1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Do të rrihen aq keq, sa të mos mund të ikin përtej kufirit“ - Presidenti Lukashenko kërcënon opozitarët bjellorusë

16 Qershor 2011

Gjendja në Bjellorusi sa vjen e përshkallëzohet. Vendi pothuajse ka falimentuar, çmimet në ngritje nxjerrin në rrugë gjithnjë e më shumë njerëz. Presidenti Lukashenko ka paralajmëruar se do të veprojë me ashpërsi.

https://p.dw.com/p/11aym
Protesta të shoferëve në Bjellorusi
Protesta të shoferëve në BjellorusiFotografi: picture alliance / dpa

Aleksander Lukashenko gjestikulon egër me duart e tij, ngre me kërcënim dorën e djathtë, ndërkohë që flet me zemërim. Aktivistët, që përmes internetit bëjnë thirrje për protesta, ai dëshiron që "ti rrahë personalisht".

Në foto, Alekasder Lukashenko
Në foto, Alekasder LukashenkoFotografi: Picture-Alliance/dpa

"Unë do të vëzhgoj me vëmendje dhe do t'i rrah pastaj ata ashtu që mos të mund as të ikin përtej kufirit."

Por ai nuk e thotë, se si do të ndodhë kjo konkretisht. Opozita është halë në sy për Lukashenkon. Po ashtu edhe interneti. Kjo për faktin se opozitarët në kryeqytetin Minsk i përdorin fuqishëm rrjetet sociale, për të bërë thirrje për protesta. Dhe pakënaqësia e shumë njerëzve në Bjellorusi përhapet gjithnjë e më shumë edhe në internet. Kështu për fillim të korrikut në internet është bërë thirrje për një grevë të përgjithshme. Kryefjala e saj: "Mposhte frikën tënde - bëhu hero". Një sllogan kundër ndjenjës së pafuqisë që ndihet në tërë vendin:

"Më tregoni një pushtet që me të vërtetë kujdeset për popullin e tij! Unë nuk kam të bëjë asgjë me qeverinë. Por as qeveria nuk më pyet kurrë mua", thotë një grua.

Bjellorusia në krizë
Bjellorusia në krizëFotografi: Bymedia

Përveç kësaj: Bjellorusia pothuajse ka falimentuar. Çmimet e ushqimeve dhe të benzinës janë rritur me shpejtësi. Shumë njerëz nuk mund të përballojnë më as çmimet për gjërat elementare të jetës. Të martën (14.6) Kina i ka aprovuar Bjellorusisë një kredi prej rreth 700 milionë euro. Bjellorusia shpreson për marrjen edhe të një kredie miliardëshe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Por FMN kërkon nga Bjellorusia një plan të qartë, se si do të zgjidhet kriza ekonomike në vend. Vëzhguesit presin që Lukashenkos do t'i miratohet një kredi nga FMN-ja vetëm, nëse ai sillet në mënyrë më të moderuar me opozitën.

Në javët e kaluara ka pasur disa herë protesta në rrugët e hapura të Bjellorusië: shoferët e makinave dhe motorëve protestuan kundër ngritjes së çmimit të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës. Në fundjavë rreth 200 bjellorusë bllokuan përkohësisht kufirin me Poloninë në shenjë proteste kundër kufizimeve të reja në fushën e eksportit.

"Ky ishte një vendim i gabuar. Njerëzitë e ndihmojnë me kënaqësi njëri-tjetrin. Prandaj duhet që mallrat tona të eksportohen në Rusi dhe Poloni. Pastaj nga këto vende vijnë mallra tek ne. Kështu është më mirë", shprehet një grua bjelloruse.

Pamje simbolike - kriza ekonomike në Bjellorusi
Pamje simbolike - kriza ekonomike në BjellorusiFotografi: Anatolij Pavlov

"Krejt çfarë ndodh tek ne nuk është normale. Çdo kufizim është i keq. Ekonomia i ka rregullat e veta dhe nëse qeveria vendos pengesa, atëherë vijnë probleme të reja", thotë një burrë.

Ka 17 vjet që Aleksander Lukashenko qeveris në Bjellorusi. Në dhjetor të vitit të kaluar në një proces të diskutueshëm ai është rizgjedhur në postin e presidentit edhe për katër vitet e ardhshme. Lukashenko konsiderohet si diktatori i fundit në një vend evropian. Regjimi i tij autoritar mbahet nga policia dhe shërbimet e fshehta. Megjithatë numri i njerëzve, që janë të pakënaqur me presidentin e tyre, siç duket sa vjen e rritet.

"Qeveria jonë prodhon gjithnjë vetëm probleme. Shumë njerëz të mençur ndodhen në burg. Kush e qeveris shtetin në të vërtetë?", pyet një qytetar bjellorus.

Autor: Karin Bensch / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica