1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Dobësim i rezervës së parlamentit?

Në Gjermani është parlamenti që vendos për ndërhyrjet ushtarake në botën e jashtme. Kjo procedurë është e diskutueshme. Një komision do të verifikojë, sa bashkëkohore është kjo e drejtë e parlamentit.

Pavarësisht se për ku bëhet fjalë, për në Afganistan, në Mali apo në Kosovë: kur duhet të angazhohen në botën e jashtme ushtarë të armatosur gjermanë, më parë këtë duhet ta miratojë parlamenti, Bundestagu. Kjo procedurë në Gjermani është e ndryshme nga shtetet e tjera të BE dhe të Natos, ku fillimisht është qeveria ajo që vendos e para për dërgimin e ushtarëve.

Kjo e ashtuquajtur rezervë e parlamentit po shoqërohet gjithnjë e më shumë me pikëpyetje. Në botën e jashtme procedura has para së gjithash në moskuptim te partnerët e Gjermanisë në Nato. Edhe në Gjermani ajo është bërë objekt debatesh juridike dhe politike edhe brenda koalicionit qeveritar. Për këtë arsye, CDU/CSU dhe SPD, partitë në pushtet në Gjermani ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit që të ngrenë një komision në Bundestag për të verifikuar rezervën parlamentare. Brenda një viti, ky komision që do të drejtohet nga ish-ministri gjerman i mbrojtjes, Volker Rühe do të konsultohet nëse është bashkëkohor ligji i miratimit paraprak nga parlamenti.

Pjesë e koordinatave të politikës gjermane të sigurisë

Këtë ligj e ka miratuar në vitin 2005 Bundestagu Gjerman. Bazë për këtë ligj është një vendim i Gjykatës Kushtetuese gjermane i vitit 1994. Gjykata konfirmoi atëherë, që Gjermania si anëtare e OKB-së dhe e Natos lejohet të marrë pjesë me forca të armatosura në misionet e këtyre organizatave. Por theksoi edhe shprehimisht se parlamenti në parim duhet të miratojë çdo dërgim të ushtarëve gjermanë.

Solidariteti në aleancë dhe rezerva parlamentare

Kërkon shumë, kritikojnë partnerë në Nato, derisa merret një vendim për dërgimin e trupave gjermane. Në shumë raste veç kësaj është e pasigurt, nëse Gjermania do të marrë fare pjesë në një mision ushtarak. Në përgjithësi, sipas kritikëve, vetëpërmbajtja ushtarake e Gjermanisë nuk përputhet me pozicionin ndërkombëtar të vendit. Christian Mölling, ekspert i sigurisë në Fondacionin Shkenca dhe Politika thotë se parlamenti gjerman ka miratuar që më 2005, 70 kërkesa të qeverisë për të dërguar ushtarë gjermanë në botën e jashtme. Por megjithatë ia vlen të përcaktohet një kufi, deri në të cilin nuk do të jetë e nevojshme marrja e miratimit paraprak të Bundestagut Gjerman. Gjithashtu kjo mund të vlejë edhe për lloje të caktuara misionesh, si p.sh. në misione zbulimi, logjistike ose trajnimi. Këtu duhet të ekzistojë mundësia që parlamenti të mos votojë çdo herë.

Roderich Kiesewetter, deputet i CDU-së në Bundestag thotë se Komisioni nuk duhet ta dobësojë pjesëmarrjen e parlamentit. Por duhet të shqyrtojë, si mund të koordinohen me partnerët e Natos pjesëmarrja parlamentare dhe bashkëpunimi i intensifikuar ushtarak. "Ne nuk duam që ta minojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por të shqyrtojmë krejtësisht mundësitë, që ka tani Gjermania", thotë Kiesewetter.

Këto "mundësi" rezultojnë edhe nga një linjë, që shumë analistë e vështrojnë si një kthesë në politikën e jashtme gjermane. Gjermania dëshiron të angazhohet më fort në botën e jashtme, në rast nevoje edhe ushtarakisht.