1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Donald Reeves: Pavarësisht traditës së tolerancës bashkësitë në Kosovë vazhdojnë të jenë të ndara

Donald Reeves, themelues i “Soul of Europe“: Dialogu ndërfetar duhet të institucionalizohet, por kjo kërkon kohë. Kosova ishte vendi, ku u organizua konferenca ndërkombëtare “Feja dhe Pajtimi”.

Konferenca me temën “Feja dhe Pajtimi” mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ambasada norvegjeze, ambasada britanike, dhe Këshilli Britanik për Fenë organizuar nga “Soul of Europe“ nga Britania e Madhe zgjodhi si vend për organizinim e saj Kosovën për të historisë së saj të viteve të fundit, thotë për DW Donald Reeves,  themelues i “Soul of Europe“. Reeves beson fort, se dialogu ndërfetar në Ballkan ka të ardhme, por thekson ai: „Ky dialog duhet institucionalizuar e kjo kërkon kohë. Në këtë drejtim mund të bëjnë shumë udhëheqësit fetarë, sepse është e nevojshme të kalohet në një nivel tjetër, ku njerëzit me besime të ndryshme tradicionale mund të takohen, të njihen e të festojnje së bashku.“

Kosova si vend multietnik, ku bashkëjetojnë njerëz me besime të ndryshme, pavarësisht konflikteve përgjatë historisë, ka si vlerën më të madhe trashëgimore në shoqëri tolerancën ndërfetare, e cila mbijetoi ndër shekuj. Bashkësia Islame e Kosovës, e cila përfaqeson mbi 90 per qind të komunitetit fetar në Kosovë, vazhdon të jetë kryesuese e bashkëjetesës në harmoni të plotë ndërmjet besimtarëve, thotë kryeimami Sabri Efendi Bajgora, sepse: “Ne jemi të vetdijshëm se nuk ka alternativë tjetër përveç një pajtimi, një shikimi kah e ardhmja për hir të brezave të rinj, sepse lufta dhe urrejtja nuk kanë sjellë asnjë të mirë as në Kosove e në asnjë vend tjetër  të botës.“

Sabri Efendi Bajgora, kryeimam i Kosovës

Sabri Efendi Bajgora, kryeimam i Kosovës

Në kohën tonë, religjionet duhet të distancohen nga ideologjitë agresive dhe çdo akt i dhunës duke u fokusuar në misionin autentik të bashkimit të popujve, të përsosjes morale dhe shpirtërore, për çfarë nevojitet guxim dhe vendosmëri  që buron nga forca e besimit në Zotin, i cili  njeh zemrën e  secilit, thotë për DW-në peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, nga Kisha Ortodokse në Kosovë: „Unë shumë herë kam qenë në situatë që me shembullin tim t´u tregoj të tjerëve se paqja në këtë territor nuk ka alternativë. Veçanërisht jam i gëzuar që si igumeni e Manastirit të Deçanit kemi pas rastin ta dëshmojmë gjatë konflikteve dhe luftës, që të rrezikurave t´ua shtrimë dorën, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare.  Ne jetojmë në këtë territor dhe pavarësisht të gjithave është e rëndësishme ta kuptojmë njëri-tjetrin, se dallimet duhet të na pasurojnë dhe  jo të hapin ndonjë konflikt artificial“, thotë peshkopi Teodosije.

Krishtërimi predikon paqen dhe duhet të bëj dialogje të afërta me me bashkësitë e tjera fetare. Ndërsa,  toleranca dhe dialogu ndërfetar në Kosovë është në të njëjtën frymë që predikohet nga Kisha Katolike, thotë për DW-në, Don Shan Zefi, kancelar i Kishës Katolike në Kosovë: „Ky dialog duhet bazuar në sinqeritet, i cili sigurisht nuk na mungon.  Është parim se kisha dhe shteti janë të ndara, por  bashkëpunojmë në ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut, në çështjet humanitare etj., sepse kemi ideal të përbashkët të mbrojmë njeriun“, thotë kancelari Don Shan Zefi, sipas të cilit, “edhe pse kohëve të fundit ka tendenca për futjen e një  fryme më radikale të grupimeve të ndryshme, toleranca tradicionale ndërfetare vazhdon, sepse populli i Kosovës ka një shpirt dhe vetëdije që nuk i pranon  tendenca të tilla.“ 

Sipas Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke qenë se besimi shpeshherë është keqpërdorur për të krijuar ndarje nga elitat e ndryshme politike, dialogu ndërfetar është një komponent kryesor në ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës. „Kushtetuta e Kosovës definon natyrën e shtetësisë sonë si laike, ku sfera publike është tërësisht e ndarë prej aspekteve religjioze. Në të kaluarën ka pas situata të keqpërdorimit të rolit të fesë dhe të institucioneve fetare, një tendencë të përhershme dhe në mënyrë sistematike nga Kisha Ortodokse Serbe që të jetë në kontakt permanent me shtetin serb dhe anasjelltas. Por, me stabilizimin e situatës politike dhe me formimin e shtetit të Kosovës, duket që komunitetet fetare, sidomos disa  që në të kaluarën kanë pas një rol jo edhe aq pozitiv në favor të paqes, përmbyllin një cikël të stabilizimit të plotë“.

Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije

Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije

Sa i përket ndikimit të politikës serbe ndaj Kosovës peshkopi Teodosije vë në dukje, se:“Unë flas në emrin tim dhe të priftërinjve që më përkasin. Edhe ne jemi njerëz dhe ndonjëherë reagojmë në ngjarje të caktuara. Ka pas gjëra të mira dhe të keqija, sprova nga të gjitha anët. Mirëpo, herë-herë është e domosdoshme të gjykojmë të keqen nga cilado anë që ajo vjen. Por, kisha porosit që paqja dhe pajtimi janë të nevojshme ndërmjet atyre që jetojnë në një territor.“

Donald Reeves  nga „Soul of Europe“ theksoi, se  mënyra se si religjionet dhe qytetarët mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashket, janë projektetet e  përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë dhe  zbutjen e varfërisë. Sepse, sipas tij, "besimet janë në qytete, në fshatra, në lagje, në rrugë, në shtëpi ndërsa bashkësitë fetare në Kosovë, pavarësisht nga tradita e  tolerancës fetare, për fat të keq vazhdojnë të jenë në vende të veçanta."

“Feja dhe Pajtimi” ishte tema e konferencës që i zhvilloi punimet më 24 dhe 26 majnë Pejë, ku u mblodhën mbi 120 teologë dhe udhëheqës fetarë vendas dhe nga e mbarë bota. Të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile, diplomatë të nga vende të ndryshme, që  angazhohen në çështje të dialogut ndërfetar global.