1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e Europës 2011 - Shqipëria rruga e mundimshme drejt integrimit

10 Maj 2011

Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë Ettore Sequi konfirmon në programin shqip të DW gatishmërinë e BE për të ndihmuar Shqipërinë në integrimin europian dhe thekson se përgjegjësia në këtë proces është e shqiptarëve

https://p.dw.com/p/11CVf
Ettore Sequi, ambasador i delegacionit të BE në Tiranë Foto: Ani Ruci, shot on April 2011, in Tirana.
Ettore Sequi, ambasador i delegacionit të BE në TiranëFotografi: DW

Në mesazhin, që Stefan Füle, komisioneri i BE për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, i drejton shqiptarëve sot, në Ditën e Europës, ai përmend deklaratën e burrit francez të shtetit, Robert Schuman, 61 vite më parë, më 9 maj 1950, ku ai thekson se: “BE nuk do të ndërtohet menjëherë, në çast”, por në mënyrë graduale përmes një procesi bashkëpunimi të bazuar në vlera, qëllime dhe parime të përbashkëta. Duke shprehur kënaqësinë që edhe Shqipëria është pjesë e këtij procesi, Stefan Füle në mesazhin e tij të sotëm rikonfirmon zotimin për të bashkëpunuar me Shqipërinë për realizimin e “vizionit të Robert Schuman-it”, vë në dukje ai.

Stefan Füle, komisioneri i BE për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë
Stefan Füle, komisioneri i BE për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirëFotografi: AP

Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi, thotë për programin shqip të DW se Dita e Europës është dita e zotimeve të BE ndaj vendeve, që aspirojnë anëtarësimin dhe njëherazi e këtyre vendeve ndaj BE për të arritur vlerat dhe respektuar parimet europiane. “Sot ështe ditëlindja e Europës, por në të njëjtën kohë është edhe dita e zotimeve të atyre vendeve që aspirojnë, në fund të fundit, të bëhen anëtare të BE. Sot është një ditë, kur ne europianët riafirmojmë vlerat tona të përbashkëta, vlerat që ndajmë mes nesh. Besoj dhe jam i sigurtë që Dita e Europës perceptohet kështu edhe nga shqiptarët, që aspirojnë të bëhen pjesë e BE. Procesi i integrimit është një proces, që përfshin gjithë vendin, një proces ku BE është i gatshëm të ndihmojë, por në fund të fundit përgjegjësia i përket Shqipërisë, shqiptarëve”, thotë ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sequi.

Ku është Shqipëria me procesin e integrimit europian në Ditën e Europës 2011?

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i rrjetit të organizatave jo fitrimprurëse “Lëvizja Europiane”
Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i rrjetit të organizatave jo fitrimprurëse “Lëvizja Europiane”Fotografi: DW

Vetëdija e përgjegjësisë së shqiptarëve se ecuria e procesit të integrimit europian varet në rradhë të parë nga vetë ata, nuk paraqitet e njëtrajtshme, por me dritë dhe hije. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv në Shqipëri i rrjetit të organizatave jo fitrimprurëse “Lëvizja Europiane”me qendër në Bruksel, thotë për programim shqip të DW se një arritje e madhe në këtë proces është liberalizimi i vizave: “Tashmë shqiptarët janë të lirë për të udhëtuar pa viza në hapësirën Schengen. Shqiptarët janë treguar shumë të përgjegjshëm, e kanë shfrytëzuar brenda rregullores së BE këtë mundësi, madje janë qytetarët, që respektojnë këtë rregullore më mirë se vendet e tjera, se Maqedonia, Serbia, apo Bosnja, ku ka kërkesa për azil politik në vendet e BE, ndërkohë që shqiptarët nuk janë përfshirë në një fenomen të tillë”, thotë Gledis Gjipali.

Por nga ana tjetër ka edhe zhvillime, që nuk çojnë përpara procesin. Kështu kriza politike dhe mungesa e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës ka bllokuar realizimin e reformave të kërkuara nga BE për të shënuar progress në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Cilësimi i zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan dje të lira, të ndershme dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare është një shans me shume që BE t'i hapë Shqipërisë dritën e gjelbër për të marrë në konsideratë aplikimin e sivjetëm për statusin e vendit kandidat për anëtarësim, aplikim qe nuk u pranua vitin e kaluar për shkak të krizës politike.

Klishe shqiptare lidhur me procesin e anëtarësimit në BE

Liberalisierung der EU-Visa für Albanien Tirana Feierlichkeiten Flash-Galerie
Fotografi: DW

Në vetëdijen e përgjegjësisë së vetë shqiptarëve për progres, apo mbetje në vend të procesit të integrimit europian të Shqipërisë luajnë rol negativ perceptime të gabuara, apo klishe lidhur me procesin e integrimit. "Ka një iluzion të krijuar sikur BE, apo vende të veçanta të tij e duan shumë Shqipërinë, i duam shumë shqiptarët pa ndonje baze racionale. Sipas kesaj klisheje integrimi në BE është thjesht çështje kohe, pra kur të vijë koha, ai do të ndodhë. Kjo është një nga klishetë më të përhapura, sipas te cilës Shqipëria i duhet Europës dhe prandaj nuk mund ta lërë atë jashtë.”

Kjo klishe është pasojë e mungesës së informacionit dhe te kuptuarit te mesazhit te njohur tanimë të BE, të perseritur edhe sot ne diten e Europes së 'integrimi eshte përgjegjësi e vete shqiptarëve dhe se BE do te mbaje zotimin për ta ndihmuar dhe per ta bere pjese te tij, kur Shqiperia ta meritoje."

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica