1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dita e fundit e fushatës parazgjedhore në Kosovë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, thotë se çdo gjë është gati që ditën e diel të hapen qendrat e votimit. Votime do të zhvillohen edhe në veri të Kosovës, edhe pas incidentit të vrasjes së një tutori të komisionit zonal.

Rrugë në Prishtinë.

Rrugë në Prishtinë.

Zyrtarë të KQZ-së, thonë se ky mekanizëm tashmë i ka bërë pothuaj të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme ditën e diel më 12 dhjetor. Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, thotë për DW-në, se tashmë të çertifikuara për të konkuruar në zgjedhjet parlamentare janë 29 subjekte politike, tetë nga të cilat janë parti politike serbe.

"Poashtu lista e votuesve është çertifikuar dhe do të kemi një milion e gjashtëqind e tridhjetëmijë votues. Këtë radhe do të kemi rreth 73 mijë persona, që kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Qendra votimi do të kemi 746 me 2280 vendvotime", thotë Fehmi Ajvazi.

Në bazë të ligjit të zgjedhjeve, i gjithë territori i Kosovës llogaritet vetëm një zonë zgjedhore, do të përdoret sistemi proporcional, ku për 120 vendet e parlamentit garojnë 1265 kandidatë. Në bazë të Kushtetutës, 20 vende në parlament janë të rezervuara për pakicat, dhjetë nga to vetëm për pakicën serbe.

Organet e rendit në Kosovë tashmë kanë finalizuar planin operacional për sigurinë gjatë ditës së zgjedhjeve. E angazhuar në ditën e zgjedhjeve, do të jetë vetëm policia e Kosovës me mbi gjashtë mijë policë, mirëpo, ata do të mbështeten në rast nevoje edhe nga policia e misionit

EULEX dhe focat paqeruajtëse, thotë për DW, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

"Sa i përket veriut të Kosovës kjo varet nga vlerësimet në ditën e zgjedhjeve, mirëpo, padyshim se policia do të ketë një fokus më të shtuar në veri. Deri tash të gjitha vlerësimet janë bërë në nivel të drejtorive rajonale dhe për planet e veçanta, që përfshijnë edhe angazhimin e policëve për ditën e zgjedhjeve janë përgjegjëse këto drejtori rajonale", thotë zëdhënësi i policisë Baki Kelani.

Zyrtarë të KQZ-së thonë, se megjithë kundërshtimin e disa përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës edhe në këtë pjesë të banuar më shumicë serbe, do të hapen qendrat e votimit, sikundër do të jenë të angazhuara edhe qendrat mobile të votimit për t'u mundësuar qytetarëve që të votojnë.

Të mërkurën në mbrëmje në komunën e Leposavicit në veri të Kosovës, nga persona të panjohur u vra një pjesëtar i komunitetit boshnjak, i cili ishte trainer i komisionerëve zonalë për zgjedhjet në Kosovë. Zëdhënësi i KQZ-së, Fahmi Ajvazi, thotë se pavarësisht nga ky incident, nuk do të ketë zbrapsje në procesin e votimit as në veri të Kosovës.

"Kjo nuk do t'u ndalojë KQZ-ve, që të bëjë përgatitjet e fundit dhe ditën e diel të kemi zgjedhje edhe në veri dhe shpresoj, që të mos kemi incidente që do ta dëmtonin procesin e zgjedhjeve", thotë Fahmi Ajvazi.

Zgjedhjet e përgjithshme të jashtzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë organizohen për herë të pas shpalljes së pavarësisë. Ato do të vëzhgohen nga rreth 32 mijë vëzhgues, mirëpo shumica e tyre janë vëzhgues vendas.

Nga radhët e organizatave ndërkombëtare do të jenë rreth 500 vëzhgues, ndërsa, 350 vëzhgues do të jenë nga ambasadat në Kosovë të vendeve, që e kanë njohur pavarësinë. Prania ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara, janë shprehur optimist për një proces të rregullt zgjedhor, duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që ta vazhdojnë, siç shprehen ata, traditën e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike konform standardeve ndërkombëtare.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 10.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QVAi
  • Data 10.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QVAi