1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Donald kush? Një vit pas zgjedhjes së Donald Tusk president i Këshillit të BE-së

Donald Tusk - president i Këshillit të BE-së prej një viti. Por ish-kryeministri polak ende nuk ndjehet mire brenda rolit të ri, thonë në Bruksel. Tusk më shumë hesht se sa jep tonin në krizat aktuale.

E dini kush është Herman Van Rompuy? Ky emër nuk ju thotë asgjë? Paskeni harruar që politikani belg ka qenë presidenti i parë i Këshillit të BE-së. Posti që ai pati për pesë vjet, me sa duket nuk e bëri të njohur as në Europë dhe as në pjesën tjetër të botës. Pasardhësin e tij, Donald Tusk, prej një viti në këtë post, duket se po e ndjek i njëjti fat. Ai nuk ka rënë shumë në sy, megjithëse këtë vit ka thirrur shumë samite të BE-së e takime të jashtëzakonshme. “Tusk është shumë i tërhequr si në parketin politik të Brukselit, ashtu edhe jashtë tij. Ai nuk shprehet mbi qëndrimet e tij, se si do të vazhdohet më tej me Bashkimin Europian. Tusk nuk mban fjalime”, kritikon eksperti i BE-së, Janis Emmanouilidis nga qendra analitike "European Policy Centre" në Bruksel.

Donald Tusk si kryeministër i Polonisë, dha dorëheqjen pas shtatë vitesh të suksesshme ekonomike për të shkuar në Bruksel. Zyrtarisht një hap drejt ngjitjes në karrierë. Në Varshavë u tha para një viti se Donald Tusk është i lodhur nga mandati, dhe me pak nuhatje politike u largua në momentin e duhur në Bruksel, në një kohë kur në partinë e tij liberale punët nuk po shkonin mirë. Vërtet ish-aktivisti i sindikatave të Solidarnostit u përball me ndryshime politike. Fitorja e fundit e konservatorëve në Poloni, që e larguan nga pushteti pasuesen e Tusk, Eva Kopacz i dhanë atij të drejtë.

Ende i pamësuar me Brukselin?

Donald Tusk erdhi me pritshmëri të mëdha në Bruksel por edhe ndaj tij kishte pritshmëri të larta. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që i mbështeti ambiciet e Tusk e lëvdon atë si „europian të angazhuar“, ndërsa Tusk ngre lart Merkelin, „mikeshën e tij të ngushtë në politikë“. Që në vitin e parë në post, Tusk duhej të përballej me një seri krizash: Ukraina, Greqia dhe borxhet, refugjatët dhe tani terrori. Në një intervistë me portalin „politico“, Tusk u shpreh se “thotë më shpesh se duhet atë që mendon”. Por kritikët e tij në Këshillin e Europës, dhe në Komision thonë se Tusk ende nuk është mësuar me Brukselin. Ai ndjehet “si i huaj”, thotë një diplomat i BE-së. “Në krizën e euros u pa, se ai nuk mund të barazohej dot me presidentin e KE-së, Juncker, që ka shumë më tepër përvojë. Megjithatë ai ishte ndërmjetësuesi kur Angela Merkel dhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras në samitin dramatit të korrikut arritën një marrëveshje.

Angela Merkel und Donald Tusk beim EU-Sondergipfel zur Flüchtlingspolitik

Merkel - Mikesha politike e Tusk

Duhet përmendur se Tusk nuk ka ndonjë pushtet të fortë institucional, gjë me të cilën nuk është mësuar ish-kryeministri. Ai është një lloj kryetari nderi i 28 vendeve anëtare të BE-së, dhe duhet në prapaskenë të punojë për arritjen e kompromiseve. Por heshtjen nuk e do as Donald Tusk. Ai ka paralajmëruar me kohë, se zona e Shengenit, pra liria e udhëtimit pa kontrolle kufitare rrezikon të dështojë plotësisht. „Për të shpëtuar Shengenin është si të bësh garë me kohën, një garë të cilën ne duhet ta fitojmë“, tha Tusk që në mesin e nëntorit në kuadrin e krizës së refugjatëve. Por vetëm kur të njëjtën fjali e tha Angela Merkel dhe presidenti i KE-së, Juncker, ajo zuri kryetitujt e mediave. Presidenti i Këshillit të BE-së thotë ndoshta atë që duhet, por fjala nuk i bën ndonjë jehonë të madhe.

Flüchtlinge / EU-Gipfel / Brüssel / Jean-Claude Juncker und Donald Tusk

Junckerit i dëgjohet më shumë zëri se Donald Tusk

Tusk ende në kërkim të rolit

Në krizën e refugjatëve Tusk e ka shumë të vështirë të ruajë unitetin brenda Këshillit. Deri më tani ai nuk ia ka dalë të marrë miratimin për mekanizmin e shpërndarjes brenda BE-së. Presidenti i KE-së, Juncker dhe kryeministri italian u shfaqën të zemëruar, ndërsa Tusk e komentoi këtë grindje vetëm me fjalët: „Grindja është herë pas here pjesë e zanatit“. Më pas disa samite i thirri vetë kreu i KE-së, Juncker, që si kompetencë i takon presidentit të Këshillit, Tusk.

Eksperti Janis Emmanouilidis nga "European Policy Centre" është i mendimit se edhe në krizën e refugjatëve, Tusk nuk ka marrë ndonjë rol balancues. “Ai ka një tendencë të fortë në drejtim të aspektit të sigurisë dhe më pak në drejtim të ‘ne ia dalim mbanë' dhe duhet ta bëjmë këtë”. Në këtë pikë ai nuk qëndron në anën e Merkelit, dhe kjo i ka sjellë shumë kritika.”

"Donald Tusk ende kërkon rolin e tij“, thotë një diplomat i BE-së. Shumë kohë për këtë ai nuk ka. Mandati i Donald Tusk përfundon në qershor të vitit 2017. Deri atëherë ai duhet të përballet me rinacionalizimin gjithnjë e më të fortë të BE-së dhe me tendencën e britanikëve për t'u shkëputur. Tusk dhe Cameron kishin marrëdhënie të mira nga koha, kur të dy ishin kryeministra. Por tani ai duhet që pas shumë bisedimesh personale të kuptojë se Cameron kërkon vërtet një reformim të thellë të BE-së, sipas gustos britanike. Tusk e refuzon këtë. Ai nuk do ndryshimin e marrëveshjeve, në një kohë kur krizat pasojnë njëra-tjetrën dhe në vendet europiano-lindore, përfshi edhe Poloninë, po rritet skepticizmi ndaj Europës.