1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ditë e mirë për Gjermaninë - Horst Köhler mbetet në postin e presidentit

Presidenti gjerman Horst Köhler u rizgjodh të shtunën (23.5.) në post. Qysh në raundin e parë ai mori shumicën absolute të votave. Kështu Köhler do të përfaqësojë Gjermaninë edhe për pesë vjet të tjera si president.

Merkel uron Köhler-in e rizgjedhur në postin e presidentit me një buqetë lulesh

Kancelarja gjermane Merkel uron Presidentin e rizgjedhur Horst Köhler.

Ishte vërtet një rezultat i ngushtë por mjaft i qartë. Me të Asambleja Federale iu përgjigj dëshirës së shumicës së gjermanëve. Presidenti Köhler, të cilin në zgjedhjet presidenciale pesë vjet më parë nuk e njihte thuajse askush, gëzon ndërkohë përkrahje të gjerë në popull. Të gjitha sondazhet tregojnë se nëse qytetarët gjermanë do të kishin mundësi ta zgjidhnin vetë kreun e shtetit, shumica do t'ia jepte votën Köhler-it. 70 për qind e të anketuarve deklaruan se dëshironin një mandat të dytë për presidentin me popullaritet.

Sfiduesja e Köhler-it, Gesine Schwan, preferohej në sondazhe vetëm nga 15 për qind e të anketuarve. Edhe në Asamblenë Federale ajo nuk ia doli të bënte për vete shumicën. Madje edhe nga vetë kampi i saj kuq e gjelbër, në fund profesoreshës së lëndëve politike i mundonin 11 vota.

Edhe pse kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD) e mohoi këtë pas votimit, rezultati i zgjedhjeve presidenciale duket se ka vlerë sinjalizuese për të ardhmen. Kristiandemokratët (CDU) dhe Liberalët (FDP) treguan solidaritetin që iu nevojitet, nëse synojnë një koalicion të ri qeveritar mes tyre, pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit të ardhshëm. Socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit të cilët gjithashtu synojnë një koalicion, sërish u prezantuan jo të një mendjeje, të përçarë dhe të paparashikueshëm. Qysh para zgjedhjeve Partia Socialdemokrate nuk kishte ofruar mbështetjen e nevojshme për kandidaten e saj Gesine Schwan. Politikanë të lartë të saj shfaqeshin të distancuar e madje të painteresuar.

Por pas zgjedhjeve, kryetari i socialdemokratëve Müntefering, u përpoq t'ia hidhte fajin "Të Majtës". Ajo ishte "ndarë", kritikoi Müntefering mprehtë. Në vend që të mbështeste kandidaten socialdemokrate, "E Majta" preferoi të fuste në garë një kandidat të vetin, i cili ishte fare pa shanse për të fituar. Kjo e dobësoi kampin majtas Partisë Kristiandemokrate (CDU).

Por fajin për humbjen e kandidates së socialdemokratëve nuk e ka "E Majta". Përgjegjësia bie mbi vetë socialdemokratët. Asnjë herë të vetme nuk kërkoi SPD-ja mbështetjen e "Të Majtës", bëri të ditur kryetari i grupit të saj parlamentar Gregor Gysi, gjatë punimeve të Asamblesë Federale. Por kjo nuk kishte si të ndodhte, pasi SPD-ja nuk donte të jepte asnjë sinjal për ndonjë koalicion me "Të Majtën" pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në shtator. Të presësh që "E Majta" të mbështesë në heshtje ata që bëjnë gjithçka për t'u distancuar prej saj në publik, është naivitetet ose arrogancë.

Zgjedhjet përfunduan. Gjermania humbi shansin për të patur një presidente të mirë, për të patur për herë të parë një grua në postin më të lartë shtetëror, për një intelektuale të hareshme në Kështjellën Bellevue. Por në këmbim Gjermania fitoi një president të mirë, një burrë me këmbët në tokë, i cili i përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, bindshëm dhe me modesti.

Dita e zgjedhjes së presidentit ishte një ditë e keqe për Partinë Socialdemokrate, por një ditë e mirë për Gjermaninë.

Autor: Bettina Marx

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 24.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HwB3
  • Data 24.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HwB3