1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Djegie misterioze të automjeteve në Berlin

Për të katërtën natë me radhë në Berlin ka pasur djegie të autoveturave nga persona të panjohur. Të premten janë djegur edhe 11 automjete të tjera. Autoritetet i tremben një skenari dhune si ai në Britaninë e Madhe.

Djegie të veturave në Berlin

Berlini këto ditë i ka hapur punë zjarrfikësve

Prej të martës deri të premten në mbrëmje janë djegur apo dëmtuar në Berlin mbi 60 automjete. Dyshohet se pas këtyre djegieve qëndrojnë forcat e majta radikale, por deri tani nuk dihet saktë se kush janë autorët e djegieve dhe cilat janë motivet e tyre. Senatori i Brendshëm i Berlinit Ehrhart Körting tha se ka mirëkuptim të plotë për zemërimin e pronarëve të automjeteve të djegura, që pjesërisht drejtohet edhe kundër autoriteve të sigurisë dhe politikanëve.

Vështirë të zbulohen autorët

"Por është shumë e komplikuar zbardhja e këtyre veprave penale. Sipas të gjitha gjasave, fjala është për disa autorë që shkojnë nëpër qytet dhe djegin vetura. Prandaj është shumë vështirë të kapen", tha ai.

Vetura të djegura

Kush nuk do të zemërohej?!

Kërting hedh poshtë akuzat se senati në Berlin nuk është në gjendje të përballet me këto vepra penale. Autoritetet kanë premtuar mijëra euro për informacionet që do të ndihmonin në kapjen e autorëve. Ndërkohë është shtuar edhe numri i policëve në uniforma dhe civilë që hetojnë.

Djegiet e automjeteve kanë shkaktuar edhe reagime të politikanëve qeveritarë dhe opozitarë. Disa prej tyre i krahasojnë ata që djegin automjete madje me terroristët e viteve 70-të. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur brengosje për këtë lloj dhune, duke e krahasuar atë edhe me trazirat e fundit në Londër. Nga djegiet e netëve të kaluara po përpiqen të përfitojnë jo vetëm forcat ekstreme majtiste por edhe ato të djathta. Megjithatë Merkel nuk mendon se gjërat do të zhvillohen si në Londër.

Reagimet e politikanëve

"Shpresoj dhe deri diku jam e bindur se në Gjermani nuk do të përsëriten ngjarjet që kemi parë kohët e fundit në Londër dhe qytete e tjera të Britanisë së Madhe. Por më shqetëson kur shoh djegien automjetesh, si tani në Berlin", theksoi Merkel.

Renate Künast , kandidatja e Të Gjelbërve për postin e kryetarit të bashkisë së Berlinit

Renate Künast , kandidatja e Të Gjelbërve për postin e kryetarit të bashkisë së Berlinit

Kandidatja e ekologjistëve për postin e kryetarit të bashkisë në Berlin, Renate Künast tha se këto vepra janë të papranueshme dhe nuk duhet të keqpërdoren për fushatë elektorale. Ajo mbrojti punën e policisë në kryeqytet. Ministri i Brendsdhëm i Bavarisë Joachim Herrmann nga partia kristiansociale, CSU kritikoi qeverinë e socialdemokratëve dhe majtistëve në Berlin për tolerancë të gabuar ndaj të majtës ekstreme. Ndërsa politikani socialdemokrat, eksperti për çështje të brendshme, Dieter Wiefelspütz foli madje për një "parashkallë terrorizmi".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi