1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dorëzimi në Bruksel i pyetësorit përcillet me reagime të ndryshme në Shqipëri.

Analistët gjykojnë në këndvështrime të ndryshme ndikimet, që mund të japë acarimi politik në procesin e dhënies Shqipërisë të statusit të vendit kandidat të BE, apo të përfitimit brenda vitit nga liberalizimi i vizave

default

Drejtori i Lajmeve në televizionin “Top Channel' në Tiranë Bledar Zaganjori mendon se në realitetin politik shqiptar po kthehet në modë bashkëekzistenca mes ekstremeve. Nga njera anë është përgatitja dhe dorëzimi nga autoritetet zyrtare të përgjigjeve në një kohë të shkurtër të pyetësorit të Komisionit Europian për procesin e integrimit dhe për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Nga ana tjëtër, thotë ai për DW, kriza politike ka mbetur në vendnumëro, duke mos lëshuar asnjë sinjal minimal se palët mazhoranca dhe opozita, do të gjejnë një zgjidhje për rikthimin në parlament dhe që të punojnë për reformat më të rëndësishme.

“Kriza politike nuk duhet parë thjesht si një përplasje mes të mëdhenjve, të themi kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të Partisë Socialiste me njeri-tjetrin. Është një gjë, që ka futur në ngërç procesin e reformave. Dhe janë reforma, që kërkojnë të mos themi vetëm konsensus, por vota me shumicë të cilësuar, janë reforma të domosdoshme për integrimin në BE. Unë nuk besoj se në Bruksel, pavarësisht se me letra Shqipëria gjithmonë prezantohet shumë mirë, të mos e dinë se çfarë është lënë pa bërë. Nuk është se na e kanë të tjerët fajin, por e kemi vetë ne. Është një proces, që vendet e tjera e kanë kaluar para nesh, por problemi është se ne duhet ta kishim kaluar në një kohë sa më të shkurtër”.

Bledar Zaganjori

Bledar Zaganjori, drejtori i lajmeve në televizionin “Top Channel'

Zaganjori: Prioritare zgjidhja e krizës politike

Bledar Zaganjori thotë se pa zgjidhjen e krizës politike nuk do të ketë ecje në objektivin e rradhës, që ka Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat. Por nuk është çudi që, sipas tij, nëse krahët e politikës nuk lëvizin nga pozicionet “luftarake” atëhere gjithshka mund të rrezikojë vendimarrjen në kohë të kancelarive të Brukselit. “Të shtyjë akoma vendimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen të BE-së”, thotë Zaganjori.

Neza: Ngërçi politik nuk e ndal dot rrugën për në BE

Ndërkohë që analisti politik Agim Neza ka një këndvështrim tjetër për ndikimin e situatës së brendshme politike në procesin integrues të Shqipërisë. Neza mendon se ajo, që ndodh për momentin nuk është në trajtën e plotë të një krize politike, por është sipas tij “një ngërc politik”. Ky ngërc nuk mund të ndalë në asnjë moment procesin e liberalizmit të vizave, apo marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, thotë Neza për DW.

Agim Neza

Agim Neza, analist politik

“Pavarësisht nga përplasjet politike, pavarësisht nga deklaratat politike, që bëjnë forcat politike, qoftë PD e qoftë PS, unë mendoj se lufta politike mbetet si luftë politike dhe pavarësisht nga ngërci përfaqësuesit e BE-së nuk do të ndikohen shumë në këtë aspekt. Megjithatë duke parë ecurinë, që duhet të ketë një parlament, që ka të bëjë dhe me miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme, që lidhen drejtëpërdrejtë me integrimin evropian të vendit, do të ishtë shumë e rëndësishme për këto çështje opozita të ishte prezente në sallën e parlamentit.”

Agim Neza parashikon reagime pozitive mes dy forcave politike kryesore, pas dorëzimit në Bruksel të përgjigjeve të Shqipërisë për pyetësorin e integrimit të vendit në BE. “Liberalizimi i vizave për qytetarët nuk i intereson vetëm autoriteteve, por dhe opozitës, i intereson të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile”, thotë ai për DW.

Kurse Bledar Zaganjori nga Televizioni “Top Channel” në Tiranë shprehet se përgjigjet e pyetësorit, që qeveria shqiptare ka dorëzuar mbrëmjen e së mërkurës në Komisionin Europian “mund të mbeten për një kohë të gjatë në sirtarët e zyrtarëve të lartë europianë, në rast se nuk merr zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë kriza e brendshme aktuale politike”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 15.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MxKx
  • Data 15.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MxKx