1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Donatori i Madh - Obama 100 ditë në post

Mbase kurrë më parë një president tjetër amerikan nuk ka marrë kaq besim paraprakisht sa Obama. Obama gjendet para sfidave të mëdha, më e madhja - kriza financiare.100 ditët e para në postin e presidentit të Obamës.

Obama- 100 ditë president i SHBA

Obama- 100 ditë president i SHBA

25 ditë pas ardhjes së Obamas në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi miratoi paketën ekonomike me vlerë 787 miliardë dollarë

Ngjashëm si Franklin Roosevelt-i në vitet '30-të edhe presidenti Barack Obama do të futet në historinë amerikane si një "donator i madh". Në 100 ditët e para ai ka investuar me miliarda euro në paketa të ndryshme ekonomike, për të shpëtuar ekonominë amerikane, të cilën e mori në një gjendje shumë të rëndë nga paraardhësi i tij George Bush. Në gjendje shumë të rëndë ishin bankat dhe institucionet financiare, industria e automjeteve dhe tregu i pasurive të patundshme, ndërkohë që numri i të papunëve ishte në nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.

"Në qoftë se nuk veprojmë shpejt dhe me vendosmëri, situata e keqe mund të marrë përmasa dramatike", paralajmëroi presidenti që në fillim të mandatit. Ai menjëherë u detyrua që nga Senati dhe Kongresi amerikan të kërkojnë ndihma të mëdha financiare. Gjatë një fjalimi të tij në Florida, i erdhi një lajm i mirë: senati ka miratuar paketën e tij koniukturore, që ai menjëherë edhe bëri publike."

Vetëm 25 ditë pas futjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, edhe Kongresi miratoi paketën e ndihmës ekonomike në vlerë prej 787 miliardë dollarë. Përkundër rezistencës së madhe të republikanëve, të cilët humbën në zgjedhjet e mëparshme postin e presidentit dhe shumicën në Kongres. E ashtuquajtura Paketë e stimulimit është programi më i madh i llojit të tij në historinë amerikane.

Recesioni ekonomik në SHBA nuk u evitua dot

Recesioni ekonomik në SHBA nuk u evitua dot

Rëniet e mëdha në bursë nuk u evituan dot

Pikërëndesa është në investimet për krijimin e vendeve të punës, theksoi Obama, i cili paralajmëroi edhe lehtësime tatimore për qytetarët e rëndomtë në vlerë prej 300 miliardë dollarësh. Para u premtuan edhe për pronarët e shtëpive, të cilët janë në hall dhe nuk janë në gjendje t'i paguajnë kreditë e marra, si dhe për ata të cilët blejnë automjete që ruajnë klimën. Për t'i shpëtuar bankat në krizë, Obama paralajmëroi ndihmë në një vlerë prej 700 miliardë dollarë. Qëllimi është që institucionet financiare të shpëtohen nga kreditë e dyshimta dhe të shpëtojnë nga kriza. Obama është i interesuar para së gjithash që të funksionojë sërish sistemi i kredive.

Obamas nuk i mungojnë kritikët në kongres

Obamas nuk i mungojnë kritikët në kongres

Obama ka edhe kritikë- konservatorët mendon se Obama vetëm po shpërdoron paratë

Por presidenti dhe ministri i tij i Financave, nuk ia dolën që t'i evitojnë rëniet e mëdha në bursë. Tregjet financiare e kanë humbur besimin. Për Obamën një ngarkesë e madhe është edhe industria e automjeteve. General Motors-i dhe Chrysler-i u ndihmuan me miliarda dollarësh për të shpëtuar nga kriza, por u paraqitën edhe kushte shumë të qarta: Sipërmarrjet duhet të ristrukturohen ose kërcënohen nga falimentimi. Në prognozat më të reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se ekonomia amerikane do të fillojë rritjen në vitin 2011.

Obama ka dhe kritikë të shumtë. Bartësi i çmimit Nobel, Paul Krugman, mendon se masat e tij nuk mjaftojnë.

Në qoftë se Obama nuk e shfrytëzon këtë shans, atëherë me siguri që nuk do të ketë një mundësi tjetër", mendon Krugman.

"Shumë konservatorë janë të mendimit se Obama vetëm po shpërdoron paratë. Këtë e pohon edhe John Boehner, zëdhënës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Presidenti ka ofruar një buxhet, i cili për mendimin tim do ta dëmtojë ekonominë dhe do të eleminojë vende pune, të cilat ne po përpiqemi t'i rujamë dhe krijojmë", thotë ai.

Mirëpo zgjedhësit edhe më tej besojnë se Obama është në gjendje t'i tejkalojë të gjitha këto probleme. Sipas sondazheve të fundit, Obama gëzon mbështetjen e 71 përqind të amerikanëve.


Autor: Antje Passenheim/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi