1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dje konkurrentë, sot partnerë - Bashkëpunimi rus me perëndimin në fushën e studimeve kozmike

Ulja e parë në hënë e astronautëve amerikanë ndodhi gjatë rivalitetit të luftës së ftohtë. Ndërkohë bashkëpunimi është në plan të parë dhe kjo vlerësohet edhe nga rusët.

Katër rusë, një francez dhe një gjerman u kthyen në jetën e përditshme të Moskës, pas 105 ditësh nga një fluturim i simuluar në Mars

Vullnetarë rusë dhe evropianë pas 105 ditëve të një fluturimt të simuluar në Mars

Kur një javë më parë katër rusë, një francez dhe një gjerman u kthyen në jetën e përditshme të Moskës, pas 105 ditësh nga një fluturim i simuluar në Mars, u shënua një tjetër etapë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkombëtar në projektet kozmike. Gjashtë shkencëtarët testuan në një kontenier pa dritare kushtet e një misioni në planetin e kuq.

"Jam i gëzuar që në këtë eksperiment morën pjesë jo vetëm institucione ruse por edhe të tjera nga vendet kryesore. Ai ishte një eksperiment vërtet ndërkombëtar." - thotë Anatoli Grigoriev, i cili dukej qartë se ishte i kënaqur. Grigorievi është një emër i njohur në shkencën kërkimore ruse. Ai është zv/president i Akademisë Ruse të Shkencave dhe drejtues shkencor i Institutit për Probleme Biomjekësore, ku nisi eksperimenti i planetit Mars.

Objektivi i përbashkët: Ulja në Mars në 20-30 vitet e ardhshme

Në kontenierin e ndërtuar atje për fluturimin e simuluar në planetin e kuq, ka aparatura laboratorike nga SHBA-ja, Italia dhe Gjermania. Ekipet kërkimore janë po aq ndërkombëtare sa ai i astronautëve. Ata të gjithë i bashkon një objektiv: 20 ose 30 vitet e ardhshme njerëzimi duhet t'ia arrijë të ulet vërtet në Mars.

Satelitët ndërkombëtarë dërgojnë sinjale në pika të ndryshme, si këtu në qendrën satelitore në Gelsdorf pranë Bonit

Satelitët ndërkombëtarë dërgojnë sinjale në pika të ndryshme, si këtu në qendrën satelitore në Gelsdorf pranë Bonit.

Vendet me përvojë në udhëtimet në hapësirën kozmike e dinë se objektivin mund ta arrijnë shumë më shpejt nëse punojnë së bashku. Nëse secili sjell përvojën më të mirë, mund të kursehen edhe paratë, të cilat aktualisht nuk janë me bollëk. Për këtë arsye ishte fare e qartë se etapat e para të eksperimentit "Mars" do të zhvilloheshin në Moskë, thotë Johann-Dietrich Wörner, shefi i Qendrës Gjermane për Udhëtimet Ajrore dhe Kozmike: "Instituti këtu në Moskë ka famë botërore për kërkimet e tij në fushën e biomjekësisë. Ky është me siguri vendi më i përshtatshëm."

Megjithë bashkëpunimin ndjenjat e konkurrencës nuk janë zhdukur ende plotësisht

Këto fjalë rusët i dëgjojnë me kënaqësi. Edhe sot ndjenjat e konkurrencës nuk janë zhdukur ende plotësisht. Gara që zgjati disa dekada për supremacinë në hapësirën kozmike, ka lënë gjurmë. Nuk është harruar se ishin amerikanët që u ulën të parët në Hënë. Aq më pak janë harruar kohët e trazuara pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Raketa ruse Sojus TMA 15 në kozmodromin Baikonur në Kazakistan

Raketa ruse Sojus TMA 15 në kozmodromin Baikonur në Kazakistan

Për këtë arsye shihet me njëfarë kënaqësie që duke nisur nga viti 2011 kozmonautët amerikanë do të transportohen ndoshta vetëm nga raketa ruse Sojus për në stacionin kozmik ISS - projekti model i bashkëpunimit ndërkombëtar kozmik. Pas përfundimit të kohës së funksionimit të stacionit ISS, 10 deri 20 vitet e ardhshme, njohuritë tekniko-shkencore të fituara atje do të përdoren edhe për fluturimin e anijeve kozmike me ekuipazh për në Mars. Për këtë janë dakord si NASA ashtu dhe autoriteti rus për udhëtimet hapësinore ROSCOSMOS.

Rusia synon të ruajë pozicionin e saj kryesues në në fushën e kërkimeve kozmike edhe në kohë krizash

Për imazhin vetjak të rusëve është e rëndësishme të luajnë edhe më tej një rol të rëndësishëm në fushën e hapësirës kozmike. Deviza e Kremlinit është: Rusia edhe në kohë krizash duhet të ruajë pozicionin e saj kryesues në shkencë dhe teknikë në fushën e kërkimeve kozmike. Kështu ajo do të vazhdojë të jetë tërheqëse edhe për të tjerët. Për specialistin e Kozmosit Wërner ky zhvillim është një rast fatlum në histori: "Ndërkohë bashkësia e udhëtimeve kozmike është konsoliduar aq shumë sa fjalët "luftë e ftohtë" nuk ekzistojnë më. Përkundrazi, kërkohet bashkëpunimi për të çuar përpara bashkarisht projektet."

Por në një pikë rusët vazhdojnë të shohin me mosbesim ish-armikun e klasës, Amerikën: kur është fjala për shfrytëzimin e hapësirës jo për qëllime paqësore por ushtarake. Në këtë pikë merr fund çdo lloj miqësie.

Autor: Christina Nagel/Eliana Xhani
Redaktor: Dr. Pandeli Pani

  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It0u
  • Data 20.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/It0u