1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Djegie apo jo e fletëve të votimit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Tiranë ka paralajmëruar se ditën e premte do të marrë vendim nëse duhet apo jo të digjen fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara paralamentare. Opozita e kundërshton fort këtë akt.

Zgjedhjet, 28 qershor 2009

Zgjedhjet, 28 qershor 2009

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka detyrimin ligjor që të bëjë administrimin përfundimtar të të gjithë bazës materiale që është përdorur në një proces zgjedhor. Këtu hyn dhe aspekti i asgjesimit të fletëve të votimit dhe lirimi i kutive për t'u përdorur në procesin pasardhës. Më konkretisht tashmë ka një datë për zgjedhjet e reja lokale, datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës për në 8 maj të vitit të ardhshëm.

Mero Baze

Mero Baze, Komentator politik

Njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për proceset zgjedhore dhe referendare Kristaq Kume, mendon se nga ky akt i Presidentit të Republikës, KQZ ka detyrimin e angazhimit për të bërë gati infrastrukturën e domosdoshme për votimet lokale. Djegien e fletëve të votimit të kaluar Kume e quan si një procedurë thjesht administrative, që për fat të keq, sipas tij, është vënë në fokus të qëndrimeve politike. Ai thotë për DW se KQZ duhet ta përdorë në maksimum kohën që ka në dispozicion për asgjesimin e fletëve të votimit. “Unë do të parapëlqeja një vendimarrje të KQZ-së, që të bëjë të mundur në maksimumin e mundshëm realizmin e situatës në mënyrë që ky komision të mos bëhet target i politikës. Që të mos jetë ky komision që të gjykohet se i dha zgjidhje një problemi që në fund të fundit nuk është target i tij, por i politikës për t'u zgjidhur. KQZ është i detyruar të marrë një vendim për këtë detyrim që i rrjedh nga Kodi Zgjedhor. Unë do të rekomandoja që vendimarrja për ta realizuar këtë detyrim të jetë kohën e skajshme të mundur”.

Kristaq Kume Albanien

Kristaq Kume, ekspert zgjedhjesh

Thirrje për përmbajtje të KQZ ka bërë dhe përfaqësia e OSBE-së në Tiranë. Shefi i përfaqësisë ambasadori Robert Bosch ka theksuar se nga një pikëpamje politike, “do ta konsideroja veprim jo të mençur djegien e fletëve të votimit, shto këtu faktin që kjo nuk do të ishte korrekte nga ana juridike, sepse, sipas një ligji tjetër, jo Kodit Zgjedhor, nëse ngrihen padi, prokuroria ka dy vjet kohë në dispozicion. Prandaj, fletët duhet të ruhen, të paktën, edhe për një gjysmë viti, le të themi deri më 28 qershorin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që drejtësia të ketë mundësi të hetojë, nëse do të jetë e nevojshme”.

Ambasadori Bosch ka dhënë dhe zgjidhjen nëpërmjet argumentit financiar që mund të blihen disa kuti të reja që do të duhen për zgjedhjet lokale. “Nuk mendoj se buxheti do të çorientohej nëse do të bliheshin ca kuti më shumë, për të mos asgjësuar ato që keni”- ka deklaruar amb. Robert Bosch.

Kristaq Kume shprehet se duhet të gjehen hapësirat ligjore nëse mund të zgjidhet problemi i djegies së fletëve të votimit. Por ai është kundër rritjes së kostos. “Kur nuk ka bazë ligjore KQZ nuk duhet të pranojë nga qeveria shtesë në buxhet për blerjen e kutive të reja”.

Shefi i përfaqësisë ambasadori Robert Bosch

Shefi i përfaqësisë së OSBE-së ambasadori Robert Bosch

Komentatori politik Mero Baze e shikon dilemën nëse duhen djegur ose jo fletët e votimit si një detaj thjesht teknik në procesin më shumë se 1 vjeçar të kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Ky detaj hidhet në skenën politike gjithmonë atëhere kur kërkohet të shtyhet zgjidhja e problemit të transparencës”, thotë Baze për DW. “Kjo mendoj se ka vetëm një dimension negativ: sepse tregon shkallën e lartë të politizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili është i gatshëm që sa herë që politika do ta përdorë për truke politike ky institucion është i gatshëm të përdoret me nje seriozitet prej “Don Kishoti” kur thotë se do t`i djegë fletët e votimit. Në një kohë që KQZ e di shumë mirë se do t`i djegë fletët e votimit, për shkak se ka një shqetësim ndërkombëtar për hetimin e zgjedhjeve, por dhe se nuk e ka në dorë ky institucion ta bëjë tamam tamam këtë gjë. E vetmja gjë negative në këtë histori është fakti që persona që duhet të jenë autoritarë në opinionin publik dhe të dëshmojnë që e drejtojnë me seriozitet që institucion delikat siç është KQZ, zënë vendin e zëdhënësave qesharakë të partive politike, të cilët lexojnë një letër para podiumit dhe zhduken pa dhënë asnjë përgjigje”.

Mero Baze thotë se mazhoranca duhet ta lexojë me kujdes shqetësimin e OSBE-së për detajin e djegies ose jo të kutive të votimit, “dhe të mos e përdorë këtë argument si faktor për të zvarritur hetimin dhe transparencën e zgjedhjeve të kaluara”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PCdy
  • Data 15.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PCdy