien Brüssel Premierminister Großbritannien David Cameron
David CameronFotografi: Reuters

Kryeministri britanik David Cameron e mposhti vetëm me vështirësi zemërimin e tij mbi projekt-buxhetin e Presidentit të Këshillit. Sipas tij "nuk kishte asnjë progres në shkurtimin e shpenzimeve shtesë. Nuk ka kohë për lojëra, për kalimin e parave nga një zë i buxhetit tek tjetri. Ne kemi nevojë për shkurtime të shpenzimeve te papërballueshme," - u tha Cameron gazetarëve. Kryeministri britanik ka vendosur shkurtime drastike në buxhetin e Britanisë së Madhe për shkak të elektoratit të tij euroskeptik.

Të gjithë kundër të gjithëve

Van Rompuy bashkë me Joze Manuel Barroson u përpoqën me orë të tëra duke biseduar individualisht me përfaqësuesit e vendeve të BE-së, madje deri prag të lodhjes fizike si u tha nga zyrtarët e Këshillit Evropian, por deri tani pa sukses. Kërcënimet për veto vijnë jo vetëm nga vendet e veriut të BE-së që paguajnë në arkën e përbashkët, por edhe nga vendet përfituese në jug dhe në lindje të Bashkimit Evropian. Nga pikëpamja strukturore, buxheti i BE-së është shndërruar vitet e fundit nga subvencionet e pastra drejt stimujve për më shumë investime. Pjesa e shpenzimeve për bujqësinë ka rënë nga rreth 75 për qind në vitin 1980 në 40 për qind sot. Ky ndryshim sipas disa vende anëtare nuk është mjaft i shpejtë. Ata kërkojnë më shumë stimuj për rritje. Franca i dëshiron të dyja.

Brüssel / EU-Gipfel / Europäische Union / EU-Haushalt
Fotografi: Reuters

Parlamenti Evropian duhet ta miratojë kompromisin e arritur nga udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve. Negociatorët e parlamentit kanë sinjalizuar tashmë se ata nuk do t'i mbështesin shkurtimet e mëtejshme në shpenzimet e përbashkëta të BE-së.

Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso kërkon vazhdimisht më shumë para për investime në të ardhmen dhe programe shkollimi për të luftuar papunësinë e të rinjve. Në Parlamentin Evropian ai tha të mërkurën se liderët duhet të arrijnë një kompromis, që ta forcojë dhe të mos e shkatërrojë fuqinë e Evropës. Si kreu i administratës së BE-së, Barroso është sigurisht i interesuar që të mos zvogëlohet numri i personelit. Shpenzimet e përgjithshme dhe administrative përbëjnë rreth gjashtë për qind të buxhetit, ose 64 miliardë euro për periudhën 2014-2020.