1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dokumente sekrete zbulojnë të vërtetën e kolapsit sovjetik

Dokumente të pazbuluara më parë, tregojnë sesa i dëshpëruar ishte lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçovi për të rimarrë pushtetin, dhe se si ai iu lut Gjermanisë për të marrë para, që do të shpëtonin vendin e tij.

Mihail Gorbaçov më 1990

Mihail Gorbaçov më 1990

Ka një moment të vetëm, një vendim unik që shumë njerëz e kujtojnë si të gabuar për Mihail Gorbaçovin, edhe sot e kësaj dite, 20 vjet më pas. Gorbaçovi, lideri i fundit i Partisë Komuniste në Bashkimin sovjetik, si dhe presidenti i fundit i BRSS, gruaja e tij dhe miqtë më të afërt i mbijetuan një atentati të organizuar nga KGB, ministri i Brendshëm dhe shefi i Forcave të Armatosura. Ata u rikthyen në Moskë, pas arrestit në shtëpi në shtëpinë e pushimit që Gorbaçov kishte në rezortin Foros në Krime'. Avioni i tyre u ul në kryeqytet në 2:15 a.m. në orën lokale, në 22 Gusht, 1991.

Në 3 ditët e fundit, më shumë se 60000 vetë u mblodhën asokohe në “Shtëpinë e Bardhë” ruse, vendndodhjen e Parlamentit të Republikës sovjetike Ruse, që ishte bërë bastioni i mbështetësve të Gorbaçovit. Ku ata dëgjuan në radio, se ai ishte liruar nga arresti shtëpiak në gadishulllin e Krimesë, ata nisën të brohorasin "president, president," si dhe pritën për një dalje publike të 60 vjeçarit Gorbaçov.

Por Gorbaçovi, që e liruan vetëm sepse autorët e grushtit të shtetit ishin frikësuar nga populli, i shokoi mbështetësit e tij. Në vend që të kërkonte që të dërgohej nga aeroporti në sheshin ku e prisnin përkrahësit e tij, për të shijuar fitoren mbi rivalët, ai urdhëroi shoferin që ta dërgonte në daçën e tij. Ai kaloi atje të gjithë natën dhe në mëngjes shkoi në Kremlin.

Me standardet e sotme, kjo ishte një gafë e madhe nga pikëpamja publicitare. Por 3 ditët e arrestimit të tij në gadishull, jo vetëm që futën në turbullira vendin, por edhe shkaktuan trazira në karakterin e Gorbaçov, si dhe gruas së tij Raisa Maximovna Gorbaçova.

Boris Jelcini gjatë puçit në Moskë

Boris Jelcini gjatë puçit në Moskë

Duke fshirë të kaluarën


Gruaja e Gorbaçovit kishte paguar çmimin më të shtrenjtë për ato tre ditë. Ajo ishte detyruar të shtrihej përtokë me dhunë, gjatë udhëtimit për në Moskë. Kishte hematoma në sytë e saj, zëri i ishte zbehur, si dhe kishte paralizë në një pjesë të trupit. Doktorët diagnostikuan çrregullime në shëndetin e saj, që më pas doli të kishte qenë një atak hipertensioni.

Stresi i atyre ditëve kur Bashkimit Sovetik po i vinte fundi pas 69 vitesh ekzistencë, ishte më shumë se duhet për Gorbaçovin. Ai nuk ishte shefi i vetëm i Kremlinit.

Ish-nxënësi i tij, Boris Jelcin ishte duke shkëlqyer si ylli në ngjitje, në politikën e Moskës. Menjëherë pas grushtit të shtetit, Jelcini i ndaloi të gjitha aktivitetet e Partisë Komuniste, në të cilën Gorbaçovi kishte qenë sekretar i përgjithshëm deri atëherë. Për shkak edhe të lëvizjeve të vazhdueshme shkëputëse në Republikat josovjetike, Gorbaçov u bë një president pa shtet. Shumë shpejt ai e parandjeu se shteti i vetëm i Bashkimit Sovjetik do të ishte Rusia dhe ku Gorbaçovi nuk do të kishte më kontroll.

Raisa Gorbaçova kaloi ato ditë pas grushtit të shtetit në verandën presidenciale të daçës. Ishte një prej atyre ditëve kur ajo vendosi të fshinte një pjesë të së kaluarës, duke djegur 52 letra, që burri i saj kishte shkruar për të, kur kishte qenë larg, në udhëtime zyrtare. Ato ishin letra rinie, siç do ti quante më vonë Gorbaçovi, letra të cilat gruaja i kishte mbajtur gjatë gjithë jetës. Por pas eksperiencës në rezortin Foros, ajo kishte shumë frikë. Ajo përlotej gjatë kohës kur digjte këto letra duke i thënë burrit të saj se nuk donte të huaj në jetën e tyre.

Edhe Gorbaçovi ndoqi të njëjtin shembull. Ai dogji 25 dosje me shënime të cilat kishte bërë në zyrë, përshkrime të politikanëve të ndryshëm, detaje të jetës politike dhe shumë plane. Libri i vetëm që mbajti ishte ditari personal. Duhej të kalonin 20 vjet që ai të fliste për këtë, në Shkurt të vitit 2011 për Novaja Gazeta.

Arkivat përmbajnë qindra dokumente


Dokumentet zyrtare të 6 viteve të tij në zyrë, u ruajtën. Gorbaçovi i mbajti ato me vete kur dha dorëheqjen si president në fund të atij viti, dhe këto dokumente iu dhanë fondacionit me emrin e tij. Që prej asaj kohe, 10.000 dokumente janë ruajtur në zyrat e fondacionit në Leningrad Prospect 39, në qytetin e Moskës. Ato përfshijnë edhe dokumente nga këshilltarët Vadim Zagladin dhe Anatoli Çernjaev.

Këto dokumente ilustrojnë fundin e eksperimentit komunist. Ato përfshijnë minutat e negociatave me liderët e huaj, dorëshkrimet rekomanduese të këshilltarëve për Gorbaçov, regjistrimet e bisedave të negociatave, dhe notat konfidenciale të mbasadorëve, dhe debatet në Byronë Politike.

Jelcini dhe Gorbaçovi, 1991

Jelcini dhe Gorbaçovi, 1991

Ka gjithashtu memorandume, në të cilat lideri sovjetik këshillohet sesi të përfundojë luftën në Afganistan, ose sesi të merret politikisht me çështjen e hebrenjve që duan të emigrojnë, apo sesi të refuzojë me politesë, takimet me liderin palestinez Yasser Arafat ("asgjë konkrete nuk pritet nga ai"), apo sesi të evitojë gjyqin për Mathias Rust-in, një pilot avioni gjerman që ilegalisht kishte ulur avionin në Sheshin e Kuq.

Në dokumente ka gjithashtu raporte nga informantë sekretë brenda Partisë Komuniste në Gjermaninë Lindore, që përshkruajnë sesa keq ishin kushtet në këtë vend. Ka gjithashtu raporte se çfarë shkroi revista franceze Paris Match, mbi Raisa Gorbaçovën, apo sesi kritikonte këngëtarja ruse Alla Pugaçeva, politikën e “perestrojkës”.

Burokracia e pamjaftueshme


Duke lexuar këto dokumente duket sikur kthehesh pas në kohë. Të gjithë këto, zbulojnë problemet e shumta që rrënuan sistemin, ku fermerët dhe minatorët rebeloheshin, ndërsa intelektualët kërkonin zgjedhje demokratike. Njerëzit e shteteve Balltike, gjeorgjianët dhe moldavët ishin në revoltë kundër rusëve, ndërsa fundi i doktrinës së Brezhnjevit, po perëndonte.

Gorbaçovi, që më parë kishte qenë një zyrtar provincial në Stavropol, qëndroi në krah të vendit të tij, duke e parë të “mbytej” si rezultat i formimit të keq dhe refuzimit të burokracisë për të ndryshuar kurs. Dokumentet e analizuara tregojnë se edhe nën sundimin e Gorbaçovit, burokracia ishte më e pamjaftueshme se kurrë.

Ndihmësi i Gorbaçovit, Anatoli Çernajev, për shembull, ankohet për liderët jokompetentë në lëvizjet botërore komuniste, si lideri francez Zhorzh Marshe ("një kalë i vdekur"), si dhe Gus Hall, kreu i partisë komuniste në SHBA ("një filistin me koncepte plebejsh "). Pavarësisht kësaj, Moska ishte duke paguar miliona që të mbështeste përfaqësuesit e saj jashtë vendit.

Në atë kohë, dyqanet në Bashkimin Sovjetik vuanin nga mungesa e vezëve dhe sheqerit, madje edhe vodka ishte e paktë në sasi. Kushtet ishin mjaft të këqija në Shtator të 1988-ës.

Ende një tabu


Gorbaçovi më pas përdori disa dokumente në librat e tij të mëvonshëm, për të përshkruar lidershipin e Kremlinit. Por ende shumë dokumente janë një tabu edhe sot e kësaj dite. Kjo, pjesërisht sepse lidhen me vendime që mund të kenë efekt akoma, apo për njerëz të cilët Gorbaçov nuk dëshiron t'i përfshijë, dhe që mund të kenë rol aktiv në politikën moskivite. Gjatë një vizite kërkimore në “Gorbachev Foundation”, historiani rus Pavel Stroilov, që sot jeton në Londër, kopjoi në mënyrë sekrete 30,000 faqe materiale të arkivuara atje e më pas ia dha revistës Shpigel.

Dokumentet zbulojnë diçka që Gorbaçovi preferonte të mos e nxirrte në shesh; ai u shty të ndërmerrte veprime të pamatura, gjatë “vdekjes” së ngadaltë të BRSS dhe që shpesh e humbi toruan gjatë kaosit politik. Dokumentet gjithashtu tregojnë që kishte personalitet të dyfishtë dhe përkundër thënieve të tij, bëri pakte me ekstremistët në parti dhe në ushtri.

Me fjalë të tjera, ish lideri i Kremlinit bëri atë që shumë “koka shtetesh” të tërhequra bëjnë në fund: rivendosi imazhin e tij si një reformues i ndershëm.

Autor: Aurel Boriçi (shpigel)

Redaktoi: Auron Dodi