1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Do të ishte e rrezikshme sikur për hir të simbolikës humanitare Gjermania të izolohej

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk i pranon kritikat që i bën Pekini lidhur me vizitën e kreut shpirtëror të Tibetit në zyrën kancelarore gjermane.

Kancelarja Merkel pret Dalai Lamën, 21 shtator 2007

Kancelarja Merkel pret Dalai Lamën, 21 shtator 2007

Gazetës gjermane Bild Merkeli i tha se si kancelare gjermane ajo vendos vetë kë mund të presë dhe ku ta presë. Ndërkohë, akcentet në politikën e jashtme të kancelares, vecanërisht ndaj Kinës i ka kundërshtuar ministri i jashtëm socialdemokrat i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer.

Për këtë, në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG ndër të tjera lexojmë: "Mosmarrëveshjet midis kreut të qeverisë dhe ministrisë së jashtme nuk janë gjë e re në politikën gjermane, siç mund të lexosh për shembull në kujtimet e Helmut Kohlit. Në koalicionin e parë të madh partiak në Gjermani, ishte ministri i jashtëm ai që përfitoi, që në atë kohë ishte edhe zëvendëskancelar: Vili Brandti. Ende nuk është e qartë se ku do të cojë politika e fjalëve të hapura e Merkelit. Do të ishte e rrezikshme, sikur për hir të simbolikës humanitare dhe efekteve të justifikueshme mirë, Gjermania të izolohej. Pa raporte funksionuese me Kinën dhe Rusinë, problemet globale nuk mund të zgjidhen."

Nga gazeta HAMBURGER ABENDBLATT ndër të tjera shkëpusim:

"Cështja, nëse Tibeti është pjesë territoriale e Kinës apo jo, mund të jetë e diskutueshme. Që një kancelare gjermane ka të drejtën, madje edhe detyrimin moral, të presë Dalai Lamën e 14-të, kreun me prestigj ndërkombëtar të një populli të shtypur, për këtë nuk duhet të ketë diskutim. Që ministri i saj i jashtëm e kritikon këtë publikisht, e parë në kuadër të koalicionit është punë jo e mencur."

Ja edhe mendimi i analistit të FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Shtajnmajeri, më parë shërbëtori më besnik i Shrëderit, la të kuptojë vetëm pak kohë më parë se ai nuk e aprovon politikën e zonjës Merkel që fokusohet më fort në të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të paktën nëse ajo bëhet si "politikë vitrine", për ta parë të tjerët. Kjo bëri që ai të dëgjonte një qortim publik për të ndenjur urtë nga kancelarja, që para se ai të zinte vend pranë saj për herë të parë si zëvendës i saj. Vërejtja ishte e nevojshme. Nuk do të ishte mirë, sikur në botë të krijohej përshtypja se kancelarja gjermane dhe ministri i jashtëm ndjekin në politikën e jashtme synime të ndryshme dhe madje edhe se ata mund t'ia kundërvesh njeri-tjetrit. Shtajnmajeri e hedh poshtë këtë dyshim. Por është më se e dukshme, se ai dhe partia e tij vazhdojnë ta shohin botën edhe më tej me syzet e Shrëderit, se sa me ato të kancelares."

"Ka kaluar pjesa e parë e qeverisjes së koalicionit të madh partiak në Gjermani dhe koalicioni nuk ka punë tjetër, vec grindjes për politikën ndaj Kinës", lexojmë në gazetën RHEIN-NECKAR-ZEITUNG që del në Hajdelberg. Dhe më tej:

"Nuk është e qartë: bëhet fjalë këtu për radhë, pra nëse Merkeli mund ta presë Dalai Lamën pa përfshirë në takim edhe ministrin e saj të jashtëm? Apo bëhet fjalë si të veprohet që të mos fyhet partneri i rëndësishëm tregtar, Kina? Për ta thënë përmbledhtazi: as Shtajnmajeri dhe as Merkeli nuk e përmirësuan me aksionet e tyre situatën e të drejtave të njeriut në Tibet. Ata vetëm mprehën profilet e tyre"

MÜNCHNER MERKUR shprehet së fundi në mbrojtje të akcenteve që ka vënë kancelarja Merkel në politikën e jashtme:

"Kancelarja ka folur gjithmonë troc, në Moskë, në Pekin, në Uashington, përballë komunistëve dhe kapitalistëve njësoj. Gjermanët kanë shumë arsye për të qenë krenarë për një politikane, e cila nuk mblidhet e frikësuar sapo kollet lehtë ndonjë pushtetar. Atij që i mungon ajo kurajore elementare, e cila sfidon respektin e atyre që mendojnë ndryshe, ai nuk ka nevojë të cuditet, kur bëhet top futbolli i interesave të huaja".

  • Data 22.11.2007
  • Autor ADD
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQDU
  • Data 22.11.2007
  • Autor ADD
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQDU