1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Do t'ia dalim' - G99 kërkon votë cilësore në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

5 Qershor 2009

Lëvizja social-politike Grupimi 99 apo G99 është formacioni më i ri poilitik në zgjedhjet e 28 qershorit, pjesë e koalicionit të majtë opozitar. Motoja e G99 është "Do t'ia dalim."

https://p.dw.com/p/I4Gb
Pamje nga qendra e Tiranës
Fotografi: DW

Ajo që bie në sy menjëherë në këtë lëvizje social-politike është mosha e re e anëtarëve të saj dhe backgroundi i tyre i përbashkët: shumica dërmuese janë ish-krerë, ish-aktivistë të Lëvizjes qytetare "MJAFT" dhe eksponentë të shoqërisë civile.

G99 konkurron për herë të parë si pjesë e koalicionit të majtë opozitar, të kryesuar nga Partai Socialiste, me moton "Do t'ia dalim". Në mënyrë lakonike kjo moto jep mesazhin e ndryshimit dhe të një Shqipërie më të mirë se ajo që është sot.

Erion Veliaj, kryetar i G99 thotë se objekt i formacionit të tij politik janë brezat nga 18 -40 vjec.

"Kërkojmë të marrim një votë cilësore, të njerëzve të rinj, mendjehapur, të atyre që përqafojnë idetë e reja shumë më shpejt sesa inercia e madhe e opinionit publik. Ne kërkojmë të jemi në peshoren e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku janë , le të them, gurët e peshës dhe mollët. Duam të jemi ai 10 gramshi që bën diferencën, se nga anon pesha. Synojme një përqindje modeste, që tregon se nga do të anojë qeverisja që do të dalë nga këto zgjedhje," thotë Erion Veliaj.

Ajo që synojnë të sjellin në politikë me këtë 10% modest nuk është modeste: është dhënia fund e tranzicionit, e epokës së një politike që G99 e cilëson si "autoritare, klanore, të korruptuar". Bashkimi me koalicionin e majtë opozitar tregon qartë se G99 kërkon të ndikojë, për të arritur në 28 qershor rotacionin e pushtetit nga forcat e djathta tek të majtat, dikur, kur ishin në pushtet objekt i kritikave të ashpra për një qeverisje të dështuar.

Politologu Adri Nurelllari thotë se G99 i është bashkuar së Majtës më tepër për të sjellë në politikë eksponentët e shoqërisë civile, sesa nga përkimi i programit të saj me opozitën e sotme. Ai thotë se angazhimin e G99 në politikë e sheh si " një përpjekje për të krijuar një instrument ndërmjetësues, që disa eksponentë të shquar të shoqërisë civile të futen në politike dhe të bëhen pjesë e së majtës, pa e bërë këtë transformim nga shoqëria civile në politike me një kalim 180 gradë, pra një lloj instrumenti për të bërë një kalim më të butë, më të kujdesshëm drejt politikës. Qëndrimet e G99 janë të njesuara dhe barazuara me ato të PS. G99 është e pakënaqur me qeverinë e djathtë , por nuk ndihet mjaftueshëm socialiste, që të bashkohet me Partinë Socialiste".

Milva Ekonomi është një nga figurat më të spikatura të shoqërisë civile që kandidon për G99 në qarkun e Durrësit. Drejtuese, prej më shumë se 15 vitesh, në lëvizjen feministe në Shqipëri, zonja Ekonomi është një rast i zbatimit të Ligjit të ri Elektoral, sipas të cilit partitë politike janë të detyruara të kenë 30 % femra në numrin e kandidatëve për deputetë. Ajo thotë se përvojat e saj në shoqërinë civile janë udhërrëfyese për të gjetur rrugën drejt elektoratit durrsak dhe bërë që ai të mos jetë indiferent ndaj qëllimit të G99 : më të mirët në shërbim të publikut, demokratizimin e demokracisë, rikthimin e besimit të humbur tek politika. .

"Grupimi ynë politik si edhe cdo formacion politik përbëhet nga fytyra njerëzish. Kjo është shumë e rëndësishme, është një nga instrumentat e komunikimit me zgjedhësit që duhen të jetë prioritar," thotë Milva Ekonomi.

G99 kërkon përmes këtij lloj komunikimi me elektoratin t´i shpëtojë populizmit, mitingjeve të zhurmshme, banderolave duke qenë origjinale në mënyrën e të bërit fushatë. Tri shtyllat kryesore të programit të G99: garantimi i votës së emigrantëve, financimi i arsimit nga buxheti i shtetit me 5% të PBB (=prodhimi i brendshëm bruto) u bëhen të njohura elektoratit në biseda në grupe, apo duke trokitur derë më derë. Pa fonde financiare, pa kohë televizive, pasi është një grupim politik i ri, G99 i ka siguruar kuajt e betejës elektorale tek vullnetarët, tek gjithë ata që besojnë se mund të bëhen pjesë e ndryshimit.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi