1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Donald Tusk në Maqedoni: Nuk do t'u lemë vetëm në këtë situatë të rëndë

Donald Tusk vizitoi Shkupin në një kohë kur në kufirin greko-maqedonas një refugjate në gjendje të rëndë psikologjike ka tentuar që të vetëdigjet. Gjendja në kufi mund të ndryshojë në çdo moment, thonë ekspertët.

Me fjalë thuajse duke iu lutur Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk gjatë vizitës në Athinë iu drejtua emigrantëve, që largohen nga vendi i tyre për arsye ekonomike: "Pavarësisht nga vini, mos hajdeni në Europë. Mos u besoni kontrabandistëve. Mos rrezikoni jetën dhe paratë tuaja. Kjo nuk ia vlen. Greqia dhe shtetet e tjera të BE-së nuk do të jenë më vende tranziti. Rregullat e shengenit do të hynë sërish në fuqi."

Ndërsa gjatë vizitës në Maqedoni, ku në sfondin e gjendjes dramatike që po krijohet dita ditës në zonën kufitare dhe bllokimit të refugjatëve atje, Tusk thkesoi:

"Në fund njerëzit do të shpërthejnë, sepse kjo situatë zgjat për një kohë të gjatë dhe nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se të protestojmë. Populli i Sirisë jeton në mesin e bombave dhe nuk kujdesen shumë për veten e tyre, sepse për ato është njëjtë nëse do të jetojnë ose vdesin", e përshkruan një refugjat nga Siria atmosferën mes refugjatëve.

Numri i refugjatëve "të bllokuar" në kufirin greko-maqedonas në Idomeni është në rritje, pasi disa vende të rrugës ballkanike kanë njoftuar kufizimin e hyrjeve të refugjatëve. Ministri i punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski thekson se gjatë ditës së djeshme (02.03.)Maqedonia ka pranuar vetëm 300 refugjatë, ndërsa për ditët në vijim tha se ky numër do të varet nga numri që do të pranojnë vendet e tjera të “rrugës ballkanike”. “Maqedonia ka krizë të brendshme ekonomike shumë serioze dhe ky vend nuk mund të pranojë numër më të madh të refugjatëve, të cilët do t'i mbante në territorin e vendit, por do të pranojë aq sa do të pranojnë vendet tjera të rrugës ballkanike”, është shprehur Spasovski.

Brüssel EU Gipfel Donald Tusk

Donald Tusk vizitoi Shkupin për të biseduar mbi krizën e refgjatëve

BE nuk do ta lërë vetëm Maqedoninë

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës së refugjatëve ka qenë tema kryesore e takimit në Shkup, mes kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, i cili ka premtuar ndihmën e BE-së për Maqedoninë, në përballjen me fluksin e refugjatëve. “Bashkimi Evropian e kupton gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhen autoritetet në Shkup. Nuk mundemi dhe nuk guxojmë që t'i lëmë vetëm në këtë situatë të rëndë. Nuk ka alternativë më të mirë përveç se bashkëpunimit me Turqinë, përmes së cilës vjen numri më i madh i migrantëve”, ka deklaruar Donald Tusk.

Ivanov: Maqedonia nuk do të shndërrohet në kamp refugjatësh

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka deklaruar se Maqedonia nuk do të lejojë ngritjen e kampeve për refugjatë nga Siria dhe zonat tjera të luftës. Ai ka thënë se Shkupi është i gatshëm të bashkëpunoj me Greqinë për refugjatët, por nuk do ta marrë barrën që ata t'i mbajë në kampe brenda shtetit. “Kërkojmë zgjidhje nga Këshilli i Evropës dhe nuk kemi kurrfarë interesi që e gjithë barra të bjerë mbi Greqinë, por nuk do të lejojmë që të realizohen zgjidhje të njëanshme, që do të shkojnë në dëm tonin. Ne do të bashkëpunojmë për tejkalimin e sfidave nga kriza me refugjatët”, ka thënë Ivanov, duke kundërshtuar mundësinë që në Maqedoni të ndërtohen kampe.

Griechenland Flüchtlinge an der Grenze zu Mazedonien

Refugjatë në kufirin maqedonas

Maqedonia mund të përballet me rreziqe të reja

Profesori i çështjeve të sigurisë, Tërpe Stojanovski thotë se nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet në zonën neutrale, gjasat janë reale që të ketë përpjekje të reja për të depërtuar me dhunë në Maqedoni. “Ajo që pamë ditëve të fundit është një shembull, apo skenar i mirë për rreziqe të reja. Nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet, sigurisht se pamjet e para dy ditëve do të përsëriten. Bëhet fjalë për fate njerëzish, andaj edhe duhet vepruar në menaxhimin sa më të mirë të situatës”, thotë Stojanovski.

Në të gjithë territorin e Greqisë ndodhen rreth 25 mijë refugjatë, ndërsa vetëm në qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni, momentalisht qëndrojnë rreth 9 mijë refugjatë. Organizatat humanitare që veprojnë në Idomeni theksojnë se nuk kanë mundësi të sigurojnë as nevojat themelore të refugjatëve, përfshirë edhe ushqimin, pasi qendra për pritje është e tejmbushur nga numri i madh i refugjatëve, të cilët tashmë janë të bllokuar në “tokën e askujt”, për shkak të masave të rrepta të kontrollit ndaj refugjatëve në vendet përgjatë “rrugës ballkanike”. Në vijën kufitare në kuotën 59, vërehet numri i madh i forcave policore-ushtarake, të Maqedonisë ndërsa situata përgjatë kufirit kontrollohet edhe nga helikopterët.