1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë e vështirë me negociata të vështira

23 Shkurt 2012

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë edhe sot bisedimet në Bruksel. Ata po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje për përfaqësimin rajonal dhe sqarimin e detajeve teknike për zbatimin e marrëveshjeve

https://p.dw.com/p/147z1
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dialogu vazhdon pas një "dite të vështirë me negociata të vështira", gjatë së cilës presidenti serb Boris Tadiq sqaroi nga Beogradi, se përfaqësuesit e Kosovës po kërkojnë të pamundurën dhe se është pesimist në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje por dhe marrjen e statusit të kandidatit për BE-në nga Serbia në muajin mars.

Kryenegociatori i Serbisë Borisllav Stefanoviq, është megjithatë ende optimist i rezervuar. Edhe pse ai thotë se pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës "janë ende larg", Stefanoviq pret që sot të ketë afrime të tjera dhe zgjidhje pozitive. "Kemi arritur në pikën ku është konfirmuar përparimi thelbësor në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, sidomos sa i përket librave të amzës si dhe lirisë së lëvizjes. Përveç kësaj, ne kemi arritur të përafrojmë qëndrimet dhe kemi shqyrtuar hollësisht elementet e marrëveshjes që lidhet me kalimet administrative. Këtu kemi edhe çështjen kryesore, atë të përfaqësimit rajonal e cila përputhet me linjat e propozimeve të përbashkëta, që bazohen me qëndrimin tonë për Rezolutën 1244. Nuk kanë mbetur edhe shumë mosmarrëveshje, keqkuptime dhe dallime të tjera, por në këto procese hapat më të vështirë mbeten në fund të negociatave", ka thënë Stefanoviq pas një dite të gjatë të negociatash në Bruksel.

Në foto, Borisllav Stefanoviq
Në foto, Borisllav StefanoviqFotografi: picture alliance/dpa

Prishtina hesht - Beogradi përsërit qëndrimin e tij

Ndërsa delegacioni nga Prishtina gjatë tërë ditës së negociatave në Bruksel asnjëherë nuk i është drejtuar gazetarëve, ekipi negociator nga Beogradi disa herë ka përsëritur "qartësinë e pozitës së tij" si dhe synimin që për hir të marrëveshjes të bëhet krejt çka është është e mundur por me kusht, që ajo të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, interesin kombëtar dhe kushtetutën e Serbisë: "Pavarësisht nga vështirësitë dhe kundërshtimet që shkaktojnë disa zgjidhje, duke marrë parasysh se ato nuk janë të përkryera, ato janë në përputhje me interesin tonë kombëtar dhe kështu do të ndodhë edhe tani. Në këtë nuk duhet të dyshojë askush", tha Stefanoviq. 

Në foto, Edita Tahiri
Në foto, Edita TahiriFotografi: picture alliance/dpa

Pesë ditë para takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilët duhet të vlerësojnë nëse Serbia ka plotësuar kushtet për marrjen e statusit të kandidatit, sytë janë kthyer nga rezultatet e dialogut aktual mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.  Stefanoviq theksoi rëndësinë e statusit të kandidatit. por shtoi se çështja e afateve nuk është  çështje aq e rëndësishme për Serbinë. Ai tha se Serbia "ka bërë krejt çka është e mundur" dhe propozimi i saj "është i qartë dhe ka kohë që ndodhet në tryezën e bisedimeve". Kryenegociatori serb. shfaq shpresën se ky propozim do të pranohet në Bruksel.

Autorë:Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama