1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ditë tmerri - Pengjet e Beslanit

Edhe pesë vjet pas tragjedisë në shkollën numër 1 në Beslan, shteti rus thjesht i bën bisht përgjegjësisë së tij.

Ceremonia përkujtimore në palestrën e shkolës nr. 1 në Beslan

Ceremonia përkujtimore në palestrën e shkolës nr. 1 në Beslan

Drama nisi pesë vjet më parë, pikërisht në ditën e parë të shkollës më 1 shtator, kur të gjithë njihen me njëri-tjetrin. Më shumë se 30 terroristë, kryesisht nga Ingushetia dhe Çeçenia e vunë shkollën numër 1 në Beslan nën kontrollin e tyre. Fëmijët, prindërit e tyre dhe të afërmit, si dhe mësuesit i mbyllën në një palestër. Mbi 1100 vetë qendruan atje tri ditë - pa ujë, pa ushqim. Ata që bënë rezistencë i vranë në vend. Më 3 shtator drama e pengjeve përfundoi me një aksion shpëtimi të forcave ruse të sigurisë, gjatë së cilit u vranë qindra vetë.

Brutalitet të papërshkrueshëm

Viktori e humbi që ditën e parë të dramës së pengjeve të birin, 37-vjeçar, Elbrus. Pak më parë ai kishte sjellë në shkollë vajzën e tij të vogël: "Ai nuk deshi t'u bindet urdhërave të tyre, ata e goditën me kalashnikov. Kur mbërritën në palestër, i kërkuan të vishte një jelek, i cili qe mbushur me lëndë eksplozive. Im biri kundërshtoi. Atëherë ata e vranë, që ditën e parë dhe e hodhën kufomën e tij nga dritarja."

Drama e pengjeve përfundoi me një aksion shpëtimi të forcave ruse të sigurisë, gjatë së cilit u vranë qindra vetë.

Drama e pengjeve përfundoi me një aksion shpëtimi të forcave ruse të sigurisë, gjatë së cilit u vranë qindra vetë.

Terroristët vepruan me brutalitet të papërshkrueshëm - supozohet se ndër të tjera ata donin të arrinin lirimin e shokëve të arrestuar të besimit dhe tërheqjen e forcave të armatosura ruse nga Çeçenia. Por edhe pesë vjet pas tragjedisë shumë pyetje të rëndësishme mbeten të pasqaruara. A u bënë seriozisht negociata me terroristët? Pse u vranë mbi 330 prej 1100 pengjeve në sulmin e ndërtesës nga forcat ruse të sigurisë? Susanna Dudijeva nga Komiteti i nënave të Beslanit i akuzon përgjegjësit e atëhershëm se janë bashkëfajtorë në masakër:

"Pse nuk bënë negociata, për të shpëtuar në këtë mënyrë jetë njerëzish? Pse e pa pushteti shtetëror të nevojshme të përdorë armë të rënda si tanke, zjarrhedhës dhe granatahedhës?"

Versione kontradiktore - Cila ishte pjesa e shtetit në tragjedi?

Sipas versionit zyrtar, terroristët patën ndezur ditën e tretë lëndë shpërthyese në palestër. Vetëm pas kësaj nisi sulmi kundër ndërtesës. Një version, të cilin e kundërshtojnë shumë nga të mbijetuarit. Kanë qenë forca ruse të sigurisë që patën hapur zjarr me municion flakëvënës në sallën e mbushur plot. Vërtet që një komision hetimor i Dumas e kritikoi më vonë mënyrën kaotike dhe të pakoordinuar të forcave në vendin e ngjarjes. Por hetime të pafundme të komisioneve të panumërta nuk sollën qartësi, se cila ishte pjesa e shtetit në tragjedi. Për të afërmit e të vrarëve si dhe të mbijetuarit gjendja e pasigurisë është e padurueshme.

Për trajtimin psikologjik dhe mjekësor të viktimave shpesh mungojnë paratë

Për trajtimin psikologjik dhe mjekësor të viktimave mungojnë shpesh paratë

"Ne i jemi drejtuar Medvedjevit dhe i kemi shtruar pyetje. Pyetja e parë qe për gjendjen e hetimeve. Kjo është për ne e para, për të cilën preokupohemi. Së dyti për statusin e viktimave të atentatit terrorist. Dhe së treti për programe të caktuara për ndihmën dhe rehabilitimin e viktimave."

Ela Kasajeva, e organizatës së viktimave 'Zëri i Beslanit' pret deri sot përgjigje. Atëherë familjet e viktimave nuk morën as 2000 euro për çdo të vrarë dhe meqenëse ndihma fillestare nga bota e jashtme është pakësuar gradualisht, shumë ndihen të braktisur. Për trajtim psikologjik dhe mjekësor shpesh mungojnë paratë, dëgjon të ankohen. Dhimbjes shpirtërore i shtohet ndjenja e pafuqisë përballë një shteti, i cili thjesht i bën bisht përgjegjësisë së tij.

Autor: Stefan Laak/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 02.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNZU
  • Data 02.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JNZU