1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e lirisë së shtypit: gazetarët në shënjestër të politikës, kriminelëve...

3 Maj 2011

Në 20 vitet e fundit kanë vdekur në detyrë më shumë se 2000 gazetarë dhe bashkëpuntorë të mediave. Shumica prej tyre janë vrarë.

https://p.dw.com/p/117dU
Gazetarët në shënjestër

"Ekzistojnë dy indikatorë kryesorë për matjen e lirisë së shtypit: numri i të arrestuarve dhe numri i gazetarëve të vrarë", thotë Joel Simon, drejtor i Komitetit për mbrojtjen e gazetarëve.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë është rritur numri i gazetarëve të vrarë. Prej 3 majit 1994, kur është shënuar për herë të parë dita e lirisë së shtypit, në detyrë kanë vdekur më shumë se 2000 gazetarë dhe bashkëpuntorë të mediave. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë vrarë 24, gati të gjithë në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Türkei Medien Pressefreiheit Journalisten demonstrieren in Istanbul
Protesta në TurqiFotografi: dapd

"Të paktën tre gazetarë të vrarë për një muaj - kjo është mesatarja", thotë Maria Salazar Ferro, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, e cila heton secilin rast të vdekjes së gazetarëve. Ka raste kur vriten në detyrë gazetarë të njohur, si fotogratët Tim Hetherington dhe Chris Hondros, të cilët u vranë me 20 prill në Misrata të Libisë, por gati 90 për qind e viktimave janë gazetarë vendorë.

Gazetarët vriten për shkak të raportimeve të tyre

"Shumica e madhe, të paktën 70 %, vriten si hamarrje për shkak të kritikave dhe raportimeve të tyre kritike", thekson Maria Salazar Ferro. Komiteti ka hulumtuar vrasjen e 861 gazetarëve. 39 % janë vrarë për shkak të hulumtimeve të temave politike, 34 % kanë raportuar për luftërat dhe konfliktet, 21 % për aferat korruptive, ndërsa 14 për qind për krimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Algerien, algerische Journalisten - Pressefreiheit in Algerien, Bild 4
Algjeria vend i rrezikshëmFotografi: DW

"Shumica e vrasësve nuk kapen kurrë, sepse qeveritë nuk janë të interesuar për zbardhjen e rasteve. Qeveritë ose janë të përziera vetë në këto vrasje, ose rastet nuk janë të rëndësishme për to. Mungesa e dënimeve për vrasjen e gazetarëve është bërë gati si rregull", thotë ajo.

Rajonet më të rrezikuara Azia dhe Amerika Latine

Në veçanti të rrezikuar janë gazetarët në Azi, Lindjen e Mesme dhe në Amerikën Latine. Ndërsa vendet më të rrezikshme për gazetarët janë në 10 vitet e fundit Iraku, Filipinet, Algjeria, Rusia dhe Kolumbia. Gati 90 % e vrasjeve të gazetarëve mbeten të pazbardhura.

Russland Pawel Chlebnikow ermordet
Vrasja e gazetarit rus Pawel ChlebnikowFotografi: AP

Gazetarët kuptohen sot shumë më shumë se armiqë se sa më parë. Ky trend është forcuar prej paraqitjes së internetit, thotë Rodney Pinder, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Sigurinë e Informimit, i cili për shumë vite ka punuar se korrespondent i agjencisë Reuters.

"Më parë gazetarët kanë qenë të mirëseardhur në shumë situata konfliktesh, sepse të gjithë protagonistët kanë pasur nevojë për gazetarë. Ndërsa sot secili bën vet propagandë në internet dhe u pengon kur ndonjë gazetar ofron argumente. Në konfliktet e sotme gazetarët përballen me shumë armiqë."

Domosdoshmëria e përgatitjes profesionale

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar para pesë vitesh rezolutën 1738 me të cilën bëhet thirrje për mbrojtjen e gazetarëve në situatat e konflikteve, por deri më sot nuk ka sanksione për mosrrespektimin e saj. Organizatat profesioniste kërkojnë që gazetarët të stërviten dhe të pajisen për qëllime sigurie, por në të shumtën e rasteve kjo nuk ekziston.

Irak Demonstration nach Mord an Journalist Sardasht Othman
Protesta në Irak pas vrasjes së gazetarit Sardasht OthmanFotografi: AP

"Gazetarët duhet të jenë në gjendje të vlerësojnë rrezikun, sepse asnjë shkrim nuk është më i rëndësishëm se jeta. Por ekzistojnë tema urgjente dhe të rrezikshme të cilat duhet trajtuar. Shumica e vrasësve të gazetarëve janë vrasës profesionistë. Prandaj edhe ne gazetarët duhet të jemi profesionistë në analizat e rreziqeve dhe masave të sigurisë", pohon Pinder.

Autor: Sandra Petersmann / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti