1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ditët e Filmit Gjerman në Shqipëri

Në kuadër të Tetorit Gjerman 2009 në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi" në Tiranë zhvillohen Ditët e Filmit Gjerman. Organizatorët kanë zgjedhur filma, nga koha, kur u rrëzua muri i Berlinit.

default

Logo e tetorit gjerman në Tiranë.

Në kuadër të Tetorit Gjerman 2009 në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi" në Tiranë po zhvillohen Ditët e Filmit Gjerman. Organizatorët e këtij aktiviteti kanë zgjedhur filma, rreth ngjarjeve të 20 viteve më parë, kur u rrëzua muri i Berlinit. Procesit zinxhir të transformimeve, që nisën jo vetëm në Gjermanë Lindore, por dhe në vende të tjera të ish bllokut komunist. Përjetimet dhe vlerësimet e shikuesve janë pjesë dhe e diskutimeve, që zhvillohen pas shfaqjes së çdo filmi.

Ditët e Filmit Gjerman është një veprimtari, që është organizuar dhe herë të tjera në Shqipëri. Por veçoria e këtij edicioni është përzgjedhja e filmave, që evokojnë kohën e rënies së murit të Berlinit. Një prej mbështetësve të ditëve të Filmit Gjerman në Tiranë është edhe fondacioni "Friedrich Ebert". Përfaqësuesi i këtij Fondacioni në Shqipëri, prof. Aleksandër Dhima, thotë për DW se tematizimi i veprimtarisë u duk si një mënyrë më e mirë për të tërhequr fansat e kinemasë në Shqipëri. Jo vetëm për të sjellë arritje të kinemasë gjermane në Tiranë, por dhe për të ngjallur diskutime mes të ftuarve.

Nëpërmjet këtyre filmave mesazhi është i qartë. Se çfarë po ndodh me tranzicionin në vendet e Lindjes komuniste. Si po ndjehet dhe si po përjetohet ky tranzicion. Duke patur si të thuash atë feedback-un historik të kohës, kur ra muri i Berlinit. Sepse rënia e Murit të Berlinit, siç e dimë tashmë, nuk është thjesht një ngjarje historike, por është dhe një moment kthese, që pasoi dhe me evenimente të tjera politike në Evropën Lindore. Pra shërbeu edhe si një gur themeli, jo vetëm për shëmbjen e sistemit të vjetër, por dhe për disa procese, të cilat vazhdojnë dhe sot e kësaj dite në shoqëritë e vendeve, të cilat e kanë tejkaluar tashmë epokën komuniste."

Deutscher Oktober in Tirana

"

Shikuesit në ambientet e kinemasë së Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi" janë duke ndjerë përjetime thuajse të përafërta me realitetin shqiptar. Pavarësisht se fabulat e kineastëve gjermanë janë përzgjedhur nga një atmosferë e një shteti tjetër. Si përjetohet nga një grua, që del nga një koma disa mujore në Gjermaninë Lindore rrëzimi i murit.("Good Bye Lenin" me regji të Wolfang Becker). Organizimi i meshave si një mjet rezistence e qytetarëve gjermanolindorë në Kishën e Shën Nikollës pak javë para 9 nëntorit të vitit 1989. ("Kisha e Shën Nikollës" me regji të Frank Beyer). Përjetimi i rënies së murit të Berlinit pas hekurave të burgut ("Berlini ndodhet në Gjermani" me regji të Hannes Stohr). Venitja e karrierës së një çiklisti të talentuar vetëm, sepse refuzoi të bashkohej me Unionin Socialist Gjerman ("Sportisti Lotzch" me regji të Sandra Pechtel). Linja e dashurisë me murin në mes, që ndante Berlinin Përendimor nga ai Lindor ("Sonnenalle" me regji të Thomas Brussing).

Adriatik Lela një fans i hershëm i kinemasë ka vendosur që ti shohë të gjitha filmat gjermanë gjatë kësaj jave. Ai përpiqet që nëpërmjet të subjekteve, që ofrohen, të bëjë një bilanc të ngjashmërive dhe veçorive të jetës në përiudhën komuniste në Shqipëri dhe në Gjermaninë Lindore. Ai thotë për DW se të njëtat tema po të trajtoheshin për realitetin shqiptar të dy dekadave më parë do të kishin padyshim nota më tragjike, me më zymtësi dhe pesimizëm.

"Në Shqipëri ka qënë diktatura më e egër komuniste në vendet e Europës Lindore. Në burgje kishte më shumë vuajtje dhe ushtrohej një genocid i paparë komunist. Në Gjermaninë Lindore vërtet ishte shteti komunist, por ekszistonte në një farë mënyre prona private dhe liria fetare. Pra nuk ishte ai izolim dhe ajo diktaturë e egër si në Shqipëri". Adriatikut i kujtohen shpronësimet masive, mbyllja e institucioneve fetare dhe shpallja e tyre si armike të diktaturës së proletariatit. I kujtohen ndalimet e ndjekjes se stacioneve mediatike përendimore, egërsia e organeve të ish Sigurimit famëkeq të Shtetit, psikoza e sulmeve të fuqive imperialiste mbi Shqipërinë etj etj.

Deutscher Oktober in Tirana

Por veç ngacmimeve të memories individuale dhe kolektive të kapërcimit të sistemeve politike shoqërore, organizatorët e Ditëve të Filmit Gjerman në Tiranë, po fokusohen dhe tek elementët profesionalë të kinemasë gjermane. Këtu duken më të interesuar studentët dhe pedagogët të fushës së artit.

Në diskutimet që zhvillohen pas shfaqjes së cdo filmi, nën drejtimin e njërit prej oragnizatorëve të këtij aktiviteti, Edmond Topi, debatohet mbi elemntë të vecantë të produksioneve. Të pranishmit evidentojnë detaje nga performanca regjisoriale, kamera, skenari, loja e aktorëve, por dhe aksesorë të tjerë të mjeshtërisë së realizimit të filmave gjermanë.

Përvec Fondacionit gjerman "Friedrich Ebert", mbështetës të këtij aktiviteti janë dhe Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Instituti "Gëte", në krijimin e kushteve optimale nga ana e stafit të Akademisë së Filmit dhe Multimedias "Marubi". Ditët e Filmit Gjerman janë pjesë e kalendarit të Tetorit Gjerman 2009, i cili përmban aktivitete kulturore, artistike, shkencore dhe sportive jo vetëm në Tiranë, por dhe në Shkodër, Pogradec, Kucovë, Berat, Fier etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 07.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K1Qw
  • Data 07.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K1Qw