1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Doganierët kosovarë së shpejti në pikat kufitare me Serbinë?

Drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica, beson se shumë shpejtë në dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, do të vendosen doganierët kosovarë. Deri tani ata nuk kanë pasur kushte sigurie në këto pika.

Ura e Mitrovicës.

DW: Sa ka qenë pengesë veriu i Kosovës për realizimin e objektivave të doganave të Kosovës, kur kemi parasysh se buxheti i Kosovës në përgjithësi mbushet nga doganat e Kosovës?

Huruglica: Që nga djegia e dy pikave kufitare në veri të Kosovës me 19 shkurt të vitit 2008 kjo pjesë ka qenë jashtë kontrollit doganor. Vetë fakti që ne nuk kemi qenë prezent në këto dy pika, ka nënkuptuar se kontrabandistë të ndryshëm kanë arritur të fusin mallra në teritorin e Kosovës pa zhdoganimin e tyre. Një pjesë e këtyre mallrave ka vazhduar të zhdoganohet në terminalin doganor në Mitrovicë mirëpo, kjo ka qenë mbi baza vullnetare, mirëpo pjesa më e madhe e mallrave mbetej në pjesën veriore të Mitroviës dhe pastaj përmes rrugëve ilegale bartej në pjesë tjera të Kosovës. EULEX-i ka qenë prezentë në këto dy pika, mirëpo vetëm ka regjistruar mallrat që hyjnë në Kosovë dhe nuk ka pasur një aktivitet për zhdoganimin e tyre. Në bazë të të dhënave të misionit EULEX dhe të dhënave tona, ne kemi konstatuar se humbjet për buxhetin e Kosovës gjatë tri viteve kanë qenë afro 120 milion euro. 120 milion euro janë para të mëdha për Kosovën dhe Kosova nuk e ka luksin që t'i humbë këto të holla. Pas datës 25 korrik të vitit 2011 dhe vendosjes së masave të reciprocitettit me Serbinë ne tashmë kemi filluar të shohim një stabilizim të të hyrave doganore dhe një import më të shtuar përmes pikave tjera doganore.

DW: Zoti Huruglica pas ndalimit të mallrave serbe që të hyjnë në teritorin e Kosovës, ku është orientuar importi kosovar?

Huruglica: Importi është orientuar kryesisht në rajon, vërehet një rritje e mirë e importit nga Shqipëria. Për shembull për herë të parë kemi në Kosovë material ndërtimor nga Shqipëria, gjithashtu kanë filluar të vijnë në Kosovë prodhimet kroate, nga maqedonia, Turqia, por ka edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

DW: Zoti Huruglica, pse nuk po vendosen doganierët e Kosovës në dy pikat kufitare me Serbinë pasi tashmë këto dy pika kufitare janë nën kontroll të KFOR-it, dhe organeve kosovare të rendit?

Huruglica: Besoj se për të gjithë është e qartë se është një problem sigurie pse nuk po vendosen doganierët e Kosovës në këto dy pika kufitare. Unë besoj se doganierët do të vendosen shpejt sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Unë nuk jam ai person që vendos se në cilën ditë do të ndodhë kjo, por unë besoj se shumë shpejtë kjo do të ndodhë gjithmonë pas një vlerësimi të situatës së sigurisë nga ana e forcave të rendit.

DW: Mosvendosja ende e doganierëve në dy pikat kufitare me Serbinë, ka të bëjë vetëm me çështjen e sigurisë së tyre, apo këtu kemi të bëjmë me një problem me të thellë edhe në raport me veprimet e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht me misionin EULEX.

Hurugica: E kam pak vështirë të përgjigjem në këtë pyetje sepse del jashtë autorizimeve të mia. Por ajo që unë mendoj është se këtu kemi të bëjmë me një situatë ku aty ka pasur interesa të grupeve kriminale për të përfituar nga mospagesa e taksave dhe shpesh herë është para se ato grupe kriminale ka qenë në një linjë me institucionet paralele serbe që janë të instaluara në veri. Gjithmonë në veri është përdorur karta e nacionalizimit e në fakt kanë qenë interesat për përfitime ekonomike.

DW: Kanë bërë doganat e Kosovës presion mbi misionin EULEX që të vendosen doganierët në dy pikat kufitare me Serbinë?

Huruglica: Ne nuk jemi në pozicion që të bëjmë presion, por kemi takime të rregullta me misionin EULEX dhe vazhdimisht kemi kërkuar që të na ndihmojnë për të vendosur kontroll në këto dy pika.

DW: Ka pasur një vendim të prerë për mosvendosjen e doganierëve në veri të Kosovës, apo kjo jo ka ndodhur në bazë të një vlerësimi se atje nuk ka kushte sigurie për vendosjen e doganerëve?

Huruglica: Nuk ka pasur një vendim të natyrës formale, por pas datës 19 shkurt të vitit 2008, pjesa më e madhe e doganierëve që punonin në ato pika që i takonin komunitetit serb dhe boshnjak e lëshuan punën. Unë besoj se ata kanë qenë të detyruar ta lëshojnë punën nga strukturat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës. Ne gjatë tri viteve të shkuara patëm bërë investime në ato dy pika kufitare duke i ndihmuar misionit EULEX që ta kryejë më lehtë punën e oficerëve tanë doganor, dhe gjithmonë me shpresën që një ditë do të kthehemi edhe në ato dy pika doganore, mirëpo, kjo akoma nuk ka ndodhur. Shpresoj sedo të ndodhë së shpejti.

Intervistoi: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani