1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas

Dhuna kundër grave nuk ekziston vetëm në shoqëritë patriarkale. Çdo e katërta grua në Gjermani është viktimë e dhunës. Katja Schneidt ka qenë viktimë e saj.

53 kilometra e ndajnë Katja Schneidt nga një jetë e rrezikuar për vdekje për shkak të dhunës. 46 vjeçarja jeton sot në një qytet të vogël në landin e Hessenit, por 26 vite më parë jeta ishte në rrezik. "Qëndroja ulur në spital dhe pyesja veten, zot i madh, cilës klishe po i shërben tani", thotë Schneidt. "I dashur im turk më kishte bërë për spital." Një klishe që ndez paragjykime të vjetra. Katja kujton reagimet e rrethit të afërm. Je vetë fajtore, partneri yt është i huaj, sikur dhuna të ishte vetëm karakteristikë për të huajt. Ndërkohë që atë e gjen tek të gjitha grupet, thekson Schneidt.

Fjalia e zakonshme: Rënia nga shkallët

Çifti sapo kishte filluar të jetonte bashkë, kur ajo një ditë, pas vizitës tek mamaja, u desh të qëndronte gjatë në trafik. Kur u kthye i dashuri shkumëzonte nga zemërimi dhe e sulmoi brutalisht. Kur mjeku e pyeti për plagët, Katjas i erdhi zor dhe u përgjigj se kishte rënë nga shkallët. Ajo i qëndroi gënjeshtrës dhe doli nga spitali me brinjë të thyera dhe plagë të qepura. I dashuri që e priste jashtë, qante e kërkoi të falur. Katja dëshironte ndarjen, por nuk e pati të lehtë të gjente banesë në kohën e bashkimit të Gjermanisë. "Nuk kishte banesa që mund t'i paguaja", kujton ajo vendimin për të vazhduar jetën me të dashurin turk.

Sipas statistikave të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA, çdo e katërta grua bie viktimë e dhunës. Vetëm në vitin 2015 ka pasur 104.000 raste dhune. Presidenti i BKA-së, Holger Münch, thotë se "dhuna kundër gruas ka disa profile". Në statistikat e BKA-së ka 16.200 kërcënime, 11.400 dhunime fizike të rrezikshme, 66.000 lëndime të lehta. 331 gra janë vrarë në partnerët e tyre.

Katja Schneidt shpëtoi nga një tragjedi edhe më e madhe, vetëm sepse një kolege e saj u tregua e vëmendshme. Pas katër vitesh frikë e shtypje, Katja kishte filluar të punonte në një dyqan buke, disa orë në javë. Shefi i kërkoi njëherë që të qëndronte më gjatë në punë për të mbyllur disa fatura. "E dija që nuk ishte ide e mirë", kujton ajo, sepse i dashuri nuk duronte asnjë vonesë. Ai erdhi në dyqan për ta marrë, por kur u futën në rrugicën e shtëpisë së tyre e qëlloi me gur aq rëndë, sa Katja ra pa ndjenja. Në shtëpi kur erdhi në vete ndjeu goditjet e tjera.

Katja nuk erdhi të nesërmen në punë, por kolegja e saj shkoi në shtëpi, të interesohej ç'kishte ndodhur. "Isha më shumë e vdekur se e gjallë", kujton ajo. I dashuri i tha koleges, se Katja ka shkuar tek nëna. "Ajo u përshëndet me përzemërsi dhe u nis menjëherë në polici, sepse kishte parë që makina ime ishte në rrugë", kujton Katja që u mor në mbrojtje nga policia.

Sot tema e saj është dhuna kundër grave. Për dhunën ajo ka shkruar disa libra. Të flasësh hapur për dhunën e ushtruar ndaj teje nuk është e lehtë as sot, thotë ajo. Nuk është vetëm dhuna dhe kërcënimi, por edhe turpi, dyshime ndaj vetes dhe trauma që i bëjnë viktimat të heshtin. Për këtë angazhohet edhe politika në Gjermani. "Kjo tabu duhet të thyhet", kërkon ministrija e Familjes, Manuela Schleswig. Dhuna shtëpiake nuk është diçka private, por "një akt penal që duhet të ndiqet si i tillë."