1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dita e Evropës: Maqedonia e ka vendin në familjen e madhe evropiane

Në Parlamentin e Maqedonisë u mbajt një tryezë e rrumbullakët, ku u fol për avancimin e të drejtave dhe mbrojtjen e lirive të qytetarëve sipas konventave të Këshillit të Evropës

default

Në Maqedoni Dita e Evropës shënohet tradicionalisht me manifestime të ndryshme kulturore, në të cilat flitet për rëndësinë dhe rolin e Bashkimit Evropian. Dhe derisa qeveritarët pohojnë se Maqedonia është e gatshme për anëtarësim në BE, qytetarët tregohen më vetëkritikë, ata thone se duhen bërë edhe shume reforma që vendi të mund të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE. Ata madje thonë se duhet ndryshuar edhe mentaliteti i të kuptuarit për të jetuar të barabartë në familjen e madhe evropiane.

Në Parlamentin e Maqedonisë është mbajtur një tryezë e rrumbullakët, në të cilën është folur për avancimin e të drejtave dhe mbrojtjen e lirive të qytetarëve sipas konventave të Këshillit të Evropës. Në kuadër të aktiviteteve të shënimit të Ditës së Evropës, këshilli kombëtar për euro-integrime ka prezantuar raportin për realizimin e obligimeve që dalin nga programi për përmbushjen e detyrimeve të Bashkimit Evropian. Zëvendës-kryeministri për euro-integrim Ivica Bocevski thotë se Maqedonia do të arrijë me kohë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe me këtë do të dëshmojë se ka kapacitet politik që menjëherë të fillojë negociatat për anëtarsim në BE. Vendi do të jetë i përgatitur për anëtarsim në BE deri në fund të 2010-ës, ka theksuar Ivica Bocevski.


Karte EU Schengen Länder

Harta e Evropës

A do të realizohet ëndrra e të rinjve e Evropës pa kufij?


Por çfarë dinë konkretisht dhe presin qytetarët nga anëtarsimi i vendit në BE? Blerant Nebiu është student. Ai ka dëshirë që shumë shpejt të hiqen vizat e Shengenit. "Me heqjen e vizave do të kemi mundësi të vizitojmë vendet e jashtme si dhe të takohemi me kolegët tanë të cilët janë jashtë shtetit dhe me të cilët kontaktojmë vetëm përmes internetit, pasi nuk kemi mundësi tjera takimi."

Arsimtarja Rukije Rogaqi thotë se në komunikimin e përditshëm njerëzit Bashkimin Evropian e identifikojnë me entin për punësim. Shumica e qytetarëve mendojnë se me hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian do të zgjidhen të gjitha problemet brenda natës. Është gabim një perceptim i tillë. "Kam marë pjesë në shumë seminare ku jemi përgatitur për aplikimin e standardeve, që realizohen në arsim në vendet e Bashkimit Evropian. Na pret shumë, shumë punë," thotë Rukije Rogaqi.

Studentët thonë se kanë njohuri të duhura për funksionimin e institucioneve të Bashkimit Europian dhe çka duhet të bëjë Qeveria për të hyrë vendi në BE. "Njihem me funksionimin e pothuajse të gjitha institucioneve në kuadër të Bashkimit Evropian. Jam e mendimit se duhet të bëhen shumë reforma që t'i arrijmë deri diku standardet, të cilat për njëfarë kohe po aplikohen dhe janë bërë përditshmëri e vendeve të Bashkimit Europian," thotë studentja Marija Markovska.


Në Maqedoni është koha e të kuptuarit të jesh evropian


Profesori universitar Qani Mehmeti është i mendimit se qytetarët janë shumë pak të informuar për funksionimin e BE-së. Në idenë e qytetarëve për t'u futur në trenin e madh të Bashkimit Evropian duhet futur edhe mentaliteti se si sillemi ose si duhet të sillemi si evropianë, çfarë detyrash qyetetare duhet të kemi para asaj pjese që do të na pranojë si të barabartë në familjen evropiane. "Për të marrë një kartëvizitë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian natyrisht se qytetarët duhet të kryejnë shumë detyra brenda shtetit ku jetojnë, duke përfshirë këtu gjendjen sociale, që të përgatiten për t'i realizuar ato detyra, që kërkon familja e madhe evropiane,” thotë Qani Mehmeti.


Në shënimin e Ditës së Evropës në Maqedoni është përfshirë edhe zyra e BE-së në Shkup, e cila përmes shpërndarjes së broshurave dhe takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët ka informuar për rëndësinë e funksionimit të Bashkimit Evropian.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 09.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HmpI
  • Data 09.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HmpI