1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dobjani: Kjo KQZ, premisa për konflikte

Amarildo Topi24 Maj 2013

Kur kanë mbetur më pak se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve Parlamentare në Shqipëri, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve është duke funksionuar pa antarët e opozitës. Por a është e mundur një gjë e tillë?

https://p.dw.com/p/18dRh
Fotografi: DW

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pothuajse gjithmonë ka qenë një mollë sherri mes partive poltike në 10 vitet e fundit. Shqiptarët janë duke shkuar drejt votimeve me një KQZ jo të plotë, për shkak të dorëheqjes së antarëve të Opozitës. Në një intervistë për DW konstitucionalisti Ermir Dobjani thotë se kjo përbërje e KQZ është premisë për konflikte.

DW: Zoti Dobjani si e shikoni procesin zgjedhor në një situatë ku Komisioni Qendor i Zgjedhjeve përbëhet vetëm nga katër antarë?

Kjo përbërje e KQZ paraprin një situatë konfliktuale, sidomos në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve më pas. Patjetër që duhet zgjidhet sa më shpejt dhe shqiptarët të shkojnë në zgjedhje me KQZ të plotë.

DW: Si mund të zgjidhet ky ngërç?

Cështja duhet të ndahet. Parlamenti shqiptar shkeli ligjin kur shkarkoi Ilirjan Muhon. Kjo shkelje u krye dhe Komisioni nuk mund të ribëhet me të njëjtën përbërje. Atëherë opozita duhet të zerë tre vendet e saj. Antarët e dorëhequr duhet të zëvëndësohen me të tjerë sipas dispozitave që parashkion Kodi Zgjedhor. Kjo është e realizueshme brenda një dite nëse ka konsensus.

DW: Mund të ndodhë një gjë e tillë në seancën parlamentare të së hënës?

E përsëris edhe njëherë nëse ka mirëkuptim zgjidhet brenda pak orëve.

DW: A ka një institucion të parashikuar në ligjet shqiptare që të detyrojë opozitën të çojë antarët e saj në Komision?

Nuk ka asnjë lloj parashikimi ligjor që të detyrojë Opozitën të çojë antarët e saj në KQZ. Unë mendoj se kjo është një formë e gabuar dhe bojkot i një pjesë të procesit zgjedhor, kështu që ata duhet të dërgojnë antarët e tyre në KQZ.

DW: Çfarë problemesh mund të lindin nga një përbërje si kjo aktuale e KQZ?

Në radhë të parë ka probleme juridike sepse KQZ do të duhet të marrë disa vendime me pesë anëtarë, gjë që nuk mund ta bëjë në këtë moment. Disa përfaqësues të partive politike kanë thënë se për vendimet nuk mund të marrë Komisioni do t‘i kalojnë për kompetencë Kolegjit Zgjedhor. Kjo është e pamundur nga pikëpamja kushtetuese dhe administrative. Për më tepët ka edhe një udhëzim të Kolegjeve të Bashkuar të Gjykatës së Lartë në çështjet që lidhen me kalimin e çështjeve nga juridiksioni administrativ në atë gjyqësor që thotë se: Kur ligjet parashikojnë që më parë duhet të jepet vendim nga një organ administrativ nuk merret në shqyrtim nga një organ gjyqësor. Pra Kolegji Zgjedhor nuk mund të marrë në shqyrtim pa patur më parë një vendim të KQZ. Kjo është shumë e qartë dhe nëse do të ndodhë një gjë e tillë është shkelje kushtetuese. Ky është një argument juridik i fortë që KQZ duhet të marrë formën e plotë sepse përndryshe të gjithë vendimet që do të merren, qoftë edhe nga Kolegji Zgjedhor nëse nuk do të pranojë argumentin e mësipërm, përsëri do të jenë objekt konfliktesh dhe mendimesh të ndryshme juridike nga palëet që nuk do t‘i interesojnë vendimet.

DW: Pra po shkohet drejt një krize me vetëdije?

Një KQZ e tillë është premisa numër një për të krijuar konflikte. Dhe dihet që konfliktet në Shqiperi janë shkaktuar pas zgjedhjeve. Shqiptarët kanë votuar të qetë dhe me dinjitet. Problemet kanë filluar sapo kanë përfunduar votimet dhe kanë nisur numërimet, llogaritjet dhe ankimimet. Për këtë mban faj politika.

DW: Pikërisht pra, sa të angazhuar e shihni poltikën shqiptare në zgjidhjen e ngërçit të institucionit që do të administrojë zgjedhjet e 23 Qershorit?

Të dy plaët i bëjnë llogaritë mbi bazë të interesave partiake dhe jo të interesave të popullit shqiptar. Të dyja palët po bëjnë një ‚luftë‘ të ashpër kush të marrë pushtetin. Por është një ‚luftë‘ që ka nisur me shkelje ligjore dhe po vazhdon me procesin zgjedhor, që do të prodhojë Parlamentin e ardhshëm, nga i cili do të dalin më pas të gjitha institucionet e tjera. Nëse zgjedhja e Parlamentit të ri do të jetë e diskutueshme dhe nuk do të pranohet nga pala tjetër, të gjitha institucionet që do të krijohen dhe reformat më pas, do të jenë baza për konlikte në të ardhmen.