1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dosja Odessa: Çfarë ndodhi më 2 maj 2014?

Para një viti, në trazirat në qytetin port të Ukrainës Odesa humbën jetën mbi 50 vetë, shumica prej tyre ishin aktivistë prorusë. Hetuesit besojnë se ngjarjet kanë pasuar njëra-tjetrën. Shumë dyshime mbeten.

Sheshi Kulikov është pa njerëz.. Vetëm qenë që vijnë vërdallë të zë syri. Shtëpia e Sindikatave mban deri sot gjurmët e tragjedisë, e cila ndodhi para një viti: blozë në mure, dritare pa xhama. Ndërtesa, dikur rezidenca e partisë komuniste të lë përshtypjen e një kështjelle. Në trazirat në Odesë më 2 maj 2014 ishin rreth 400 vetë që u përpoqën të mbrohen pas mureve të saj të trasha. 42 gjetën vdekjen.

Ngjarje me rëndësi kyçe për separatistët

Në një zjarr, shumica u asfiskuan ose vdiqën nga djegiet. Disa kërcyen nga dritaret, për t'u shpëtuar flakëve. Kjo ishte pika kulmore e betejave me orë të tëra në rrugë midis aktivistëve proukrainas dhe prorusë, në të cilat më parë vdiqën gjashtë vetë nga të shtënat. Pati qindra të plagosur. Për shumë vetë kjo ishte dita më e errët në historinë e qytetit në Detin e Zi.

Ukraine Haus der Gewerkschaften in Odessa

Shtëpia e Sindikatave, Odesa

Edhe për Ukrainën Lindore kjo duket të jetë një ngjarje me rëndësi kyçe. Sepse ndodhi rreth një javë para të ashtuquajturave "referendume" për shkëputje nga Kievi në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut. Televizioni rus tregoi kufoma të karbonizuara dhe raportoi se si "nazistët ukrainas" i patën djegur "të gjallë" bashkëqytetarët e tyre prorusë. Luftëtarë rusë në anën e separatistëve tregonin në intervista se i pati frymëzuar "ferri i Odesës".

Një provokim i dalë jashtë kontrolli

Një monument provizor para Shtëpisë së Sindikatave kujton viktimat. Ka fotografi, lule, kurora dhe qirinj. "Është një traumë e rëndë", thotë Serhij Dibrow, gazetar dhe dëshmitar. Një gjë të tillë, Odesa e tij, e njohur për tolerancë dhe gëzim në jetë, nuk kishte parë kurrë më parë. "Është në kundërshtim me traditën e qytetit", thotë 42 vjeçari. "Këtu problemet zgjidhen me mjete paqësore."

Sergej Dibrow, gazetar qe perjetoi ngjarjet

Sergej Dibrow, gazetar qe perjetoi ngjarjet

Dibrovi është anëtar i "Grupit të 2 majit". Kështu quhen gazetarë, ekspertë dhe aktivistë, të cilët kanë kryer hetimet e tyre. Pak para përvjetorit të parë të ngjarjeve grupi i paraqiti rezultatet: tragjedia e Odesës ishte një provokim i dalë jashtë kontrollit.
Këtë e beson edhe Urs Schwinger. Gjermani ka në Odesë një firmë të vetën të IT. "Unë isha në mëngjes në stacionin e trenit dhe u frikësova shumë: nga stacioni dolën njerëz me armë zjarri në duar", thotë ai. 49 vjeçari shton se ata mbanin shirita portokalli dhe të zeza - një simbol i aktivistëve prorusë. Betejat në qendrën e qytetit Schwingeri i ndoqi në rrugë para televizorit. U bënë përpjekje që në Odesë të krijohet e njëjta situatë si në Donjeck: "Unë mendoj se situata doli jashtë kontrollit, por fillimi ndodhi me provokimin prorus."


Skena gjahu në mes të qytetit

Një vështrim pas: në maj 2014 Ukraina është e përfshirë nga kryengritja. Në qytetet e Ukrainës Lindore burra të armatosur pushtojnë stacione policie dhe ndërtesa të administratës. Në Odesë gjendja mbetet relativisht e qetë, por edhe këtu aktivistë prorusë kanë ngritur çadra në sheshin Kulikowe-Pole.
Për atë 2 maj ishte planifikuar një ndeshje futbolli. Para saj, në qendër të qytetit kalojnë mijëra sportdashës proukrainas, midis tyre edhe huliganë, por edhe qytetarë të thjeshtë. Ata sulmohen me gurë dhe shkopinj nga aktivistët prorusë. Madje hapet edhe zjarr. "Aktivistët e sheshit Kulikowe-Pole nisën të përdorin armët", thotë Dibrow. I pari nga gjithsej 50 të vrarët në këtë ditë është një aktivist proukrainas.

Odessa, 2.5.2015

Odessa, 2.5.2015


Dështimi i policisë

Pas vrasjes së tij, gjendja u shkallëzua. Të dyja palët përdorin armët. Aktivistët proukrainas më të shumtë në numër i dëbojnë kundërshtarët e tyre nëpër qytet deri në sheshin Kulikowe-Pole.

"Erdhën të rinj të mbuluar me gjak dhe më thanë, duhet të fshihemi në Shtëpinë e Sindikatave, sepse do të na vrasin dhe djegin", i kujtohet Switlana Abakamoviçit. Aktivistja 74 vjeçare proruse ndodhet në katin e dytë të Shtëpisë së Sindikatave, kur godina nis të digjet. Ajo e humbet vetëdijen disa herë. Në fund fytyra dhe duart i digjen, por ajo mbetet gjallë.

E qartë është se të dyja palët vepruan në mënyrë shumë brutale. Këtë e konfirmojnë shumë regjistrime në video. "Unë isha dëshmitar kur para Shtëpisë së Sindikatave u hap zjarr kundër aktivistëve prorusë, që u përpoqën të shpëtojnë njerëz nga godina që po digjej, " tregon Dibrow. Ai vetë dhe kolegët e tij ia japin fajin policisë: "Po të kishin vepruar si duhet policia dhe mbrojtja nga katastrofat, nuk do të kishte pasur kaq shumë të vrarë". Abakamoviç e konfirmon këtë: "Policët bënë sikur nuk shikonin".

Switlana Abakamowitsch - dëshmitare

Switlana Abakamowitsch - dëshmitare


Njëra nga çështjet më të rëndësishme mbetet pa përgjigje

Në një përfundim të ngjashëm arrin edhe prokuroria. Policia akuzohet se nuk i pengoi trazirat. Përsa i përket numrit të madh të të vdekurve në Shtëpinë e Sindikatave, nuk u gjetën as dëshmi për zjarrvënie, as për përdorim të gazit helmues. Zjarri pati shpërthyer në një barrikadë prej druri në hollin e Shtëpisë së Sindikatave, kur të dyja palët patën hedhur shishe me lëndë djegëse. Përmes një "efekti vatër", zjarri u përhap shpejt. Të bie në sy që autoritetet konfirmuan tezat e ndihmësve vullnetarë.
Gjithsej u paditën 22 persona, gjysma e tyre ndodhet në burg hetimor. 13 të tjerë ndodhen në arrati, midis tyre një shef policie dhe disa drejtues të forcave proruse. Më parë pati spekulime se shërbimet e fshehta ruse patën luajtur një rol në Odesë. Në deklaratën e prokurorisë për këtë nuk gjen asnjë fjalë.

Një nga çështjet më të rëndësishme, së cilës Serhij Dibrow dhe kolegët e tij nuk i kanë dhënë përgjigje është: pse nuk bëri asgjë policia? "Nga frika për të marë përgjegjësi", është përpjekja e tij për shpjegim. Policia dhe shërbimi i shpëtimit atëherë qenë në një gjendje të dëshpëruar. Por shumë në Odesë e kanë të vështirë të besojnë se ngjarjet janë zhvilluar zinxhir, njëra duke pasuar tjetrën. Disa ia japin fajin Moskës, të tjerët Kievit. Dëshmi të qarta për këto deri tani nuk janë gjetur.