1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Rruga drejt bashkimit

Dopingu në RDGJ: Histori humbjesh

Anabolikë dhe stimulues: Historia e sportit gjermanolindor është një histori e dopingut të detyruar. Ish-atletja Ines Gajpfel (Geipfel) lufton për të drejtat e viktimave

Mungesë pjellorie dhe impotencë; cirrozë mëlçie, defekte në zemër dhe kancer, vajza të kthyera tashmë në meshkuj për shkak të sasisë së madhe të testosteroneve të inxheksuar; gra shterpë që e kanë barkun sa të vajzave 11-vjeçare. Kjo është historia e sportistëve profesionistë të ish-RDGJ, historia e dopingut të detyruar.

Gizelher Shpicer (Giselher Spitzer) është marrë me këtë çështje. Studimet e tij bazohen në një dokument të Partisë së Bashkuar Socialiste (SED), të ashtuquajtur „koncept aplikimi". Në të radhiten me saktësi të madhe emrat e sportistëve, trajnerëve, mjekëve dhe dozave të inxheksuara. Dosjet dhe shkresat e tjera të nxjerra nga arkivat e ish-sigurimit të shtetit Shtazit (Stasi), dëshmojnë se që nga viti 1974 në RDGJ ekzistonte një program zyrtar dopingu, i cili zbatohej nga trajnerët dhe funksionarët. Përveç kësaj mbi 3000 bashkëpunëtorë jozyrtarë, mbanin nën vëzhgim sportistët e RDGJ-së për t’ia raportuar Ministrisë së Sigurimit të Shtetit.

Anabolikë dhe stimulues si „barna mjekësore"

Viktima të programit të dopingut të detyruar kanë qenë mbi 15 mijë atlete dhe atletë. Trajnerët dhe mjekët u jepnin sportistëve të rinj anabolikë dhe stimulues, duke u thënë se janë vitamina për të forcuar trupin. "Unë isha e re, naive dhe doja të arrija rezultate të mira. Dopingu na jepej si „barna shtesë". Ku ta dinim ne me çfarë kishim të bënim?", pyet atletja nga Drezdeni, Ines Gajpfel në intervistë me DW-WORLD.DE. Ish rekordmenia lufton sot për të drejtat e sportistëve dhe viktimave të regjimit kaluar të RDGJ-së.

Funksionarët e partisë në pushtet, e dinin fare mirë se si mund t'i joshnin të rinjtë: "Ne ishim djem dhe vajza që donim të përparonim me rezultatet tona, ndërsa të tjerët i shërbenin Shtazit. Nxitja më e madhe për mua vinte nga dëshira për të parë botën. Në RDGJ, këtë fat e kishin vetëm të privilegjuarit. Vetëm një jetë kishim. Prandaj edhe premtimet e funksionarëve për të na nxjerrë jashtë shtetit ishin joshje shumë e madhe, " kujton ish-atletja, e cila në vitin doli në vitin 1984 atletja më e shpejtë e botës në vrap.

Që nga momenti kur sportistët ambiciozë u besonin fjalëve të shtetit, ata bëheshin pjesë e sistemit të dopingut. "Këtë të vërtetë tani duhet ta pranojë kushdo që joshej, pavarësisht nëse ishte në dijeni apo jo," thotë Gajpfel.

"Veçantia e dopingut sistematik"

Mbas rrëzimit të „diktaturës së proletariatit" e vërteta doli në shesh. Fama e sportit të RDGJ-së ishte ngritur mbi gënjeshtrën. "Ishte një sport shumë i sëmurë," gjykon tani Ines Gajpfel. „Asgjë nuk justifikohet. Sidomos kur sheh viktimat e shumta, kaq shumë të sëmurë, kaq shumë të vdekur, edhe sot e kësaj dite!"

Për ish-atlenten e klubit sportiv „Motori" nga Jena, plani i dopingut të detyruar kishte një veçanti tepër dëmtuese: "Kur sheh dokumentet e SED-së e kupton se me sa perfeksionizëm, me ç'poshtërsi dhe sa i planfikuar ishte trajtimi që diktatura e RDGJ-së u bënte atletëve, i pashoq në histori," – thotë Gajpfel, e cila sot është profesore në universitet.

Sëmundje, deformime, vdekje

Historia e dopingut në RDGJ është një kapitull ende i patrajtuar në historinë gjermane. Viktimat as janë njohur e as janë dëmshpërblyer. E vërteta doli në shesh shumë vonë, kur rastet e sëmundjeve, deformimeve dhe vdekjeve nuk mund të mbaheshin më të fshehura. "Shumë ish-sportistë vazhdojnë të luftojnë për një dëmshpërblim, për një të ardhme në jetën. Disa janë në psikiatri, të tjerë janë me të meta fizike," thotë Gajpfel.

Viktimat ankohen se Shoqata Gjermane Olimpike nuk merret sa duhet me fatin e tyre. Ines Gajpfel dhe të prekurit e tjerë, kanë propozuar prej kohësh krijimin e një fondacioni që të merret me traumat dhe dëmet fizike të ish-sportistëve. Një ish-kanotazhiste 30 vjeçare për shembull, e cila është paralizuar dhe nuk lëviz nga shtrati, nuk ka të holla për të paguar trajtimin mjekësor. „Substancat e dopingut i kanë shpërbërë palcën kurrizore," thotë Gajpfel.

Si mund të ndihmohen viktimat e dopingut të detyruar? "Duke u dhënë mundësinë që të shohin dosjet e veta, të informohen për lëndët kimike që u kanë dhënë," kërkon Ines Gajpfel dhe shton: „Ne po përpiqemi të bindim „Jenafarmën" (Jenapharm), ndërmarrjen që prodhonte mjetet stimuluese, që t’u tregojë viktimave çfarë eksperimentesh janë bërë me sportistët e rinj të ish-RDGJ-së. Informimi është minimumi i asaj, që duhet të bëjnë personat përgjegjës, sepse vetëm kështu të prekurit mund të ndërmarrin diçka."

Por drejtori ekzekutiv i Jenafarmës, Dr. Viktor Gajsler (Geisler) thotë se ish-Jenafarma „nuk ka qenë motori i sistemit të dopingut në RDGJ". Pyetjes së DW-WORLD.DE Gajsleri i përgjigjet me shkrim: "Ndërmarrja jonë nuk mban përgjegjësi juridike për dëmet e shkaktuara nga dopingu zyrtar i RDGJ-së. Lënda e përdorur për doping nga RDGJ-ja, ishte preparati i lejuar Oral-Turinabol, të cilin organet shtetërore e kanë keqpërdorur për sport." Jenafarm me seli në Jena, është sot pjesë e koncernit farmaceutik Shering dhe përdor për reklamë parullën: „Jemi me gruan në çdo moshë të saj. Dashuria, jeta dhe shëndeti nuk janë çështje moshe, por këndvështrimi."

"Lojëra të humbura": 22 muaj me kusht

Në librin "Lojëra të humbura" Ines Gajpfel ka publikuar edhe proces-verbalin e një gjyqi të zhvilluar në vitin 2000 në Berlin, për dopingun në RDGJ dhe pasojat tek sportistët. Në bankën e të akuzuarve për lëndime të qëllimshme trupore kanë qenë ulur ish-ministri i sportit në RDGJ, Manfred Evald (Ewald), dhe ish-kryemjeku i sportit, Manfred Hopfner. Vendimi i gjyqit ishte gati tallje me fatet e viktimave, dënim nga 22 muaj deri dënim me kusht.

Ish-atletja Ines Gajpfel hakmerret ndryshe. Falë dopingut, suksesi më i madh i saj në sport ka qenë rekordi botëror në stafetën 4x100-metra. Gajpfel, e ka fshirë ndërkohë emrin e saj nga Regjistri Olimpik, me gjithë protestat e Shoqatës së Atletëve Gjermanë dhe tri kolegeve të saj, të cilat ende ruajnë rekordin e një disiplinë që nuk ekziston më: stafeta 3x100-metrash për gra.

Ines Gajpfel ka lindur në Dresden dhe ka qenë sportiste profesioniste në RDGJ. Mbas përfundimit të gjermanistikës në Jena, në vitin 1989 ajo u arratis në Gjermaninë Perëndimore, ku studioi filozofi dhe sociologji. Sot ajo është profesoreshë në Shkollën e Lartë të Aktrimit „Ernst Busch", në Berlin dhe bashkëpunëtore e institutit Hannah-Arendt.

Autor: Jose Ospina Valencia / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 28.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSV7
  • Data 28.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSV7