1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dorëheqja e Gjukanoviqit "pasojë e presioneve të BE-së"

Me arrestimin e Sanaderit është hapur në Ballkan një epokë e re e luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, thonë në IFIMES. Sipas tyre, dorëheqja e Milo Gjukanoviqit ka të bëjë me akuza të ngjashme.

default

Millo Gjukanoviq - Cilat janë shkaqet e vërteta të dorëheqjes?

Dorëheqja e kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq erdhi si pasojë e presioneve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian dhe lidhet edhe me akuzat për përfshirje në krimin e organizuar dhe në korrupsion, vlerësojnë në Institutin Ndërkombëtar për studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanike IFIMES.

Humbja e "statusit të privilegjuar"

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy çështje që ndodhen në krye të listës së kërkesave por edhe të paralajmërimeve që në Ballkanin Perëndimor arrijnë nga Bashkimi Evropian. "Problemi i shteteve të rajonit është se në majë të strukturave politike dhe në majë të strukturave kriminale, si zakonisht ndodhen njerëzit e njëjtë", thotë për Deutsche Wellen kryeari i Institutit IFIMES, Zijad Beqiroviq.

Sanader Djukanovic Podgorica

Ivo Sanader dhe Millo Gjukanoviq - kanë diçka të përbashkët?

"Arrestimi i ish-kryeministrit kroat Ivo Samader hapi një epokë të re në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Asnjë politikan i rangut më të lartë më nuk mund të jetë i sigurtë se nuk do të arrestohet për veprat e kryera", vlerëson Beqiroviq. Ai edhe dorëheqjen e kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq e sheh të lidhur me akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion.

"Ne edhe më herët kemi thënë që Gjukanoviqi ndodhet nën presion ekstrem dhe se duhet të tërhiqet nga skena politike. Largimi i tij lidhet me proceset kundër tij në Itali por edhe mundësinë e fillimit të proceseve të reja", thotë Beqiroviq.

Në IFIMES nënvizojnë se për shkak të bashkëpunimit në përmbysjen nga pushteti të Sllobodan Millosheviqit, dhe më vonë lidhur me njohjen e Kosovës, Gjukanoviqi ka gëzuar "statusin e të privilegjuarit" tek disa politikanë evropianë. Largimi i tij nga skena politike nuk ka qenë vullnetar, por është bërë me presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe vet Bashkimit Evropian.

BE forca e vetme politike që mund të ndikojë tek shtetet që të luftojnë korrupsionin

Mirko Cvetkovic, Jadranka Kosor, Milo Djukanovic

Cvetkoviq, Kosor dhe Gjukanoviq.

Megjithatë pa dëshmi konkrete nuk mund të thuhet saktësisht pse kryeministri Gjukanoviq dha dorëheqjen, vlerësojnë në Këshillin e Evropës. Kryetari i grupit të shteteve për luftë kundër korrupsionit GRECO, Drago Kos, thotë se vërjetje të pakundërshtueshme për korrupsionin në adresë të Gjukanoviqit janë dëgjuar për vite të tëra dhe ka qenë vetëm çështje kohe kur do të fillonin pasojat.

"Për këtë veprim, pra dorëheqjen nga pozita e kryeminstrit, është e vështirë të thuhet se këto janë pasojat. Unë shpresoj, që nëse ka diçka në historitë për korrupsionin e mundshëm, gjyqësori në Malin e Zi do ta bëjë punën e tij. Kështu filloi edhe kur zoti Sanader dha dorëheqjen pa arsyetim dhe pastaj erdhëm në gjendjen në të cilën jemi tani", kujton Kos.

Drago Kos vlerëson se Bashkimi Evropian është forca e vetme reale politike e cila mund të ndikojë tek shtetet që të fillojnë me luftën e vërtetë kundër korrupsionit. Kryetari i GRECO-s thotë se Ballkani Perëndimor ndodhet para një periudhe të vështirë të eurointegrimeve për shkak se Bashkimi Evropian ka mësuar leksionet gjatë zgjerimit të mëhershëm. Kështu që kushtet për pranim janë ashpërsuar dukshëm dhe është rritur kontrolli mbi masat kundër korrupsionit dhe hyrjen në Bashkimin Evropian.

Autor: Marina Maksimoviq/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 22.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoLY
  • Data 22.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoLY