1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ditë e zezë për lirinë e shtypit në Turqi

Qeveria turke ka frikë se mund të humbasë në zgjedhjet të dielën dhe është në panik. Prandaj liria e shtypit në Turqi po përballet prej disa kohësh me sulme ekstreme të shtetit.

Skena dramatike ndodhën para ndërtesës së grupit mediatik Koza-Ipek në zemër të Stambollit. Ky grup mediatik është kritik ndaj qeverisë. Kur forcat speciale të policisë sulmuan ndërtesën, punonjësit u mbrojtën. Për shkak të mungesës së alternativave ata u përpoqën të pengonin avancimit e forcave të sigurisë me çadra shiu. E gjitha kjo pa sukses dhe në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion. Transmetimi në Bugun TV vazhdoi për aq kohë, deri sa policia shkëputi lidhjen.

Aparati shtetëror, duket se po humb toruan në prag të zgjedhjeve parlamentare të dielën. Sepse pa marrë parasysh nëse është fjala për PKK kurde, për Shtetin e vetëshpallur Islamik apo për shtypin kritik ndaj qeverisë, partia në pushtet AKP sumon me seriozitet dhe fuqishëm tek kampi kundërshtar. Kristian Brakel drejtues i Fondacionit Heinrich Bëll në Stamboll tha në një intervistë me Deutsche Welle, se goditja e hapur ndaj një nga kanalet e fundit televizive anti-qeveritare të vendit është një kulm i hidhur për cënimin e të drejtave të gazetarëve. "Liria e shtypit në Turqi po përballet prej disa kohësh me sulme ekstreme të shtetit. Në vend është krijuar një atmosferë, në të cilën mediat nacionaliste dhe të afërta me AKP-në i shpallin si jashtë ligjit gazetarët kritikë."

Reagim nga paniku i AKP-së

Kohë të zymta për lirinë e shtypit në Turqi. Reporterët pa Kufij e rendisin Turqinë për vitin 2015 në vendin 149 nga 180 vende të botës, pak përpara Republikës Demokratike të Kongos dhe Rusisë.

Opozita në vend i dënon ashpër veprimet e forcave të sigurisë. Mbi të gjitha, partia e qendrës së majtë CHP. Husnu Bozkurt, deputet i CHP-së nga Konia në Anadollin qendror, ku në fakt drejton AKP-ja, thotë. "Këto sulme nuk janë vetëm një sulm ndaj mediave. Ato janë një sulm mbi të gjithë demokracinë." Për të, goditja ndaj gazetarëve kritikë është një reagim nga paniku i qeverisë "e cila pas 13 vjetësh në pushtet realizon se koha e saj ka marrë fund."

Erdogani kundër Gylenit

Por as kanali televiziv Bugün dhe as Kanaltürk nuk janë bastione të raportimit të pavarur. Të dy stacionet i përkasin Ipek Holding një konglomerat korporatash prej 22 kompanish. Grupi mediatik nga ana e tij është pjesë e Lëvizjes myslimane Hizmet, e njohur gjithashtu si lëvizja Gylen, për shkak se ajo është afër predikuesit Fethullah Gylen. Gyleni, dikur një aleat i ngushtë i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan - veçanërisht kur ai sulmoi opozitën e pakëndshme në vend - është bërë një nga armiqtë për kokë të Erdoganit. Sepse tani ai e kritikon Erdoganin që ka infiltruar policinë dhe gjyqësorin dhe do të përmbysë qeverinë turke. "Qëkurse Tajip Erdogani dhe Fetullah Gyleni janë zënë me njëri-tjetrin në vitin 2013, Erdogani po bën çdo përpjekje për të zhdukur bazën ku mbështetet në vend lëvizj e Gylenit", thotë Kristian Brakel.

Politikani opozitar Hüsnü Bozkurt mendon se qëndrimi i AKP-së kundër lëvizjes Gylen nuk është i papritur. Por për shkak të veprimeve drastike ndaj mediave, ai mendon se "ata nuk do të rreshtin deri sa nga ekrani të jetë zhdukur edhe media e fundit kritike ndaj qeverisë."