1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Doktoraturë e kopjuar? - Skandali përfshin ministrin gjerman zu Guttenberg

Në Gjermani ka shpërthyer një skandal i ri rreth ministrit të Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg. Dy profesorë të drejtësisë e kritikojnë atë për plagjiaturë në punimin e tij të doktoraturës.

Zu Guttenberg deklaron se do të heqë dorë përkohësisht nga titulli doktor i shkencave.

Deri në sqarimin e akuzave, ministri zu Guttenberg do të heqë dorë nga titulli "doktor i shkencave".

Edhe pse ende nuk po kërkohet që ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, të japë dorëheqjen, kritikat ndaj tij po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Ministrin e akuzojnë se për doktoraturën e tij, që e ka mbrojtur para pesë vjetësh, ka kopjuar fjalë për fjalë nga gazetat dhe botime të tjera pjesë të tëra, pa shënuar se është fjala për citate.

Janë kopjuar paragrafë të tërë pa referenca për burimin

Gazetarja edhe publicistja Klara Obermüller, tregon se prej një artikulli të saj në gazetën Neue Zürcher Zeitung, ministri ka kopjuar:

"Jo vetëm ndonjë fjali të shkurtër, por një sërë fjalish që i ka përfshirë në punimin e tij të doktoraturës pa i futur në thonjëza dhe pa cituar burimin. Kjo më duket jo korrekte dhe në fakt e pafalshme. Jam shumë e çuditur për këtë."

Pjesë të tëra të hyrjes së disertacionit të ministrit zu Guttenberg janë kopjuar nga një arktikull i politologes së Universitetit të Pasaut, prof. dr. Barbara Zehnpfennig, të botuar në gazetën Frankfurter Allgemeinen Zeitung. Profesoresha është tepër e zemëruar:

"Të marrësh citate nga dikush tjetër dhe të mos i shënosh si të tilla, ky nuk është gabim që mund të të shpëtojë. Në rastin tim kjo më duket tepër e pabesueshme, sepse në hyrje të disertacionit janë përfshirë paragrafë të tërë nga artikulli im, ndërkohë që në hyrje të disertacionit shkruhen pikërisht synimet dhe ato që ka arritur personi me doktoraturën e tij. Të kopjosh të tilla gjëra prej dikujt tjetër dhe të mos e bësh të qartë, kjo nuk lejohet."

Guttenberg / Doktorarbeit / Dissertation

Pjesë të hyrjes në disertacionin e ministrit zu Guttenberg janë kopjuar nga një arktikull i politologes së Universitetit të Pasaut, prof. dr. Barbara Zehnpfennig.

Kërkohet anulimi i titullit "doktor i shkencave" për Guttenbergun

Profesorja kërkoi në një intervistë për gazetën Die Welt që minstrit të Mbrojtjes t'i anulohet titulli i doktorit. Universiteti i Bajrotit, ku zu Guttenbergu ka mbrojtur në vitin 2007 doktoraturën, do ta analizojë tani atë për të parë nëse kemi të bëjmë me plagjiaturë apo jo.

Profesori i drejtësisë në Universitetin e Mynihut, Volker Rieble, i cili është edhe ekspert në fushën e plagjiaturave, i tha agjencisë Reuters se punimi i doktoraturës së Karl-Theodor zu Guttenberg, e cila është vlerësuar me notën më të lartë, "summa cum laude", ka shumë mangësi. Ai thotë se gjatë shfletimit të doktoraturës prej 450 faqesh, doktoraturë e mbrojtur në fushën e drejtësisë, ka vënë re se ka shumë ndryshime në stilin e formulimit, gjë që tregon se për përpilimin e saj janë përdorur pasazhe të ndryshme nga autorë të ndryshëm.

Profesori, Peter Häberle, që ka udhëhequr punimin e doktoraturës së ministrit, tha se autori i punimit ka qenë një ndër studentët e tij më të mirë, dhe se doktoratura e tij nuk është plagjiaturë. Edhe ministri zu Guttenberg i hodhi poshtë akuzat, dhe njoftoi me shkrim se është i gatshëm ta rishikojë punimin e tij dhe t'i korrigjojë gabimet për botimin e ri.

Opozita kërkon pasoja për ministrin

Pas publikimit të lajmit në të cilin bëhej fjalë për nëntë pasazhe të kopjuara nga autorë të tjerë pa përmendur autorësinë, sipas revistës "Spiegel Online" po shtohet numri i atyre që gjejnë në punimin e ministrit zu Guttenberg, pjesë nga shkrimet e tyre. Në radhët e opozitës po dëgjohen edhe zëra, që mendojnë se kjo ngjarje duhet të ketë pasoja për ministrin. Pas një bisede me kancelaren si dhe qëndrimeve kritike edhe nga politikanë të partisë së tij, ministri zu Guttenberg, deklaroi se deri në sqarimin e çështjes heq dorë prej përdorimit të titullit doktor i shkencave.

Autor: Bettina Marx / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10JTc
  • Data 18.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10JTc