1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ditmir Bushati mbi reformën në drejtësi: ҁdo ditë që kalon është vonë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin. Integrimi europian, reforma në drejtësi dhe zhvillimet në rajon ishin në fokus të takimit me homologun Frank-Walter Steinmeier.

DW: Lidhur me Shqipërinë që shpreson sa më shpejt të marrë dritën e gjelbër për hapjen e negociatave të antarësimit në BE, a keni ndonjë bilanc poizitiv pas bisedimeve në Berlin, ose më konkretisht a keni një datë konkrete për një “po” të mundshme nga Brukseli?

Natyrisht që mora vlerësimet për punës përgatitore shumë të mirë që është bërë me reformën në drejtësi përfshirë edhe ekspertizën më tëmirë vendase dhe ndërkombëtare. Gjermania e mbështet këtë proces. Tashmë na takon ne që ta përfundojmë, ta bëjmë realitet reformën në drejtësi dhe të fillojmë gradualisht të raportojmë mbi efektet e kësaj reforme. Besoj se rruga është krejt e qartë, na mbetet ne të çmontojmë atë që mund të konsiderohet si pengesë, pra mungesën e bërjes realitet të reformës në drejtësi për të hedhur hapin drejt fillimit të bisedimeve për antarësim.

Z. Bushati, por në fakt kanë kaluar muaj, e ndoshta edhe vite që dikutohet për reformën në drejtësi, që është madje edhe kyçi për hapjen e neogciatave – gjë kjo që artikulohet mjaft edhe në bisedat e vlerësimet që japin përfaqësuesit e BE-së si dhe politikanë të ndryshëm, që ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri, nga vendet evropiane e konkretisht edhe nga politikanët gjermanë. Përse e ka kaq të vështirë Shqipëria që ta kalojë këtë reformë?

Kjo është një reformë e thellë, tërësore, kirurgjikale dhe ndoshta është më e thella, që është paraqitur ndonjeherë, jo thjeshtë për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit. Sepse sfidat që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës në ekonomi nuk janë sfida, me të cilat përballet vetëm shoqëria shqiptare, por të gjitha shoqëritë e vendeve të rajonit në rrugën e tyre të konsolidimit demokratik dhe integrimit në BE. Që në fillim ne vendosëm që këtë reformë ta bëjmë me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare: ka pasur një opinion paraprak nga ana e Komisionit të Venecias bazuar mbi punën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces (ekspertë të Komisionit Evropian, të Këshillit të Evropës, të BE-së dhe vendeve të ndryshme që janë me projektet e ndryshme të binjakëzimit, ekspertë të qeverisë amerikane). Më pas mbi bazën e opinionit paraprak të Komisionit të Venecias është punuar nga autoritetet shqiptare dhe vetëm para pak javësh Komisioni i Venecias ka miratuar në mënyrë përfundimtare opinionin e vet mbi tekstin e reformës në drejtësi. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për ndryshime të thella kushtetuese për parashikimin e institucioneve të reja në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kontrollit të gjyqtarëve e prokurorëve të karierës. Pra nuk bëhet fjalë për një reformë kozmetike, por për një reformë shumë të thellë. Eshtë e natyrshme që procesi paraprak të marrë kohën e vet si procesi i konsultimeve edhe procesi i pjekjes së një kompromisi politik, që është shumë i nevojshëm, për ta kaluar këtë reformë. Por mbi të gjitha edhe për të prodhuar efekte pozitive në praktikë: si kundër kundërshtitë që mund të vijnë nga segmente të caktuara të gjyqësorit janë deri diku të kuptueshme për shkak të thellësisë dhe impaktit që pritet të ketë kjo reformë.

Po, por nëse Shqipëria është e vendosur të marrë sa më parë okay-n për negociatat me BE-në, atëherë ajo duhet të jetë e vendosur edhe për ta çarë këtë bllokadë që krijojnë struktura të ndryshme mes njera-tjetrës për interesa të caktura. A ka pra një agjendë kohore qeveria për ta përmbyllur këtë proces?

Natyrisht që ka një agjendë kohore. Në rast se do ta shihja të lidhur ngushtë në mënyrë strikte me afatet që imponon hedhja e hapit të radhë në procesin e integrimit, që do të ishte sigurimi një rekomandimi për fillimin e bisedimeve për antarësim në BE nga ana e Komisionit Evropian, atëherë do të thoja, që reforma në drejtësi apo pjesa kryesore e saj që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese dhe me kuadrin kryesor legjislativ, ajo duhet që të miratohet mundësisht qysh sot, pra mundësisht sa më parë, për t'i dhënë mundësi Shqipërisë që të fillojë të prodhojë dhe të komunikojë me partnerët ndërkombëtarë efektet e para të reformës. Ne si qeveri, si shumicë parlamentare jemi përpjekur dhe duam të nxisim edhe opozitën për t'u përfshirë në mënyrë të njëmend në këtë process për ta miratuar sa më parë këtë reformë. Besoj se është i njohur fakti, që kryeministri Rama ka bërë një ftesë publike për kryetarin e Partisë Demokratike, Basha. Leximi im për ftesën që ka bërë kryeministri Rama është dialog, doalog, dialog dhe cilësi, cilësi, cilësi për sa i përket reformës në drejtësi. Puna në komision ad hoc parlamentar për reformën në drejtësi duhet të për fundojë sa më shpejt, në mënyrë që reforma të kthehet në realitet. Çdo vonesë që vjen në këtë drejtim nuk ka diskutim që është e dëmshme jo thjeshtë për zbatimin e reformës, por është e dëmshme për perspektivën e shoqërisë shqiptare.

Z. ministër, pra e do të mbyllet ky process Brenda vitit 2016, sepse më 2017 do të ketë zgjedhje në Shqipëri. Qeveria juaj është në prag të zgjedhjeve dhe të ndryshimeve të mundshme që mund të sjellin ato?

Ne do të dëshironim që reforma në drejtësi të përmbyllej sa më parë. Kur them sa më parë, d.m.th. mundësisht qysh sot dhe vullneti ynë është i palëkundur në këtë drejtim. E gjithë puna pra është bërë në këtë drejtim, përfshi ekspertizën vendase dhe atë ndërkombëtare, komunikimi me shoqërinë akademike dhe universitare në këtë process, janë shenja të qarta që dëshmojnë gatishmërinë tonë. Kur ju më pyesni a do të mbyllet brenda 2016 unë mund t'ju them, që do të ishte shumë vonë. Çdo ditë që kalon në këtë proces është vonë. Eshtë vonë për zhvillimet demokratike në vend, është vonë në raport me mundësitë që ofron procesi i integrimit evropian me dritaren e mundësisë që ekziston për të marrë rekomandimin nga ana e Komisionit Evropian që këtë vit. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë, që kjo është një reformë, e cila në finale kërkon dy të tretat e votive të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk mjafton thjeshtë vetëm vullneti i qeverisë apo i mazhorancës parlamentare, por duhet që edhe pakica parlamentare të përfshihet dhe të japë kontributin e saj në arritjen e një teksti të dakortësuar që do t'i jepte mundësi Shqipërisë të fillonte me implementimin e vërtetë të kësaj reforme.

Ju folët për ekspertizën edhe nga jashtë, konkretisht si e mbështet Gjermania Shqipërinë në realizmin e kësaj reforme?

Së pari Gjermania është një ndër vendet me peshën kryesore në politikën evropiane. Eshtë një ndër vendet pjesëmarrëse në konsorciumin e projektit që ka të bëjë me mbështetjen e reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Eshtë shumë prezente në Shqipëri në fusha nga më të ndryshmet, por edhe me asistencën që jep përmes GIZ. Në rast se do të shohim gamën e çështjeve, në të cilat Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë ato fokusohen pikërisht tek sundimi i së drejtës në ekonomi. Në këtë drejtim mbështetja që na ka dhënë Gjermania ka qenë shumë e çmuar për ne dhe besojmë, se do të kemi të njëjtën mbështetje siç u sigurova edhe në takimet me homologun Steinmeier dhe me drejtuesdit e institucioneve të tjera, që u takova. Kjo ndihmë dhe kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të zbatimit të asaj për çfarë ne do të biem dakrod në letër, pra të zbatimit të reformës në drejtësi.

Ju e përmendët edhe në krye, se situata e sigurisë dhe zhvillimet aktuale në rajon kanë qenë temë e bisedimeve me partnerët në Berlin. Pyetja e parë në këtë kontekst është, se pas mbylljes së të ashtuquajturit “itinerari ballkanik” i refugjatëve, a është tashmë Shqipëria e përjashtuar si një itinerar i ri i mundshëm i kalimit të refugjatëve, apo ende ekzizton rreziku i përballjes me një valë refugjatësh?

Për momentin që flasim nuk ka një rrezik që Shqipëria të përballet me këtë fenomen. Por kjo nuk do të thotë, se ne kemi ulur ritmin e përpjekjeve bashkërenduese së bashku me fqinjët tanë, sidomos me Italinë, por së fundmi edhe me Greqinë, Maqedoninë e Bullgarinë, për të qenë të përgatitur për çdo lloj eventualiteti. Sepse siç ka demonstruar magnituda e kësaj krize gjatë këtij viti në disa raste vende të ndryshme, qofshin këto anëtare të BE-së, apo jo, janë përballur me situata të paparashikuara. Ndaj pavarësisht, se sot për sot nuk përbën një rrezik të drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë, ne vijojmë përpjekjet e përbashkëta me vendet e tjera të rajonit për të marrë masat që duhen.

Aktualisht në rajon një vatër e nxehtë është kriza në politikën e brendëshme në Maqedoni. A ka mundësi që Shqipëria si një vend fqinj të ndihmojë në kuadër të bashkëpunimit rajonal në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e krijuar atje?

Kemi pasur një diskutim mjaft të detajuar me kolegun Steinmeier në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni, por edhe në vende të tjera të rajonit. Nuk ka dyshim, që Shqipëria ka një interes legjitim në zhvillimet e brendëshme në Maqedoni edhe për shkak se shqiptarët janë një nga dy komunitetet më të mëdha shtetformuese në Maqedoni: në këtë pikëpamje interesi ynë është i qartë në favor të stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë. Kemi rënë gjithashtu dakord me kolegun Steinmeier për të mbajtur sa më hapur linjën e komunikimit dhe për të rakorduar çdo qendrim dhe iniciativë, që i shërben në radhë të parë stabilizimit të Maqedonisë dhe krijimit të mekanizmave dhe strukturës së inteniv-ës që do të zhbllokonin rugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

Dhe çfarë veprimi konkret ose forme ndërmjetësimi mund të ishte e mundshme në këto rrethana?

Natyrisht ne kemi kanalet tona politike dhe diploamtike me Maqedoninë, por kemi gjithashtu edhe kanalet e komunikimit dhe dialogimit kryesisht me partitë politike dhe me aktorët kryesorë që janë edhe zëri I shqiptarëve në Maqedoni. Ne kemi marrë angazhimin tonë për të bashkëpunuar sa më afër si me këta faktorë, ashtu edhe me shtete dhe institucionet kryesore, që janë të interesuar jo thjeshtë për të zgjidhur krizën në Maqedoni, por për të hapur një dritare të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Lidhur me raportet Shqipëri-Serbi: pas vizitave reciproke, që zhvilluan dy kryeministrat respektivisht në Beograd dhe Tiranë, që u konsideruan si historike, pikërisht në këto vizita dolën sërish në pah edhe qendrimet diametralisht të kundërta sa i përket Kosovës. A ka ndërkohë ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim, ose së paku tani pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi a prisini lëvije pozitive lidhur me këtë çështje?

Besoj se dy vjet nga iniciimi i procesit të Berlinit mund të konstatohet lehtësisht një normalizim i marrdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë qoftë me këmbimin e vizitave të nivelit më të lartë në shtatë dekadat e kaluara, siç ishte këmbimi i vizitave ndërmjet dy kryeministrave Rama dhe Vuçiç përkatësisht në Beograd e Tiranë, instalimi i konsultimeve qeveritare në nivel tripalësh Shqipëri-Itali-Serbi, në nivelin e ministrave të jashtëm, që ne duam ta zhvillojmë edhe në sektorë të tjerë të një rëndësie strategjike, apo të një interesi të përbashkët kryesisht në fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Por marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë duhet të shihet në mënyrë realiste, sepse diferencat ekzistojnë. Në fakt ato nuk janë thjeshtë diferenca ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por janë diferenca që kanë të bëjnë edhe me përkatësinë dhe vokacionin, sepse në rastin tonë ne jemi të orientuar qartësisht për nga vlerat euroatlantike, çka e dëshmon përkatësia jonë si pjestarë të familjes euroatlantike dhe dëshira jonë për t'u antarësuar në BE. Besojmë që edhe zgjedhjet e fundit në Serbi janë një tregues që Serbia po shkon drejt normalitetit dhe drejt këtij vokacioni. Ne do të kemi mundësi besoj në Paris të shohim, të bëhemi dëshmitarë të firmosjes së nismës së bashkëpunimit rinor në rajon. Kjo është një nismë, e cila u hodh në tryezë si propozim i kryeministrit Rama e Vuçiç me mbështetjen e kancelares Merkel me fillesat e procesit të Berlinit. Kjo është një nismë, e cila do të ketë selinë e saj në Tiranë dhe ne presim që në muajt dhe ditët në vijim të kemi një shkëmbim më të intensifikuar të të rinjve në rajonin tonë, çka do të ndikonte jo vetëm në reduktimin e stereotipeve negative, por edhe në përmirësimin e klimës dhe në rigjenerimin e kontakteve në rajon.