1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Diskutime për projektligjin e ri penal në Bullgari

Sipas aktivisëve të të drejtave të njeriut ligji parashikon dënime të rënda mbi baza ligjore arbitrare dhe përmban terma që nuk shpjegohen qartë.

Projektkodi i ri Penal përmban për shembull një regjim të rreptë për fotografimin e personave publikë. Kjo gjë i ka nxehur mjaft mediat bullgare. Aktivistë të të drejtave të njeriut janë të zemëruar për një paragraf, i cili thotë: "Një shtetas bullgar që i shërben një shteti të huaj, një organizate të huaj ose ndonjë organizate që është nën kontroll të huaj dhe me veprimet e tij i shkakton dëme republikës, dënohet me heqje lirie nga 2 deri 8 vjet."

Interpretim arbitrar

Krassimir Kanev Helsinki Komitee Bulgarien

Krasimir Kanev

Krasimir Kanev, kryetar i Komitetit Bullgar të Helsinkit tha se parashikohen "dënime të rënda mbi baza ligjore arbitrare dhe se në projektligj ka terma që nuk shpjegohen, si për shembull "organizata të huaja " ose "nën kontroll të huaj". Ç'do të thonë këto? Çfarë nënkuptohet me "vihen në shërbim" ose "dëme për republikën?"

Aktivisti i të drejtave të njeriut beson se ky paragraf synon vetëm që të godasë Komitetin bullgar të Helsinkit dhe organizata të tjera joqeveritare që punojnë me të, si p.sh. Amnesty International dhe Reporterët pa Kufij. Kanev e krahason atë me ligjin rus të qeverisë së Putinit për regjistrimin e OJQ-ve që financohen nga jashtë.

Daniel Kaddik

Daniel Kaddik

Edhe Daniel Kaddik, drejtues i projektit të Fondacionit gjerman Friedrich-Naumann për Evropën Juglindore është e irrituar nga ky paragraf i projektligjit : "Teksti tingëllon për mua absurd. Si përcaktohet baza e fajit mbi të cilën mund të provohet vepra penale?" Fondacioni Friedrich-Naumann punon në Bullgari me organizata joqeveritare që janë kritike ndaj qeverisë dhe "kjo pra mjafton si arsye për të bërë faj. Pra ekipi im që punon në zyrën tonë në Sofje është në rrezik, në qoftë se kjo klauzolë mbetet në ligj." - thotë Daniel Kaddik.

Qeveria lëshon pe

Por me sa duket kjo nuk do të ndodhë. Ministrja bullgare e Drejtësisë dhe zëvendëskryeministrja Zinaida Zlatanova tha në një intervistë me Deutsche Welle: "Avokatët dhe ekspertët mund të konfirmojnë qartë se neni 305 është parashikuar vetëm për kohë lufte". Nëse e nxjerr paragrafin jashtë kontekstit, arrin në përfundime të gabuara.

Bulgarien Justizministerin Zinaida Zlatanova

Zinaida Zlatanova

"Unë s'komentoj me dëshirë, por pohimet se kjo klauzolë ka për qëllim të sulmojë një organizatë të veçantë joqeveritare më duken absurde." Megjithatë unë kam kërkuar riformulimin e paragrafëve të kontestuar për versionin përfundimtar të ligjit. Po ashtu ministrja ka kërkuar edhe riformulimin e paragrafit për fotografimin e personave publikë.

Ministrja e Drejtësisë Zlatanova i konsideron si pozitive diskutimet dhe kritikat për ligjin dhe debati është dëshmi që parlamenti do të dëgjojë zërin e oponionit publik.

Kabineti bullgar do të merret të mërkurën (15.01.2014) me diskutimin e projektiligjit dhe do t'ia paraqesë më pas atë për votim Parlamentit. Presidenti bullgar Rosen Plevneliev, i cili dikur ka qenë anëtar i radhëve të opozitës së sotme e ka lënë deri tani të hapur çështjen nëse do të vërë veton kundër projektligjit.