Diskutime për një paketë të dytë për azilkërkuesit | Gjermania | DW | 01.12.2015
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Diskutime për një paketë të dytë për azilkërkuesit

Mes partnerëve të koalicionit CDU/CSU dhe SPD ka ende nevojë për konsultime për një paketë të dytë për azilkërkuesit.

Përballë valës së refugjatëve dhe të azilkërkuesve qeveria gjermane synon që grupe të caktuara refugjatësh të strehohen në të ardhmen në "qendra të posaçme pritëse" dhe që kërkesat e tyre për azil të shqyrtohen aty në procedurë të përshpejtuar. Po ashtu parashikohen rregulla për kufizimin e bashkimit familjar për grupe të të caktuara azilkërkuesish dhe direktiva më të ashpra në lidhje me dëbimet. Në të ardhmen azilkërkuesit e refuzuar nuk do të ekstradohen nga Gjermania vetëm në raste të rënda arsyesh shëndetësore.

Koalicionin qeveritar synon që kabineti ta miratojë këtë paketë të martën (01.12.) në mënyrë që të mundësojë miratimin e paketës në parlament (Bundestag) dhe në Këshillin e Federatës (Bundesrat) para përfundimit të vitit. Por në radhët e koalicionit ka ende mosmarrëveshje për pika të ndryshme të paketës dhe ende nuk është se qartë se kur mund të bëhet miratimi i saj.

Ende nevojë për konsultime

Yasmin Fahimi

Yasmin Fahimi

Partia socialdemokrate SPD bën CDU/CSU-në përgjegjës për vonesën në lidhje me diskutimet për paketën e re të azilit. Një zgjidhje dhe marrëveshje e arsyeshme nuk dështojnë prej partisë së saj, tha sekretarja e përgjithshme e SPD-së Yasmin Fahimi të hënën në Berlin. Përkundrazi, CDU dhe CSU janë të pavendosura brenda vetes në lidhje me politikën ndaj refugjatëve. Diskutimet kanë ngecur aktualisht në vend në çështjet e bashkimeve familjare dhe të përkujdesjes shëndetësore për refugjatët e sëmurë rëndë dhe gratë shtatzëna, tha Fahimi. Ajo tha se janë të nevojshme zgjidhje të shpejta. "Çdo muaj shtyrjeje është një muaj më tepër që i vë komunat para sfidash të tjera." - tha Fahimi.

"Konsultimet po vazhdojnë, kështu që unë nuk dua të spekuloj për data," tha zëvendëszëdhënësja e qeverisë Christiane Wirtz të hënën. Mes partnerëve të koalicionit ka ende nevojë për konsultime, prandaj bisedimet zgjatën "disa ditë më tepër".

Ndryshim në perspektivën e shoqërisë

Sipas kryetarit të Këshillit Qendror të Muslimanëve (ZMD) Aiman Mazyek, Gjermania po ndesh në pranimin e refugjatëve në kufijtë e saj. "Moralisht nuk mund të ketë kufirij të sipërm për shkak të vlerave të Kushtetutës sonë dhe të përgjegjësisë sonë historike. Por teknikisht po," - tha Mazyek për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung". "Ky kufi i sipërm në Gjermani duket qartë se do të arrihet së shpejti." - tha ai. Aiman Mazyek tha se për shkak të valës së refugjatëve numri i myslimanëve në Gjermani është shtuar brenda pak muajve me rreth një të katërtën. Për muslimanët në Gjermani kjo do të thotë një transformim të fesë islame si jetohet kjo në Gjermani, por edhe një ndryshim në perspektivën e shoqërisë mbi ta. Baza e ndryshimit duhet të jetë gjithmonë kushtetuta, tha ai.